Rama: Vlora, kantier ndërtimi. Qytetarët të vrapojnë të shlyejnë faturat e energjisë
Gjatë vizitës që zhvilloi në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku pa nga afër mjediset e rikonstruktuara të Repartit të Pediatrisë, që u realizuan përmes një projekti të mbështetur nga Agjencia Turke e Bashkëpunimit, TIKA, Kryeministri Rama tha se, “shumë shpejt, Vlora do të përjetojë hapjen e disa kantiereve shumë të mëdha”.
Sipas tij, ndër më të rëndësishmit është kantieri i vijës bregdetare, që do të hapet pas një tenderi ndërkombëtar që ka nisur, me financimin e Komisionit Evropian dhe bashkëfinancimin e Qeverisë Shqiptare.
Sipas tij, kantieri tjetër do të jetë ai i ndërtimit të rrugës hyrëse, që do të lidhë përfundimisht qytetin me autostradën, sepse nuk mund të hyhet në Vlorë nga një “xhep fallso”, sikundër e kanë lënë deri tani.
“Pastaj janë edhe një sërë kantieresh të tjera brenda në qytet, ku, me të drejtë qyteti pret transformime të mëdha”, theksoi Rama.
Ai bëri të ditur se, “përpara se të fillojnë kantieret e tjera brenda në qytet, paralelisht me atë të vijës bregdetare (“Lungomare”), do të jetë një periudhë që do të ndërhyhet përmes INUK-ut, sepse ka shumë abuzime, ka shumë çibanë të mbjellë gjithandej që po i marrin frymën qytetit prej vitesh dhe pas shkuljes së tyre, do të ndërhyhet në të gjitha lagjet”.
Në prononcimin e tij për mediat, Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje qytetarëve vlonjatë të vrapojnë për t’u bërë pjesë e përpjekjes së përbashkët për shlyerjen e faturave të energjisë elektrike.
“Nëse ne do të arrijmë dhe do të arrijmë të gjithë së bashku, të mos lejojmë më që një shumë e barabartë me 6 spitale moderne rajonale të standardeve evropiane, të humbasë në gropën e vjedhjes nga energjia, atëhere me siguri vitet në vijim do të sjellin shumë më tepër investime për shëndetësinë, shumë më tepër transformime në infrastrukturën e gjithë shërbimit tonë shëndetësor dhe që do të sjellin paga shumë të mira për mjekët dhe në rradhë të parë për infermierët”, theksoi Rama.
Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, falenderoi Agjencinë Turke të Bashkëpunimit, TIKA, për mbështetjen financiare për projektin e rikonstruksionit të repartit të pediatrisë por edhe për urgjencën e re të Spitalit Rajonal të Vlorës, si dhe për të gjitha projektet e tjera që po realizohen në Shqipëri gjatë këtij viti, me një vlerë të përgjithshme prej 200 mijë USD.
Më pas Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri Ilir Beqja, deputetët Valentina Leskaj, Shkëlqim Selami, Fatmir Toçi, prefektja, Etjona Hoxha, vizituan mjediset e Spitalit Rajonal, ndërkohë që më pas lëvizi në këmbë përgjatë rrugës që lidh këtë spital me Sheshin e Flamurit. Kryeministri Rama u përshëndet me mjaft qytetarë që kishin dalë përgjatë kësaj rruge.