Rama të vendosë barazi në vaksinimin e qytetarëve, ai nuk mund të thotë se kush do jetojë e kush jo!
-Njerëzit janë të barabartë para ligjit dhe para Zotit. E drejta për të jetuar është njëjtë si për fshatarin që jeton në mal dhe që nuk e njeh askush, ashtu edhe për akademikun apo personalitetin që pëlqen Edi Rama. Ndaj përcaktimi nga qeveria se ata të “njohurit” duhet të bëjnë vaksinën, kurse njerëzit e thjeshtë të presin kur të kemi vaksina me shumicë, është jo e drejtë; në mos ta quajmë antinjerëzore.
Pasi ka marrë të gjitha pushtetet e mundshme që ka një shtet, kryeministri Edi Rama ka vendosur të marrë në dorë dhe rolin e atij që vendos se kush do të jetojë dhe kush do të vdesë në mbretërinë e tij. Këto ditë ka shpallur nismën e vaksinimit vetëm për personalitetet e Shqipërisë duke i dhënë të drejtën vetes që të sillet si Zot dhe të caktojë se kush meriton shpëtojë nga virusi vdekjeprurës! Ka vendosur që vaksinat e pakta në numër të jepen fillimisht vetëm për një numër njerëzish të njohur. Se kush është autoriteti, komisioni i vlerësimit apo institucioni që përcakton personalitetet nuk e ka thënë, por mesa duket ka një listë personale që e përdor sa herë që i duhet. Në media, kryeministri nxori një listë me emra artistësh dhe njerëzish të njohur të jetës publike duke e vënë përballë kundërshtarëve të seleksionimit për vaksinën. Kontrasti që do të bëjë është i thjeshtë: Kush kundërshton Edi Ramën nuk do të shpëtojë jetën e njerëzve të artit dhe figurave të dashura për publikun. Kush kundërshton ndarjen e vaksinave sipas kategorive të Ramës është njeri pa shpirt dhe një injorant sa nuk vlerëson figurat e shquara të vendit. Kjo është ndarja ku Edi Rama do të fusë shoqërinë duke krijuar një debat për emrat dhe jo për mënyrën sesi ai po qeverisë. Por në historinë e pandemisë dhe vaksinës nuk kanë rëndësi emrat, por parimet dhe modelin e rrezikshëm që Rilindja po vendos në shoqërinë tonë. Kryeministri nuk ka detyrë të bëjë ndarje klasore dhe të vendos se kush meriton të jetojë. Ndarja që Edi Rama ka propozuar është barbare, jo humane dhe fyese për çdo komb. Njerëzit janë të barabartë para ligjit dhe para Zotit. E drejta për të jetuar është njëjtë si për fshatarin që jeton në mal dhe se njeh askush, ashtu dhe për akademikun apo personalitetin që pëlqen Edi Rama. Një shoqëri është moderne dhe e moralisht e pastër kur i trajton qytetarët të gjithë njëlloj. Ndarja që propozon Edi Rama është ndarje mes klasave të shoqërisë. Kjo është një ndarje mes “parisë”, “aristokratëve” , shokëve të partisë, elitës false apo si të dojë t’i quajë dhe pjesës tjetër, plebenjve, bujqve dhe njerëzve të parëndësishëm që nuk meritojnë të jenë as të trajtohen si njerëz. Ndarje të tilla shoqëritë i kanë kaluar para 100 vitesh dhe thelbi është se çdo jetë njerëzore, personalitet apo njeri i zakonshëm, është unike dhe duhet shpëtuar. Kryeministri ynë propozon një formë gjenocidi dhe klasifikimi të ri social dhe klasor të turpshëm dhe që nuk ka lidhje me dinjitetin njerëzor. Çdo shqiptar që është mbi 80 vjeç ka dhënë aq shumë për këtë vend, në komunizëm dhe këto 30 vite, sa meriton nga shteti i tij një vaksinë 10 dollarësh. Edi Rama ka një detyrë për të cilën është votuar dhe paguhet nga çdo shqiptar, të gjejë vaksinat për të gjithë dhe tu sigurojë qytetarëve jetën. Kryeministria nuk është komision vlerësimi personalitetesh, por një grup zyrtarësh që kanë detyra, ta gjejnë ku të duan dhe si të duan vaksinën. Nëse nuk i marrin dot atje ku kanë dhënë lekët, le të anulojnë një koncesion dhe t’i marrin në çdo shtet tjetër të botës që i siguron. Është më e ndershme të bësh çdo përpjekje për të shpëtuar jetën e qytetarëve të tu, me çdo mënyrë, sesa të bësh ndarje të tilla antihumane dhe antinjerëzor që na turpërojnë si komb.
Mili Xhani
KOHA JONË SONDAZH

