Rama: Vija e kuqe është e SHBA-së dhe BE, veting të pavarur
“Ka ardhur momenti që vëllazëria në krim mes politikës dhe gjyqësorit të prishet dhe të mos pranojmë më që gjykatës, të cilët kanë liruar kriminelë, të kalojnë testin e radiografisë”, tha Rama, duke iu referuar procesit të quajtur “vetting”.
I nxitur nga pretendimet e Partisë Demokratike për “moskapje të drejtësisë nga politika”, kryeministri Rama është shprehur se pikërisht mosfutja e duarve të partive në procesin e skanimit dhe vlerësimit të anëtarëve të sistemit të drejtësisë është shkak, që shumica qeverisëse ka pranuar mosemërimin e gjykatësve me shumicë të thjeshtë dhe as me 3/5-tat, por me 2/3-tat.
“PD-ja vazhdon të tregojë përralla nga frika e Reformës në Drejtësi. E dimë shumë mirë që të 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë zgjedhur nga qeveria e PD-së, ndërsa 16 nga 17 anëtarët e Gjykatës së Lartë po ashtu janë zgjedhur prej qeverisë së shkuar. Shumë prej tyre madje janë zgjedhur edhe me shumicë të thjeshtë, jo më me 3/5-tat për të mos folur me 2/3-tat”, theksoi Rama.
Sa i përket kapjes së këtij sistemi, që Rama e quajti të kalbur, për këtë kryeministri tha se më mirë se kushdo në politikë e dinë familjarët e viktimave të 21 Janarit, ata të Gërdecit, por edhe pronarët e ligjshëm dhe të zhveshur nga çdo pronë me vendime të tmerrshme gjykate. “Ky nuk është një sistem drejtësie, – theksoi Rama. – Por një pazar i madh ku drejtësia shitet”. Këtu, Rama nuk harroi të përmendte edhe faktin që kreu aktual i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ka ikur gjykimit të një çështjeje me një raport mjekësor, e ajo çështje u mbyll më pas për procedurë.
Në fund, kryeministri Rama theksoi se dyert e Bashkimit Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë janë të hapura, por me kushtin që kjo Reformë në Drejtësi të miratohet dhe të mos kalohet “vija e kuqe” e vendosur si e tillë jo vetëm prej shumicës qeverisëse, por e kërkuar edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.
KOHA JONË SONDAZH

