Rama: Të dielën sprova e (para)fundit. Kush shfryu ndaj kombëtares nuk është i ftuar
Nga profili i tij në Facebook, Kryeministri Rama u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që të ndjekin së bashku ndeshjen Shqipëri-Armeni, si mbështetja e fundit përpara “Euro 2016”.
Në profil Rama shkruan: “Është e (para)fundit sepse është e fundit në grup, për të shkuar direkt në Francë me një fitore dhe, në rast barazimi ose humbjeje, është e parafundit sepse Shqipërinë e pret sprova finale në playoff me të tretën e një grupi tjetër.
Dhe pas dy humbjeve të minutave të fundit, të dielën në 18.00, është koha për të qenë përsëri së bashku me Kuqezinjtë në Parkun e Kryeministrisë në përpjekjen e vështirë po aspak të pamundur, të kualifikimit direkt në Finalet e Europianit.
Kush ka shfryrë fjalë të tepërta zemërimi ndaj Kombëtares pas ndeshjes së mbrëmshme nuk është i ftuar!
Kush është kuqezi i vërtetë Kombëtaren e do njësoj kur fiton e kur humbet dhe mund të zemërohet me të vetëm kur Kuqezinjtë nuk japin gjithçka nga vetja në fushën e lojës.
Por kjo deri tani nuk ka ndodhur kurrë me këtë Kombëtare, e cila shkon apo nuk shkon në Francë, është ngjitur në majën e historisë së futbollit shqiptar. #ForcaShqipëria”.
KOHA JONË SONDAZH

