Rama, Zaev dhe Vuçiç, në konferencë të përbashkët pas nënshkrimit të marrëveshjeve në Shkup
Gjatë samitit të sotëm në Shkup u nënshkruan disa marrëveshje trilaterale mes Kryeministrit Rama, Presidentit Vuçiç dhe Kryeministrit Zaev, në kuadër të Mini-shengenit Ballkanik, me synim lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe komunitetit të biznesit në Ballkanin Perëndimor.
Në fjalën e tij pas nënshkrimit të marrëveshjeve, me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, për lëvizje të lirë të qytetarëve në këto tre vende, lehtësimin e barrierave tregtare dhe ndihmën e dhënë në rast vështirësish, Kryeministri Rama tha se ky është shpirti i kësaj nisme të përbashkët.
Rama nënvizoi se do të ishte në të mira të tre vendeve, që të bëhen bashkë në rast vështirësish dhe katastrofash natyrore.
“Kur në Shqipëri ra tërmeti, ishin forcat e kërkim-shpëtimit nga forcat e rajonit që mbërritën në Shqipëri, ishin dhe ato nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Ne në atë moment tragjik kuptuam se sa e rëndësishme ishte që të mos ndiheshe vetëm dhe sa e ndjeshme ishte që në një terren të shkatërruar ky kishte qindra jetë njerëzish nën gërmalla të kishe më shumë forca. Sot ne kemi firmosur një marrëveshje, për të qenë bashkë, në çdo rast, kur largqoftë cilado nga vendet tona përballet me forcën e natyrës.
Më thoni, çfarë të keqe do të kishte për Kosovën, për Malin e Zi, për Bosnjën, që të bashkoheshin në këtë nismë, që hap rrugën, që forcat tona emergjence të ndërveprojnë së bashku, të kenë sistem të përbashkët alarmi dhe të gjenden aty për të ndihmuar. Apo për rastin kur për shkak të ndryshimeve klimatike, sipërfaqe të tëra pyjesh digjen. Ku është e keqja? Që helikopterët e vendeve tona, të gjenden aty të gjithë bashkë. Ky është shpirti i kësaj nisme, e s’dua të flas më shumë”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

