Rama uron Isa Mustafën si Kryeministër të Kosovës
Kryeministri, Edi Rama, ka uruar homologun e tij më të ri, Isa Mustafën për marrjen e detyrës si Kryeministër i Kosovës.
Përmes një letre, Rama thekson se marrëdhëniet mes dy vendeve janë gur themeli për të ardhmen.
Në letrën drejtuar homologut kosovar, Kryeministri nënvizon se Shqipëria dhe Kosova duhet të mbeten një binom për perspektivat e Ballkanit si dhe të dy vendet të jenë pjesë e BE në bazë të meritës.
Rama shpreh bindjen se dy vendet duhet të vazhdojnë platformën e nisur të Samitit të Ballkanit, ndërsa fton Mustafën për një vizitë në Tiranë.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, mori spt mandatin për themelimin e qeverisë së re nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ndërsa u propozua nga kryetari i Partisë Demokratike Hashim Thaçi, pak kohë pasi që Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike nënshkruan marrëveshjen e plotë për bashkëqeverisje.
Sipas marrëveshjes kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, mori postin e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të punëve të jashtme. Sipas saj, zoti Thaçi do të marrë postin e presidentit pas skadimit të mandatit të presidentes Atifete Jahjaga në pranverën e vitit 2016.
Në fjalimin e tij para deputetëve, Isa Mustafa premtoi një qeverisje të qëndrueshme të përqendruar në zhvillimin ekonomik dhe në ruajtjen e partneritetit me faktorin ndërkombëtar.