Rama tregon pamjet: Aksi Orikum-Dukat plotëson gjerdanin infrastrukturor nga bajpasi i Fierit deri në Palasë
Një pjesë e segmentit të rrugës Orikum-Dukat është gati për t’u hapur për qarkullimin e automjeteve. Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga puna në këtë rrugë me gjatësi rreth 15 km dhe që shkurton maksimalisht distancën drejt bregdetit.
“Kantieri i aksit të ri Orikum-Dukat, ku jemi gati për të hapur qarkullimin e automjeteve një segment të këtij aksi, ndërkohë që vijon me intensitet puna në të gjithë gjatësinë e tij”, shkruan Rama.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e shoqëruar nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi inspektuan më herët punimet për ndërtimin e aksit rrugor Orikum-Dukat.
Aksi Orikum-Dukat është një tjetër segment i rëndësishëm, i cili lidh bajpasin e Vlorës me tunelin e Llogorasë dhe është pjesë e paketës për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, e cila do të bëjë të mundur lehtësimin e qarkullimit drejt bregdetit të jugut duke nxitur zhvillimin e turizmit.