Rama uron Mustafën: Dera e Shqipërisë mbetet përherë e hapur, të përshpejtojmë axhendën e përbashkët!
Europian.
“Zoti Kryeministër,
I dashur Isë,
Emërimi në funksionin e lartë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës është pa dyshim një moment me rëndësi për Ju dhe mbarë vendin. Është kënaqësi e veçantë t’Ju përcjell, me këtë rast, urimet më të mira për sukses në detyrën e lartë që Ju është mirëbesuar.
Marrëdhëniet tona janë marrëdhënie mes vëllezërish e njëherazi gur themeltar partneriteti strategjik për të ardhmen. Këto marrëdhënie unike në llojin dhe historinë e tyre, rajoni dhe zhvillimi i tij i qëndrueshëm i kërkon sa më solide, frytdhënëse dhe paqeformuese. Shqipëria dhe Kosova duhet të mbeten një binom pionier për perspektivat më shpresëdhënëse në Ballkan dhe shembull i gjallë i një integrimi të dëshiruar dhe të merituar në Bashkimin Europian.
Cilado qofshin vështirësitë që do të mund të shfaqen, kam bindje të fortë se në bashkëpunim me Qeverinë e re të koalicionit, të drejtuar prej Jush, realizimi i prioriteteve të axhendës së përbashkët do të përshpejtohet. Në këtë process historic, ne jemi të inkurajuar e të mbështetur fuqishëm edhe nga platforma e Samitit të Berlinit.
Ju e dini se për autoritetet kosovare, dera e Kryeministrit të Shqipërisë mbetet gjithmonë e hapur. Në një kohë sa më të përshtatshme për Ju, vizita e Kryeministrit të Kosovës në Tiranë do të ishte mëse e mirëpritur.
Me konsideratën më të veçantë,
Sinqerisht
Edi Rama
Sh.T.Z.Isa Mustafa
Kryeministër i Republikës së Kosovës
Prishtinë