Rama:Kryefjala e 300-ditshit të ardhshëm, lufta ndaj informalitetit

 

Konferenca për mediat e Kryeministrit Edi Rama në mbyllje të 300-ditshit të dytë:

Kjo është një konferencë përmbyllëse e këtij sesioni, përpara pushimeve plotësisht të merituara për ju, dhe siç ka qenë dhe në të shkuarën fillimisht do të jetë një pasqyrë e sintetizuar, por, sidoqoftë, e gjerë e atyre fakteve dhe shifrave që besoj se krijojnë një pamje kuptimplotë për qeverisjen e 300 ditëve të dyta, pas 300 ditëve të para që ishin vendimtare për të përcaktuar kthesën e domosdoshme dhe për të piketuar drejtimin e duhur.

  • Ekonomia

Po e nis me ekonominë, duke kujtuar se qysh në tremujorin e parë të qeverisjes u thye trendi negativ dhe pas një sërë tremujorësh paraardhës në rënieje filloi kthesa pozitive. Faktikisht, gjatë vitit 2014, që pasoi tremujorin e parë të qeverisjes, ekonomia vazhdoi në rrugën e qëndrueshme të kthesës, duke ruajtur trendin e qëndrueshëm pozitiv dhe duke qendruar në harmoni me parashikimet, të përcaktuara qysh me nënshkrimin e programit me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Viti 2014 u mbyll me një rritje 2.12 %. Ndërkohë që, është inkurajuese që edhe tremujori i parë i vitit 2015 shënon vazhdimësinë e trendit të rritjes dhe u mbyll, duke pasur parasysh edhe dyshimin e arsyeshëm se kriza në Greqi do të kishte ndikimin e vet, 2.82% kundrejt tremujorit të parë të 2014-ës. Është një shifër mjaft domethënëse. Ne vazhdojmë të besojmë se deri në fund të vitit do të jemi përsëri, brenda objektivit të përcaktuar në program dhe do të jemi fare pranë ose plotësisht tek rritja 3%.

Ky fakt përbën edhe një arsye kuptimplotë, në raport me të gjitha aludimet apo parashikimet e gabuara, se nisma jonë për shlyerjen e borxheve, përveç efektit moral të raporteve mes qeverisë dhe kontraktorëve, nuk do të kishte efekt në ekonomi. E kundërta është e vërtetë. Ne besojmë që shlyerja e 350 milionë dollarëve detyrime të prapambetura në 2014-ën dhe mbërritjes sot, e një totali prej 641 milionë dollarësh borxhe të shlyera ndaj kontraktorëve në të gjithë sektorët, kanë pasur një impakt të drejtpërdrejt në konsolidimin e trendit pozitiv të rritjes ekonomike.

Tanimë, procedura e shlyerjes së detyrimeve është thuajse e përfunduar, mbeten për të parë një sërë rakordimesh të fundit. Ndërkohë që, mbetet për t’u vlerësuar me konsideratë të lartë fakti se kjo ishte një procedurë absolutisht transparente dhe e drejtë. Në ndërkohë, shumë pretendime, të cilat mund të kenë qenë edhe të bazuara de facto, por që nuk janë bazuar de jure, pra, me dokumentacionin e rregullt ligjor, nuk janë marrë dhe nuk kishte si të merreshin parasysh.

Po kështu, dua të nënvizoj faktin se ky ka qenë një proces me ankesa për korrupsion Zero. Metoda e përdorur, duke i shlyer të gjitha detyrimet mbi bazën e një radhe jo të përcaktuar nga qeveria dhe jo të përcaktuar nga dëshirat e institucionit që ka drejtuar këtë proces, Ministrisë së Financave, por të përcaktuar nga koha e borxheve, ka garantuar që procesi të jetë tërësisht i pakontestuar dhe i pakontestueshëm.

Nga ana tjetër, një pjesë e fondeve të siguruara nga shlyerja e detyrimeve janë përdorur nga sipërmarrjet për të shlyer detyrimet e prapambetura ndaj administratës doganore dhe tatimore. Kusht ky i domosdoshëm dhe i përcaktuar në strategjinë e heqjes së kësaj barre të madhe imoraliteti dhe padyshim financiare, të qeverisë ndaj kontraktorëve.

Një pjesë e konsiderueshme e këtyre fondeve janë përdorur nga sipërmarrjet edhe për të shlyer pjesë të kredive me bankat e nivelit të dytë. Në këtë kontekst vlen të theksohet se ky operacion ka pasur rolin e vet në parandalimin e rritjes së mëtejshme të kredive të këqija dhe në një masë të caktuar, edhe në uljen e tyre. Mos të harrojmë që në shtator të 2013-ës, kur ne kemi marrë detyrën, kreditë e këqija kishin kapërcyer 24% dhe kishin tendencë të shkonin drejt 25%-shit. Një shifër alarmante kjo dhe me një konotacion jashtëzakonisht negativ për ekonominë e vendit. Në dhjetor të 2014-ës u ulën nën 23% dhe në maj të 2015-ës, bazuar në të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave, jemi nën 22%.

Plani për uljen e mëtejshme të kredive të këqija është një plan në veprim. Duhet të them, duke falenderuar guvernatorin e Bankës së Shqipërisë në radhë të parë, se koordinimi mes institucioneve dhe roli shumë aktiv që ka marrë Banka e Shqipërisë në këtë drejtim na japin një siguri të arsyeshme se do të kemi një ulje të mëtejshme dhe të konsiderueshme të kredive të këqija. Nga ana tjetër, deri në fund të 2014-ës kemi rritje të konsiderueshme të depozitave në bankat tregtare, me 240 milionë më tepër sesa një vit më parë.

Stabilizimi dhe mbajtja nën kontroll e borxhit të jashtëm përbën një tjetër hap të rëndësishëm në gjithë procesin e kapërcimit të një situate kaosi në llogaritë e shtetit dhe të një momenti me paparashikueshmëri të lartë, siç ishte momenti kur ne morëm detyrën, në këtë aspekt.

Për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, treguesi i borxhit është nën 70%, saktësisht, 69.9%. Nëse do të përjashtojmë ndikimin e detyrimeve të prapambetura, të shlyera gjatë 2015-ës dhe efektin e kursit të këmbimit që është jashtë kontrollit të qeverisë, kemi një ulje të borxhit nën 69%, pra, 68.2%. Kjo për të gjithë ata që i bien xurnave të shifrave tërësisht të fryra dhe thelbësisht të manipuluara, kur flasin për borxhin. Por, nëse përjashtojmë edhe shumën, gjithsej të detyrimeve të prapambetura të shlyera që janë 641 milionë dollarë, atëherë, treguesi real i borxhit është nën 65%, është saktësisht 64.6%. Kujtoj këtu që u fol për rritje borxhi nga ana jonë, ndërkohë që ne bëmë as më shumë as më pak, por legalizimin e një borxhi që qeveria nuk mund të mos ua njihte dhe nuk mund të mos ua shlyente të gjithë kontraktorëve për shërbime të marra, që nga punët publike deri tek shërbimet e marra për shkollat apo për spitalet.

Ndërkohë, falë miratimit të strategjisë së menaxhimit të financave publike, që i hap rrugë përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së përdorimit të fondeve publike, kemi hapur edhe rrugën e marrjes së grantit të parë nga Bashkimi Europian, në formën e mbështetjes buxhetore, për shkak se kjo strategji është vlerësuar maksimalisht nga partnerët. Fillimi i kalimit nga grantet e kushtëzuara në mbështetje buxhetore nga Bashkimi Europian shënon një fazë të re marrëdhëniesh, në këtë aspekt, me Komisionin Europian.

Kemi plotësisht nën kontroll deficitin buxhetor dhe deri në 30 qershorin e sapokaluar, niveli i deficitit buxhetor është 50% më i ulët sesa planifikimi i periudhës. Pra, është mbajtur nën kontroll të plotë niveli i borxhit, edhe si rezultat e një miradministrimi të deficitit.

  • Të ardhurat

Totali i të ardhurave për periudhën korrik 2014 – qershor 2015 është 287 milionë dollarë më i lartë, sesa për periudhën korrik-qershor 2013-2014, ose 8.3%. Të ardhurat tatimore për periudhën korrik 2014 -qershor 2015 janë 231 milionë më të larta, sesa për të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose 7.3%. Të ardhurat gjithsej për gjashtëmujorin e 2015-ës, janar-qershor, janë 77 milionë dollarë më të larta, sesa gjashtëmujori i parë i 2014-ës.

Por jemi në proces dhe drejt përfundimit të një analize shumë të thelluar të të gjitha arsyeve të rënies së të ardhurave, në raport me parashikimin. Një analizë që, po e bëjmë me një ekspertizë të lartë ndërkombëtare dhe që është pjesë e një procesi reformimi dhe transformimi të mënyrës së këndvështrimit dhe të punës së Ministrisë së Financave, doganave, tatimeve, në raport me shifrat konkrete. Nuk kemi ende një pamje shteruese, pasi analiza është drejt përfundimit të saj, por një gjë është e sigurt, jemi në kushtet e ndryshimit të modelit ekonomik. Nga njëra anë kemi një rritje me 2.82% të ekonomisë, nga ana tjetër kemi një rënie të ardhurash, që reflekton ndër të tjera, jo vetëm, ndryshimin e strukturës së ekonomisë me një rritje të ndjeshme të Prodhimit të Brendshëm dhe nga ana tjetër, me një rritje të ndjeshme të importit të makinerive drejt vendit tonë, çka lë të kuptohet se ka filluar të lëvizë në drejtimin e duhur, dhe sipas objektivit tonë madhor të ndryshimit të modelit ekonomik, e gjithë sipërmarrja, duke investuar tanimë, shumë më tepër se më parë, për linja prodhuese dhe linja përpunuese.

Sigurisht ka pasur rolin e vet, rënia e importit të naftës, si rezultat e rritjes së lartë të prodhimit të naftës në vend dhe të përpunimit të saj në vend, por pamjen shteruese do ta kemi në fund të kësaj analize, që do të përcaktojë edhe qasjen tonë, në raport me planin e të ardhurave për pjesën tjetër të vitit.

  • Lehtësirat fiskale

Për dy vite rresht, pra, për dy sesione pune rresht, kjo qeveri ka miratuar bashkë me buxhetin, paketa fiskale të cilat kanë ardhur me masa të konsiderueshme lehtësuese dhe jo shtrënguese. Në paketën e vitit 2014 u prezantuan 10 masa të tjera lehtësuese, me një efekt 97 milionë dollarë në buxhetin e shtetit, që i kanë shkuar individëve apo kompanive. Që do të thotë më shumë lekë për konsumin, më shumë lekë për investime drejtpërdrejt tek qytetarët.

Këto masa, bashkë me masat e marra një vit më parë, bënë që 97% e shqiptarëve të paguajnë më pak taksa dhe të marrin deri në një pagë më shumë në vit nga heqja e taksës së sheshtë dhe vendosja e taksimit të ndershëm. Në paketën e 2015-ës u shtuan 12 masa të reja, me efekt 15 milionë dollarë në buxhetin e shtetit dhe përsëri, kontribut i drejtpërdrejtë për lehtësimin e prodhimit, sidomos në bujqësi.

Sot, përveç këtij aspekti, kemi edhe një aspekt tjetër, tërësisht të ri dhe shumë të mirëpritur nga sipërmarrja, që është rimbursimi automatik. Pra, nuk ka më një histori zvarritjeje dhe përdhunimi të sipërmarrjeve në rimburësimet e TVSH-së, që kryhen brenda 30 ditëve për fasonët dhe të gjithë eksportuesit e tjerë dhe brenda 60 ditëve për bizneset e tjera. Kjo do të thotë se edhe ky proces i rimbursimit të drejtpërdrejtë ka efektin e vet, në raport me qasjen dhe me prurjen nga të ardhurat. Siç ka efektin e vet të drejtpërdrejtë, edhe ndryshimi parimor i metodologjisë së realizimit së të ardhurave, që nuk bazohet më tek telefonatat, tek dhunimi i bizneseve, për të realizuar planin. Këto historira kanë marr fund. Ne nuk realizojmë më plan të ardhurash duke marrë borxhe në avancë nga kompanitë, siç ishte bërë metodë dhe zakon për vite e vite të tëra. Në rast se biznesi ka tatim mbi vlerën e shtuar për të marrë dhe të papaguar nga tatimet, e përdor këtë shumë për të paguar detyrimet e tjera tatimore, pra, në mënyre automatike. Kjo është një lehtësi që përbën një ndryshim rrënjësor në marrëdhëniet mes qeverisë dhe sipërmarrjes.

  • Punësimi

Referuar anketës së forcave të punës, të publikuar, krahasuar me tre mujorin e parë të vitit 2014, numri i të punësuarve është 10% më i lartë dhe kemi një rritje me 103 mijë e 945 persona. Ndërkohë që, duke filluar nga dita jonë e parë e qeverisjes kemi një të dhënë shumë domethënëse; 106 mijë e 121 forca të reja pune, jo me anketa, por në borderotë e shtetit shqiptar dhe në sektorin jo bujqësor. Një shifër shumë kuptimplotë, e cila sigurisht nuk ka zgjidhur problemin e papunësisë në Shqipëri, por që na jep një indikacion shumë të qartë për efikasitetin e politikave të reja të qeverisë dhe për efikasitetin e administrimit të ri, pas marrjes së detyrës nga ana jonë.

100 milionë dollarë i janë shtuar arkës së shtetit si shumë në dispozicion të pensioneve, si rezultat i rritjes së numrit të personave të nxjerrë nga skllavëria e punës në të zezë dhe të formalizuar. Faktikisht, bëhet fjalë për një rritje që siguron implementimin me sukses të reformës së pensioneve dhe fillimin e fundit të deficitit të tmerrshëm, të trashëguar nga skema e vjedhjes së pensioneve, që rrezikonte ta kolapsonte krejtësisht jo vetëm skemën, po gjithë sistemin tonë të financimit të pensioneve.

Një të dhënë tjetër për të gjithë ata që i kanë rënë fyellit të kundërshtisë lidhur me taksën progresive. Ju e keni parasysh që ka një fyell bie me orë e pa orë, duke përçuar melodinë se vendosja e taksës progresive do të sillte ulje të numrit të punonjësve të regjistruar, sidomos në fashat e larta. E pra, për pagën mbi 1 milionë e 500 mijë lekë (të vjetra), aty ku fyelli përçonte melodinë që do të ndodhte hataja, kemi kaluar nga 6.800 individë në 8.600 individë. Pra, kemi afro 2 mijë deklarues më shumë dhe afro 2 mijë taksapagues më shumë për një taksë që me të drejtë mbi atë fashë është rritur, sepse janë ata që fitojnë më shumë dhe që e kemi thënë pa marrë detyrën, nëse do të merrnim detyrën, ata do të paguanin më shumë.

 

  • Konsumi

 

Ajo çka përbën në fund të fundit, shifrën apo të dhënën më kuptimplotë, më domethënëse dhe më të padiskutueshme lidhur me gjendjen e ekonomisë është konsumi.

Është rritur apo është ulur konsumi?

Faktikisht, ne kemi rritje të konsumit. Në vitin 2014, tregtia me pakicë shënoi një rritje që kapi 6.4% në vlerë, po 7% në volum. Ndërkohë që në tremujorin e parë të vitit 2015 indeksi i volumit të shitjes së tregtisë me pakicë është rritur 4.7% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2014. Ndërkohë që, në grupin e tregtisë me pakicë, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, ku për arsye të çmimit, ky indeks nuk është i njëjtë, pra, në të gjithë grupin e tregtisë me pakicë, përjashtuar tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, kemi një rritje 9.5%, kundrejt tremujorit të njëjtë të një viti më parë. Fatmirësisht, kjo është diçka që nuk është çështje opinioni, por është çështje shifrash dhe përjetimi i drejtpërdrejt, qoftë i sipërmarrjes që është e përfshirë në shitjet me pakicë, qoftë i konsumatorit.

 

  • Prodhimi, importet dhe eksportet

 

Nuk dua të bëj lista të gjata, dua vetëm të them që në zërin e importeve kemi rritje me 14% ose 1 miliardë dollarë si shumë import makinerish dhe pajisjesh. 1 miliard dollarë import makinerish dhe pajisjesh do të thotë që kemi një kthesë në orientimin e sipërmarrjes dhe të parasë që sipërmarrja investon drejt investimit të drejtpërdrejtë në teknologji. Që prezumon rritje, shtim të linjave të prodhimit dhe të përpunimit, prezumon rritje të punësimit real. Kjo rritje ka vazhduar edhe në vitin 2015. Gjashtëmujori i parë ka 10 milionë dollarë makineri më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, që sigurisht kishte një shifër shumë domethënëse.

Po të vijmë tek eksportet. Ato në total janë rritur me 9% në vlerë, krahasuar me më parë. Manifaktura, falë mbështetjes intensive që ne i kemi dhënë, ka një rritje me 140 milionë dollarë, përfshirë këtu, jo tek kjo shumë, po edhe rritjen e eksporteve të lëndëve plastike. Ndërsa në gjashtëmujorin e parë të 2015-ës, ky eksport u rrit me 54 milionë dollarë, krahasuar me një vit më parë.

Domethënëse është nga ana tjetër, rritja e eksporteve bujqësore. Në 2014-ën, ato njohën një hop të konsiderueshëm prej 20%, por shifrat e këtij viti, – që janë dhe shifrat e impaktit të parë, jo përfundimtar, të politikës sonë të re të nxitjes së sektorit me synim rritjen e eksporteve, – kanë kapur 24% në tremujorin e parë. Përgjatë këtij tremujori dhe të dhënat paraprake të tremujorit të dytë kemi deri në dyfishim të eksporteve, krahasuar me një vit më parë, në disa nga qarqet kryesore të vendit, ku është prodhimi më intensiv për eksport.

Ajo çka është më e rëndësishme, kemi fillimin e ndryshimit të strukturës së punës dhe të ndërveprimit në bujqësi, falë mbështetjes që ne i kemi bërë sipërmarrjes në bujqësi dhe kushteve që kemi krijuar për fillimin e krijimit të zinxhirit të vlerës. Duke bërë të mundur që të çelim një rrugë alternative, për të shmangur gjithë atë cenim të madh që i ka bërë historikisht sektorit, fragmentimit i tokës. Për ta bërë, praktikisht, fragmentimin e tokës irelevant, për shkak se pavarësisht sesa tokë ka në dispozicion një familje fermere përfshirja e çdo familjeje fermere në skemën e prodhimit dhe në funksion të zinxhirit të vlerës që ka në qendrën e vet sipërmarrjen, përmes orientimit dhe koordinimit të sipërmarrjes, bën që secili në pjesën e vetë të jetë individualisht dhe drejtpërdrejtë i lidhur me fitimin, por kolektivisht i organizuar, duke përdorur të njëjtën farë, duke përdorur të njëjtën kulturë, duke përdorur edhe të njëjtin proces, në funksion të shitjes së garantuar.

Këtu do të synojmë shumë fort dhe me paketën e re, që ne po përgatisim, e cila do të vihet në jetë brenda vjeshtës së këtij viti. Do të vëmë në dispozicion të sipërmarrjes në bujqësi 300 milionë euro në tre vitet e ardhshme, të ndarë në një mesatare prej 100 milionë çdo vit. Duke bërë, kështu, të mundur që të gjitha aplikimet, të cilat deri sot janë refuzuar për pamundësi financiare nga ana e shtetit, të mund të miratohen kur plotësojnë standardet. Kreditimi i drejtpërdrejtë i bujqësisë nga bankat e nivelit të dytë të bëhet mbi bazën e garancisë së riskut të marrë nga shteti dhe e uljes së interesave deri në zero, përmes kontributit të drejtpërdrejtë të shtetit.

Ndërkohë që, raportin e fermerit me bankën do ta ndërmjetësojë vetë shteti, përmes Agjencisë së Pagesave ose AZHBR-së. Që do të thotë se, fluksi i madh i aplikimeve nuk do të ketë më një refuzim të konsiderueshëm, si pasojë e pamundësisë për të kredituar bujqësinë. Nga kjo ne presim një transformim rrënjësor të të gjithë sektorit dhe një rritje eksponenciale të sipërmarrjes në bujqësi.

Paralelisht me këtë, ne po punojmë dhe po negociojmë një paketë mbështetjeje financiare për nxjerrjen e sistemit të vaditjes dhe kullimit nga gjendja mesjetare ku e kemi trashëguar dhe për të siguruar në tre vitet e ardhshme, – si objektiv final, por synimi ynë është ta bëjmë edhe më shpejt, – mbulimin me ujë të të gjithë tokave bujqësore të punueshme dhe për të mos lënë më fermerë që të digjen për ujë, apo që të përmbyten për shkak të mungesës së sistemit të kanalizimeve. Kjo është një paketë që do ta vëmë në jetë së bashku me push

Faktikisht kemi shënuar një moment kthese, nga bujqësia e iluzioneve dhe e lëmoshave të mbijetesës tek bujqësia e prodhimit, përfitimit dhe mirëqenies. Sigurisht ka ende shumë për të bërë. Duhet ta theksoj që të gjitha ato që po them, të gjitha shifrat që dhashë dhe gjithë këta elementë që së bashku flasin për një trend pozitiv të ekonomisë, nuk duan të thonë aspak se unë apo ne jemi të lumtur me këto rezultate dhe se për mua apo për ne, ekonomia po lulëzon. Absolutisht jo! Por duan të thonë se pas një epoke rrumpalle, ku u dhanë pa hesap të drejta zhvillimi, po ku asnjëherë nuk u morën masa për të siguruar marrjen e përgjegjësive ndaj zhvillimit, kemi hyrë në një epokë të re. Merrini të gjithë sektorët me radhë dhe në çdo sektor, historia tregon një fakt: të drejta zhvillimi të dhëna pa hesap, koncesione, lëshim pa duar i territorit, ndërtime pa fund, miniera, HEC-e, universitete, kush të mundej merrte të drejta zhvillimi, por askush nuk kishte përgjegjësinë për koston e këtij zhvillimi. Në mungesë të plotë të shtetit dhe të mekanizmave që duhet të siguronin monitorimin e ushtrimit të këtyre të drejtave dhe marrjen nga këto të drejta, të përfitimit edhe për publikun, Shqipëria që trashëguam ishte një rrumpallë.

Sot jemi në kushtet kur mund të themi që kthesa vazhdon në mënyrë të qëndrueshme dhe bazat për të pasur nesër një ekonomi reale të zhvilluar po hidhen me vështirësi, me sakrifica, padyshim edhe me kosto, por në mënyrë vendimtare.

Nuk po shtyhem më tutje me shifrat në sektorin e bujqësisë, por po ju jap vetëm lajmin që kemi përfunduar përgatitjen e regjistrit dixhital të tokës bujqësore në 41 ish komuna dhe bashki, që nuk është shumë, por është fillimi i një ndryshimi rrënjësor, në raport me inventarin e tokës. Kemi trashëguar një shtet pa inventar. Një shtet ku në çdo metër katror ka 3 pretendentë për të drejtën e pronësisë, pa llogaritur mungesën e plotë të inventarëve të infrastrukturës mbitokësore dhe nëntokësore. Ajo që na intereson në këtë rast, është që ky regjistër do të shtrihet intensivisht, në bashkëpunim me pushtetin e ri vendor, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

  • Investimet e huaja

Keni dëgjuar fyej të bien pa pushim, për rënie të investimeve të huaja, për ikje të investitorëve të huaj, për shkretimin e trojeve tona në raport me investimet e huaja. Por të dhënat e Bankës së Shqipërisë për vitin 2014 tregojnë se vlera e investimeve të huaja arriti në 878 milionë euro, ndërsa në tremujorin e parë të 2015-ës kemi një rritje 50.5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë që, -referojuni regjistrave, – kemi 948 kompani të reja të huaja. Një rritje që nuk krahasohet me asnjë vit tjetër. Është 30% rritje e ritmit të investimeve të reja dhe vetëm në 2014-n janë regjistruar 16.731 kompani të reja, që shënon pikën më të lartë të të gjitha viteve. A është kjo e mjaftueshme? Është komplet e pamjaftueshme! Këto të gjitha nuk janë suksese, janë rezultate dhe arritje në vazhdën e një pune që ka ende shumë për të dhënë. Por është e sigurt që këto shifra janë drejtpërdrejt të verifikueshme nga regjistrat e shtetit.

Nuk po zgjatem që të flas për TAP-in, as me shifra dhe të dhëna të tjera lidhur me investimet, por thjesht po kujtoj që në ndërkohë kemi pasur vlerësime inkurajuese të institucioneve financiare ndërkombëtare. Po ju kujtoj Standard&Poor’s që e përmirësoi dy herë vlerësimin për ekonominë shqiptare; Raportin Doing Business; Foreing Policy Report, me përmirësime inkurajuese që nuk na bëjnë të lumtur, por na motivojnë për të bërë ende shumë më shumë, sepse objektivat janë shumë më ambiciozë, sesa arritjet e deritanishme. Po ashtu, studimin e Bankës Botërore dhe si përfundim, që është pasojë e drejtpërdrejtë e këtyre përmirësimeve, akordimin nga Banka Botërore për Shqipërinë, të shumës më të madhe të mbështetjes financiare në një program të saj në vendin tonë, me përkufizimin e shprehur nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës për të argumentuar këtë mbështetje financiare dhe e citoj: “Vendosmëria e fortë e qeverisë dhe mundësia historike që ka krijuar kjo vendosmëri, për t’u ndarë nga e shkuara.” Këtë e thotë një institucion financiar që jep para dhe që s’mund t’i japë paratë nëse nuk ka një bazë të besueshme për t’i dhënë ato dhe nuk mund të thotë shprehje të tilla, se nuk është gazeta e partisë, por është institucioni i madh financiar ndërkombëtar.

Nuk po zgjatem po ashtu, me rajonin, por sigurisht që do them dy fjalë për përmasën e rritur të bashkëpunimit me Kosovën dhe faktikisht, për punën për korridorin e transitit të përbashkët, që konsiston në objektivin, – kjo nuk është propagandë, por është pjesë e një pune të nisur, – që të gjitha transitet e çelura në territorin doganor të Shqipërisë të mbyllen në doganat e destinacionit të Kosovës, duke evituar ndalesa në kufi për ribërje procedurash. Dhe anasjelltas, transitet që hapen në territorin doganor të Kosovës do të mbyllen në doganat e destinacionit shqiptar. Pra, Shqipëria dhe Kosova do të funksionojnë sikur të kenë vetëm një doganë, jo dy dogana. Pra, bashkimi doganor, për të cilin kemi folur më parë. Një procedurë që zgjaste deri në dy ditë ose dhe më shumë, për shkak garancish financiare dhe burokracish, do të zgjasë jo më shumë se pesë minuta. Ndërkohë që, siç e keni parë, kemi siguruar dhe shtimin e korsive në pikën kryesore të kalimin të Morinës, për të lehtësuar kalimin e qytetarëve dhe të mallrave.

Jemi të përfshirë aktivisht dhe kemi një rol shumë aktiv, të mirënjohur dhe të gjithëpranuar, në Procesin e Berlinit. Në fund të gushtit do të shkojmë në Vjenë për etapën e dytë të procesit. Njësoj si herën e parë, edhe këtë herë do të kemi një qasje shumë aktive dhe do të shkojmë me propozime konkrete lidhur me qasjen, jo thjesht me projektet.

Nuk po zgjatem me vizitat historike që kemi pasur dhe me personalitetet që kanë vizituar Shqipërinë. Këto i bënte shumë më mirë dhe me shumë më tepër pathos, paraardhësi im, kështu që unë nuk e konkurroj dot, pavarësisht se besoj se cilësia e marrëdhënieve të Shqipërisë me jashtë nuk ka të krahasuar me cilësinë e marrëdhënieve që ne gjetëm. Besoj që vizitat që ne kemi pasur kanë folur vetë dhe nuk ka nevojë që të flas unë.

Duke u kthyer përsëri në vend, dua të flas për anën tjetër të medaljes, për pjesën që ka të bëjë me përgjegjësitë mbi të drejtat. Që do të thotë me sektorët ku shteti është dashur më parë të marrë përgjegjësi dhe të kërkojë marrjen e përgjegjësive nga gjithë aktorët që kanë të drejta. Kam parasysh këtu, për shembull, të gjithë ata që kanë marrë të drejta për gurore, për miniera, për hidrocentrale e me radhë dhe që nuk kanë dashur t’ia dinë fare për përgjegjësitë, sepse askush nuk ua ka kërkuar, në raport me mjedisin. Edhe këtu, ne po bëjmë një kthesë historike. Të gjithë ata që kanë marrë të drejta do të përgjigjen një më një, për përgjegjësitë, duke investuar drejtpërdrejtë në rehabilitimin e mjedisit dhe në kompensimin e sipërfaqeve konform çka kanë marrë në dispozicion, ashtu siç e parashikojnë në fakt, në letër, kontratat e pazbatuara asnjëherë.

Nga ana tjetër, ne kemi bërë financimin më të madh në pyje.

Po ju kujtoj vetëm një fakt; Për herë të parë, Shqipëria i është rikthyer mbjelljes intensive të fidanëve të rinj. Kemi 2 milionë fidanë të rinj të mbjellë në 2014-ën dhe fundi i 2015-ës do të na kapë me shifrën 5 milionë fidanë të rinj. Ky përbën një moment të rëndësishëm, në radhë të parë, vetëdijesimi për rolin që duhet të ketë qeveria. Nga ana tjetër jeni dëshmitarë, edhe nëse s’e keni parë me sytë tuaj, besoj e keni parë nëpërmjet kronikave dhe raportimeve të kolegëve tuaj, që kemi bërë një punë të konsiderueshme për të rehabilituar zonat e mbrojtura. Mjafton të shikoni zonën e mbrojtur të Karavastasë, ku siguruam edhe rikthimin e qenieve të tjera të gjalla, që e kishin braktisur Shqipërinë nën sulmin e qenies njerëzore që ishte angazhuar në një sjellje kafshërore të një niveli të pakonkurrueshëm nga asnjë nga kafshët që e popullonin zonën e Karavastasë. Moratoriumi, ndalimi i gjuetisë, ka siguruar rikthimin e shumë specieve dhe, realisht, rilindjen e jetës së gjallë në gjithë atë zonë, ndalimin e prerjes barbare të pyllit dhe kthimin e saj në një atraksion, që ka filluar të jetë gjithmonë e më e vizitueshme. Ju sugjeroj me këtë rast, që ta vizitoni. Për çdo detaj mund të kontaktoni deputetin e zonës, që është intensivisht i përfshirë dhe që ka një meritë të veçantë për gjithçka ka ndodhur në atë zonë.

Më tutje do kaloja tek një aspekt tjetër, që ka të bëjë me mbështetjen sociale. Shpeshherë, kryesisht për shkak të operacionit për rikthimin në binarë të sektorit të shpërndarjes së energjisë elektrike, është dëgjuar një muzikë shurdhuese fyejsh lidhur me natyrën jo sociale të qeverisjes sonë. E kundërta është e vërtetë. Shifrat tregojnë që kjo qeveri ka investuar tek mbështetja sociale më shumë se çdo qeveri tjetër. Reforma e pensioneve përbën një nga arsyet kryesore për të qenë krenarë për çka kemi arritur të bëjmë në këtë fazë të qeverisjes. Faktikisht, rritja me 1.2 miliardë e Fondit të Pensioneve, për të zbatuar skemën e re, është një nga shembujt kuptimplotë të vëmendjes dhe të arritjes së objektivit për të rritur mbështetjen sociale. Ndërkohë nuk është keq ta përsëris që i dhamë fund atij tavanit të tmerrshëm, që i mbante të gjithë pensionistët e Shqipërisë nën 240 mijë lekë dhe siguruam rritje reale pensionesh për të gjitha fashat, nga 2% deri në 40%, sipas kontributeve të tyre. Nga ana tjetër vendosëm pensionin social, ulëm moshën e daljes në pension për minatorët dhe këtë muaj rritëm edhe pensionet e 6600 veteranëve të luftës, në masën 15.6%. Ndërsa për të gjithë pensionistët u bë indeksimi prej 1.4%.

Në 300 ditët e dyta të qeverisjes, shifrat që flasin për zotimin tonë në raport me të përndjekurit janë po ashtu kuptimplota. Gjatë 300 ditëve të dyta të qeverisjes janë dëmshpërblyer ish të përndjekur që jetojnë, në shumën e 27 milionë e 400 mijë dollarëve. Vetëm në këto 6 muaj janë paguar 13 milionë dollarë. Ka filluar shpërndarja e këstit të 5-të për ata që kanë bërë realisht burg dhe që janë gjallë. Ndërkohë që, në këtë vend kanë ikur nga kjo jetë plot sivëllezër të tyre pa marrë as këstin e parë kur qeverisnin ata që e quajnë veten partia që përfaqëson interesat e kësaj shtrese. Po ashtu nuk janë lënë pa u dëmshpërblyer, përkundrazi, janë dëmshpërblyer edhe trashëgimtarë të të përndjekurve, siç e parashikon ligji dhe vetëm këto 6 muaj janë mbi 1500 përfitues.

Nuk po zgjatem me ligjin e dosjeve. E dini historinë. Por unë besoj që është një tjetër arsye për të thënë që nga pikëpamja morale, kjo qeveri në raport me të shkuarën ka bërë më shumë se çdo qeveri tjetër, e djathtë ose e majtë. Po ashtu, në vetëm këtë periudhë u mendua dhe u veprua konkretisht nga një qeveri shqiptare për emigrantët. Janë nënshkruar marrëveshje për mbrojtjen shoqërore të emigrantëve me Maqedoninë, Luksemburgun, Rumaninë dhe Hungarinë dhe janë në proces miratimi, projektvendimet për marrëveshjet dypalëshe me Gjermaninë dhe me Çekinë. Këto marrëveshje, përfshirë edhe marrëveshjen e mbrojtjes shoqërore me Kanadanë, parashikohet të përfundojnë në vjeshtën e këtij viti. Në kuadër të këtij procesi ka filluar komunikimi edhe me qeverinë e Italisë, Spanjës, Kroacisë, Danimarkës, Francës dhe Bullgarisë dhe do të fillojnë negociatat për mbrojtjen shoqërore, pra, për të siguruar që të njihen pensionet e emigrantëve.

Ndërkohë kemi filluar punën për të realizuar një zotim madhor të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, që është në programin e të dyja partive të Aleancës, për të siguruar votën e emigrantëve. Nuk jam në gjendje sot t’ju them që “po, në 2017-ën emigrantët do të votojnë”, por jam në gjendje t’ju them që ne do bëjmë çmos që 2017-a të sigurojë votën për emigrantët. Të jemi shumë të qartë në këtë pikë, që mos dali nesër, titulli: “Do votojnë emigrantët në 2017-ën”. Do punojmë që emigrantët të votojnë në 2017-ën dhe është një objektiv që do ta ndjekim me shumë këmbëngulje. Realizueshmëria e tij varet nga shumë teknikalitete, me të cilat do të merren sigurisht, ekspertët.

  • Arsimi

Kemi pasur një qeverisje që padyshim mund të diskutohet si çdo qeverisje për shumë gjëra, por nuk besoj se mund të diskutohet që ka qenë periudha më e mirë e qeverisjes së arsimit, që ka qenë periudha më domethënëse për reformat në arsim. Kjo i dedikohet në radhë të parë ministres sonë të Arsimit. E cila, në fillim u pa me skepticizëm, por që provoi se një drejtoreshë e shkollës së mesme mund ta drejtonte arsimin më mirë se gjithë profesorët, që e kanë drejtuar në të shkuarën. Sot jemi në kushtet kur kemi hyrë në një fazë të re brenda sistemit arsimor. Jemi në kushtet kur kemi përcaktuar disa mekanizma për të luftuar korrupsionin në arsim, – që ka qenë një tmerr dhe që vazhdon të jetë një kundërshtar i betuar i cilësisë në arsim, – në radhë të parë, duke kaluar në një fazë të re dhe në një mekanizëm krejt të ri për emërimin e mësuesve, përmes Portalit të Mësuesve për Shqipërinë.

Nga ana tjetër kemi çuar përpara projektin e shkollës Qendër Komunitare. Janë 180 shkolla në vend që funksionojnë si të tilla dhe këtë shtator fillon realizimi konkret, në 60 gjimnaze të vendit, i mësimit dixhital, përmes 120 klasave inteligjente. Ky është një projekt që ne synojmë ta shtrijmë pjesë-pjesë në të gjithë Shqipërinë, por fillimisht do të bëhet vetëm në këto 60 gjimnaze, këtë shtator.

Flasim për tekstet. Ishim bërë “Republika” – më e turpshme – e “Bananeve”, në raport me tekstet. 1130 tekste. Një lemeri jo thjesht në numër, por edhe në përmbajtje. Vitin e parë pastruam 120 tekste problematike dhe këtë vit shkollor çliruam nxënësit nga 470 tekste të tjera, përmes votimit të fshehtë të të gjithë mësuesve në Republikën e Shqipërisë.

Nga ana tjetër reformuam Altertekstin, kemi kufizuar alternativat. Këtë vit shkollor, jo vetëm që nxënësit do të kenë tekstet më të mira që disponohen, por më e rëndësishmja është që në klasat e para dhe në klasat e gjashta, të gjitha lëndët e shkencave do të kenë tekstet e tre shtëpive të mëdha botuese, me famë botërore, Oksfordit, Kembrixhit dhe Pearson. Histori, Gjeografi, Gjuhë Shqipe, nuk e di çfarë tjetër mund të vazhdojmë t’i bëjmë ne shqiptarët, por te shkencat, besoj që nuk kemi pse, ndërkohë që ne mësojmë shkencë, nxënësit të jenë viktima të procesit të mësimit tonë të shkencës. I ka bërë bota më mirë dhe ne i marrim nga bota dhe i marrim aty ku është ajka. Dhe klasa I dhe VI, sepse është komplet metodologji tjetër. Vitin tjetër do të hyjë klasa II dhe VII dhe brenda tre vitesh, gjithë cikli do të jetë i plotë dhe të gjithë tekstet shkencore do të jenë ajka e shtëpive botuese të botës për arsimin.

Paralelisht do të futen edhe programet e mësimit dixhital. Nxënësve do t’u jepen në dispozicion edhe programet e ilustruara, që mund t’i shohin përmes kompjuterëve, për të pasur një pamje të plotë të asaj që shkruhet nëpër libra. Edhe këto janë prodhim i këtyre shtëpive botuese.

Nuk po zgjatem me arsimin e lartë. Besoj që më keni dëgjuar dhe na keni dëgjuar. Për mua është një fitore e madhe që është përmbysur një sistem qesharak, sa kolektivist dhe parazitist, aq dhe i korruptuar dhe që është hapur rruga për të pasur një sistem të ri të arsimit të lartë mbi një parim shumë të thjeshtë, jo më universitetet shtetërore që e kanë të garantuar jetesën dhe financimin, pavarësisht se çfarë bëjnë dhe jo më universitetet private, që japin diploma dhe marrin lekë. Por universitete të financuara nga shteti apo privatët, që janë institucione të larta të arsimit publik, pa qëllim fitimi. Që do të thotë që të gjitha kontributet e studentëve, qoftë në të parat, qoftë në të dytat, riinvestohen po në sistem. Mbi të gjitha, një sistem i arsimit të lartë konkurrues. Nuk mund të vazhdonte Shqipëria me ata të lopës shtet dhe ata të njerkës privat.

Kemi hyrë në procesin e akreditimit dhe të rankimit të universiteteve nga agjencia e famshme britanike e akreditimit dhe rankimit. Por jemi në proces që ata njëherë të marrin veten nga çfarë iu kanë zënë sytë këtu dhe të sistemojmë sipas dakordësisë, brenda gjithë kuadrit ligjor, situatën, për ta bërë atë të lexueshme. Ka shumë raste kur situata është e palexueshme. Nuk lexohet dot. Të paktën britanikët nuk e lexojnë dot. Ne shqiptarëve na mësuan me vite ta lexojmë si një situatë fantastike, ku arritëm të lëmë pas Britaninë e Madhe, duke pasur tetë herë më shumë universitete për një milionë banorë dhe ta shkatërrojmë fare Gjermaninë, me 15 herë më shumë universitete për një milion banorë. Këtë progresion gjeometrik në rritjen e institucioneve të arsimit të lartë, ne e bëmë duke bërë krejtësisht të palexueshëm sistemin. Ata që vijnë për ta akredituar, nuk e lexojnë dot sistemin. Kështu që, është proces, por shumë shpejt, agjencia britanike do të japë rezultatet.

  • Sporti

Ju i keni parë, se ka pasur këtu, jo vetëm paraardhësi im, por edhe të tjerë që nuk i kanë rënë një herë topit me këmbë dhe shfaqeshin me bluzat e kombëtares, për të përfituar ndonjë gjë nga ndonjë fitore e kombëtares, ose postonin statuse orgazmike për ndonjë medalje ari dhe 120 mijë euro shpërblime që duhet t’ua jepnin sportistëve, me të cilët krenoheshin, i lanë borxhe. I kemi shlyer një më një. Gjithë kampionët kanë marrë paratë që i detyrohej qeveria, e cila iu thithte vetëm djersën e fitores dhe më pas, as nuk donte t’ia dinte se ku ishin.

Plus, kemi akorduar dhe 100 mijë euro të tjera.

Ndërkohë që kjo qeveri ka investuar në infrastrukturën e sportit rreth 25 milionë euro, më shumë se të gjitha qeveritë e marra sëbashku dhe me diferencë, në të gjitha vitet mbas `91-it. Përfshirë edhe dy stadiumet e reja, stadiumin e Elbasanit dhe stadiumin e Shkodrës, ku vazhdon puna.

Ne besojmë shumë që ka ende shumë për të bërë edhe për sportin dhe sidomos për sportin në shkollë dhe për këtë do të bashkëpunojmë shumë fort me pushtetin e ri vendor. Kjo është e lidhur drejtpërdrejt dhe me shëndetësinë. Është aksiomë e njohur që një euro e investuar në sport janë tre euro të kursyera në shëndetësi. Besoj që ne nuk do t’ia shikojmë të mirën, po në të ardhmen, këto 25 milionë euro të investuara në sport do të jenë 75 milionë euro të kursyera në shëndetësi.

  • Shëndetësia

Sot, qytetarët sot paguajnë 30% më pak për barnat dhe i kemi kursyer 70 milionë dollarë xhepave të qytetarëve, duke shtuar 85 barna të rimbursueshme, nga të cilat përfitojnë 150 mijë qytetarë dhe më shumë. Sot, çdo shqiptar i grupmoshës 40-65 vjeç përfiton edhe kontrollin mjekësor falas.

Pa hyrë në të gjitha gjërat që janë bërë, duke qenë i vetëdijshëm që në shëndetësi ka ende shumë për të bërë, pa diskutim, unë do t’ju ftoja që të monitoroni faktin që sot ka 22 qendra shëndetësore që ofrojnë shërbim 24 orë në 7 ditë të javës, me mjekë dhe infermierë, për sezonin turistik; Sot ka raste urgjente të spitaleve rajonale që zgjidhen me konsulta përmes telemjekësisë dhe që bëjnë që pacientët e 11 spitaleve rajonale dhe 5 spitaleve universitare të vendit të mos ngarkohen me gjithë familje dhe me kushërinj, për të ardhur dhe për t’u dyndur në Tiranë, duke shpenzuar kohë, duke shpenzuar para dhe energji të pafundme, por ta marrin drejtpërdrejt konsultën që do të merrnin në Tiranë, përmes telemjekësisë. Do të isha shumë i lumtur nëse ju do ta monitoroni këtë gjë me kamerat tuaja, në të gjitha spitalet, përfshi edhe spitalet bashkiake të Sarandës dhe të Tropojës, për të gjithë rastet e urgjencës.

Ndërkohë të gjithë kujtoheshin për gjirin e gruas, kur bëhej dita e gjirit. Të gjithë flisnin sa i rëndësishëm është gjiri i gruas e ç’nuk bëhej për gjirin e gruas, por askush nuk bënte asgjë. Nuk është se ne kemi bërë çudira, por vazhdon ofrimi i ekzaminimit të gjirit pa pagesë, për të gjitha gratë. Janë rreth 30 gra në ditë që depistohen, sepse, siç na e kanë mësuar të gjithë ata që zinin tribunat e gjirit, kur ishte dita e gjirit, parandalimi është çelësi i artë i trajtimit të kësaj të keqeje të madhe. 

Dua të theksoj që qeveria vendosi dje dhe kjo është shumë e rëndësishme, që të ofrojë një shpërblim shtesë prej 100 mijë lekësh në muaj për çdo mjek që vendos të ushtrojë profesionin e tij larg vendbanimit, sepse kemi një problem të madh, të mungesës së mjekëve në shumë zona, madje edhe në spitale rajonale ku ka mungesë specialistësh. Për të gjithë ata që do të jenë të gatshëm të marrin përsipër detyrën larg vendbanimit të tyre, çdo muaj nga 100 mijë lekë shtesë, jo të vjetra, të kuptohemi.

  • Modernizimi i shërbimeve

Nuk po zgjatem, por thjesht po ju jap një shifër, që pagesa nëpërmjet celularit për të shkurtuar kohën dhe lehtësuar procedurat për qytetarët, kur flasim për shërbime publike, ka arritur në 60 mijë transaksione në muaj.  

Ne po vazhdojmë intensivisht, për të krijuar marrëdhënien e plotë mes qytetarëve dhe shtetit në shërbime, përmes portalit unik të shërbimeve. Sot kemi 98 shërbime me procedurë të plotë, ndër të cilat faturat e energjisë, kundra-vajtjet rrugore dhe 59 shërbime me aplikim online, jo të plota. Ajo që ne synojmë është të shkojmë në atë që quhet niveli katër, që i gjithë shërbimi të përfundojë online, jo thjesht aplikimi të bëhet online. Duke përfshirë edhe nënshkrimin elektronik të dokumenteve ne kemi rritur me afro 300% numrin e certifikatave që gjenerohen nga nënshkrimi elektronik.

Dje kemi vendosur edhe krijimin e konsullatave dixhitale. Konsullatat dixhitale do të zgjidhin një problem të madh për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Shërbimet më problematike, që krijojnë kosto të mëdha, spostime të mëdha për të shkuar në të vetmen konsullatë që është në një rreze qindra e qindra kilometrash, do të kryhen online. Projekti është miratuar dhe vitin e ardhshëm, të gjithë emigrantët në vendet që e njohin prodhimin e dokumenteve në truallin e tyre, – se jo të gjithë e njohin, ndërkohë ne po punojmë dhe me vende të tjera, – ta gëzojnë këtë, duke u futur thjesht në konsullatën dixhitale, ku do të mund të marrin shërbim të plotë.

Duke u kthyer përsëri lidhur me përgjegjësitë, kemi nxjerrë nga kthetrat e rrënimit përfundimtar dhe nga futja në listën e zezë të trashëgimisë botërore, Gjirokastrën dhe Beratin. Po ashtu kemi sot, një kalendar të unifikuar kulturor të Shqipërisë dhe të Kosovës. Nuk po numëroj çfarë kemi bërë lidhur me restaurimet e qendrave historike, por po theksoj që ashtu si për sportin, edhe për kulturën, ne do të jemi qeveria që do të shënojë investime më shumë sesa të gjitha qeveritë e marra sëbashku. Do të investojmë për rilindjen e plotë të Teatrit të Operës dhe Baletit; do të investojmë për rilindjen e plotë të teatrit “Migjeni”; për rilindjen e plotë të tetarit “Çajupi” të Korçës dhe për skenën e re të Teatrit Kombëtar. Tre të parat janë në proces, e fundit, projekti është drejt përfundimit. Ndërkohë, pas shumë vitesh mosfunksionimi hapëm dhe Muzeun Arkeologjik në Durrës, do të hapim së shpejti muzeun “Marubi” në Shkodër, do të hapim së shpejti muzeun e ri të Artit Mesjetar në Korçë dhe do të vazhdojmë mbrojtjen me fanatizëm të monumenteve të kulturës. Këtu nuk po numëroj të gjitha ndërhyrjet e vogla që kemi bërë.

Nuk besoj se ia vlen t’ju mbaj më gjatë lidhur me sektorin e energjisë, por dua vetëm t’ju them që kemi arritur nivelin rekord pozitiv të humbjeve, i jemi afruar 30%-shit, jemi 30 pikë e disa. Jemi në kushtet kur realisht i përulemi me respektin më të madh qytetarëve të këtij vendi, të gjithë atyre që e mbështetën këtë reformë, që vazhdojnë ta mbështesin këtë reformë dhe që janë kthyer në kontributorët e këtij suksesi të madh, që është suksesi i Shqipërisë.

Sigurisht, tani radhën e ka shteti që të garantojë një shërbim cilësor, që është ende larg së qeni i tillë. Do të vazhdojmë me investime në drejtim të shërbimit cilësor me energji. Ndërkohë janë një sërë projektesh të mëdha ku po investohet. Nuk po i numëroj të gjitha, por po them vetëm që linja e interkonjeksionit të Shqipërisë me Kosovën, që u bllokua për turpin e atyre që e bllokuan, në prillin e 2016-ës do të jetë e përfunduar. Ndërkohë që, do të fillojë edhe lidhja e interkonjeksionit të Shqipërisë me Maqedoninë, falë një mbështetje financiare që kemi marrë nga Procesi i Berlinit.

Padyshim, do të mbyllim edhe unazën e famshme të jugut, në mënyrë që të flasim realisht për turizëm dhe për zhvillim turistik në të gjitha perlat e jugut të Shqipërisë; do të vazhdojmë me ndërtimin e nënstacioneve të reja në Tiranë; do të çlirojmë atë gërdallën atje, që ka bërë të pamundur unazën e vogël të Tiranës, e cila pastaj bën të pamundur pedonalitetin e sheshit “Skënderbe”, që pastaj bën të pamundur që të jemi si të gjitha kryeqytetet normale, që të kemi shesh. Se jemi bërë kryeqytet me kartodrom në vend të sheshit. Ndërkohë do të ndërtojmë edhe një nënstacion tjetër, kështu që gjithë siguria energjetike e kryeqytetit do të kalojë në një stad të ri. Nuk po zgjatem me politikat e reja të energjisë, por po theksoj që jo thjesht tek shpërndarja, po për të gjithë sektorin në këtë periudhë, falë lidershipit të ministrit të Energjisë janë bërë reforma realisht historike, të cilat çelin një epokë tërësisht të re për sektorin.

Edhe në sektorin hidrokarbur, nuk po flas për rritjen e prodhimit të naftës e të tjerë, por po them vetëm që Alpetroli, për herë të parë në historinë e tij demokratike, ka filluar të kontribuojë për buxhetin me të ardhura, sepse ishte një gropë e zezë nga ku s’dilte asnjëherë, asgjë, për shtetin. Nga ana tjetër jemi në prag të negociatave për çeljen e një sërë investimeve të reja, të mëdha strategjike, në fushën e kërkimit të naftës. Ju e keni bërë publike, janë ofruar kompani nga më të mëdhatë. Ndërkohë, historia e grabitjes së naftës dhe e kontratave me kompani fantazma, siç ka ndodhur në të shkuarën, ka marrë fund.

Në sektorin minerar, megjithëse kemi revokuar 200 leje minerare për mosrespektim detyrimesh ligjore, ndërkohë që vetëm 9 revokime ishin bërë në 2013-ën; megjithëse kemi më pak aksidente në zonat ku ushtrohet aktiviteti; megjithëse kemi rehabilituar 119 galeri të braktisura dhe kemi mbyllur dhe vazhdojmë të mbyllim galeri, jemi ende në kushtet kur duhet të marrim një masë drastike, që do të merret në muajin shtator, për të ndaluar çdo lloj eksplorimi në zonën e rrezikshme dhe për t’i dhënë fund vdekjeve që vijnë si rezultat i shfrytëzimit barbar të pasurive tona nëntokësore. Ndërkohë që, kemi filluar kthesën, duke mos qenë vetëm një vend që nxjerr lëndë të parë dhe e çon jashtë shtetit, por për të pasur një industri përpunuese. Janë një sërë uzinash dhe impiantesh, që janë vënë në punë, apo që do të vihen në punë.

E fundit po jo për nga rëndësia,

  • Krimi dhe siguria

Mjafton një shifër, 50% vrasje më pak në gjashtëmujorin e parë të 2015-ës sesa çdo vit, qysh nga viti 1992. Besoj është një shifër shumë domethënëse. Ndërkohë që, në këto 300 ditët e dyta, krahasuar me 300 të parat, 53% më pak vjedhje me armë, 16% më pak vjedhje me dhunë, 33% më pak shkatërrim prone me eksploziv dhe Shqipëria, jo më vend origjine për kultivimin e drogës. Shqipëria ishte vend origjine, siç ishte në listën e vendeve në vëzhgim, lista më e zezë në trafikim e qenieve njerëzore. Sigurisht, në të dyja këto ka ende shumë punë për të bërë, por këto janë ato që janë arritur brenda një periudhe shumë të shkurtër, krahasuar me volumin e madh të problemeve, të trashëguara për shumë vite.

Faleminderit për durimin!

 

-Përshëndetje zoti Kryeministër! Do të doja të dija, nëse në 300 ditëshin e tretë të mandatit tuaj qeverisës, do të ndërmerrni një rifreskim të kabinetit, një proces që ndodh në të gjitha qeveritë europiane.

Ndërkohë pyetja e dytë. Ditëve të fundit ne kemi raportuar se dega e tatimeve në Vlorë ka vendosur rreth 100 milionë lekë gjoba për evazion fiskal, por po të shohim situatën në jug të vendit, vijon ende mosdhënia e kuponit tatimor e kështu me radhë. A ka një plan qeveria për t’u përballur me evazionin fiskal?

Faleminderit! Rifreskimin do ta bëjë gjatë pushimeve të gushtit. Çdonjëri nga anëtarët e qeverisë do të shkojë për t’u rifreskuar me pushime dhe do të kthehet në punë dhe qeveria do të vazhdojë kështu siç është. Nuk kemi në plan të bëjmë ndryshime qeverie, se nuk shohim arsyet për t’i bërë.

Ndërkohë, në shtator, ne do të fillojmë një tjetër operacion të madh, i cili për nga natyra dhe agresiviteti do të jetë i ngjashëm me atë të energjisë, do të jetë i ngjashëm me atë të territorit, do të jetë i ngjashëm me atë të mbylljes së universiteteve. Ky do të jetë operacioni kundër informalitetit. Do të jetë një operacion kompleks. Parlamenti do të trajtojë në fillim të sesionit të ardhshëm, paketën e masave rënduese penale kundër evazionit fiskal, kundër kontrabandës, kundër skllavërisë të punës në të zezë. Pra, kundër të gjithë atyre shfaqjeve që kanë bërë që Shqipëria, sot të jetë një vend ku edhe në këtë aspekt ka një pjesë sipërmarrësish, të mëdhenj ose të vegjël, që paguajnë rregullisht detyrimet dhe mbi të cilët rëndon edhe padrejtësisht, një presion i madh, pasi administrata kërkon të realizojë të ardhura dhe pasi, sigurisht, gjithkund ka vend për përmirësime dhe në çdo biznes dhe të një pjese tjetër që nuk duan t’ia dinë fare që nuk kanë kasa, që nuk regjistra, që nuk kanë figurojnë fare, asgjëkund. Operacioni do të jetë një operacion ku do të përfshihen Doganat, Tatimet, Inspektorati i Punës dhe padyshim, Policia e Shtetit. Operacioni nuk do të tolerojë askënd. Masat do të jenë shumë të rënda. Mosmbajtja e kasës fiskale do të ndëshkohet shumë rëndë. Kapja e aktivitetit evaziv fiskal do të trajtohet si një vepër penale dhe do të hyjnë të gjitha, në paketën e krimeve penale. Një pjesë e madhe janë, por masat do të shtrëngohen në mënyrë të ndjeshme.

Lufta kundër informalitetit do të jetë kryefjala e gjithë 300 ditëshit tjetër, meqë po e ndajmë me 300 ditësh. Do të jetë kryefjala, sepse ne duam të ulim taksat. Për të ulur taksat, në radhë të parë duhet të sigurojmë që baza e tatimpaguesve të zgjerohet në mënyrë të ndjeshme dhe të gjithë të paguajnë atë që ju takon. Pastaj të ulim taksat për të gjithë. Ky është synimi. Jam i bindur që do t’ia dalim.

Pjesë e sesionit tjetër do të jetë paralelisht edhe reforma e madhe kombëtare e ujit, sepse tani jemi në kushtet kur kemi domosdoshmërinë që të vendosim një marrëdhënie tërësisht të re me 61 bashkitë e reja të vendit dhe një sistem të ri administrimi të ujësjellësve. Informaliteti do të luftohet dhëmb për dhëmb.

 

-Pyetja ime ka të bëjë me dekriminalizimin, një çështje mjaft të rëndësishme dhe jo pak të debatuar. Në fakt është artikuluar edhe nga ndërkombëtarët, jo vetëm emra në politikë, por edhe ju kanë nxitur Shtetet e Bashkuar të Amerikës që të bëni një spastrim të politikës. A do të kemi në shtator, një higjienë të partive politike, konkretisht, të partisë suaj?

Së pari, nuk shoh probleme higjienike në Partinë Socialiste, të asnjë natyre, në fakt. Së dyti, më lejoi t’ju them që ne bëjmë se kjo është detyra jonë, të tjerët flasin se ajo punë ju ka mbetur. Ne, çështjen e rekordeve kriminale në politikë, por edhe në administratë, se ne do ta shtrijmë edhe në administratë, do ta trajtojmë ligjërisht. Kemi punuar për atë që jemi zotuar dhe me sesionin e ri, diskutimi është a do të jetë pjesë integrale e reformës në drejtësi, apo do të jetë një ligj më vete, por kjo është një çështje teknike. Ne do të kalojmë ligjin, për të penguar të gjithë ata që kanë pasur rekorde kriminale të gjykuara, jo rekorde kriminale të presupozuara, të kenë aktivitet politik, apo të përfshihen në administratën publike, sipas periudhave, llojeve të krimeve etj.. Nuk jemi aspak të gatshëm, unë nuk kam qenë asnjëherë i gatshëm dhe nuk jam, të bëjmë gjueti shtrigash, – gjuetinë e shtrigave ju e dini kush e bën, klubi i gjuetarëve të mbetur nga regjimi i Enver Hoxhës dhe të ricikluar në Partinë Demokratike, – as të bëjmë shpikje shqiptare.

Fatmirësisht ka modele. Ne kemi marrë si pikë referimi modelin e Italisë. Është një model që ka shumë pika të arsyeshme për të vepruar dhe mbi atë model, ne do të veprojmë. Ne do ta forcojmë modelin italian, që nuk shtrihet plotësisht tek parlamentarët, do ta shtrijmë plotësisht tek parlamentarët. S’kemi çfarë zgjasim më në këtë histori. Kush jeton në Shqipëri e di shumë mirë që këtë histori nuk e ka sjellë viti 2013, por e ka sjellë përshkallëzimi i një procesi politik, që për shumë arsye ka përfshirë njerëz që kanë pasur probleme në të shkuarën dhe ky përshkallëzim ka ardhur në vite. Ajo që ka rëndësi është që ne ta adresojmë ligjërisht. Të mos bëjmë gjëra sa të rëndomta për nga pikëpamja kushtetuese, aq edhe qesharake për nga pikëpamja politike. Sepse, ajo që bën në vazhdimësi Partia Demokratike është e rëndomtë nga pikëpamja kushtetuese dhe është qesharake nga pikëpamja politike, në këtë aspekt.

 

-Në vijim të kësaj që sapo sqaruat, ambasada amerikane foli troç, duke thënë që është turp politikën shqiptare që të ketë deputet të inkriminuar në trafiqe. Ju nuk jeni shprehur verbalisht, por sapo thatë mënyrë institucionale se çfarë do të bëni. Besoj emrin e keni të deputetit, keni një koment?

Çfarë komenti prisni nga unë? Në kushtet e sotme ligjore dhe kushtetuese, nuk ka në Parlamentin e Shqipërisë, njerëz të cilët kanë probleme me ligjin. Nuk flas për ata që kanë probleme rishtazi me ligjin, flas për ata që janë bërë deputetë; nuk janë futur në parlament, njerëz që kanë pasur probleme të hapura me ligjin. Unë kam qenë i pari, besoj, që kam kërkuar për çdo deputet të ri, dëshminë penale. Dëshmia penale është i vetmi dokument zyrtar i Republikës së Shqipërisë, që përcakton pastërtinë apo papastërtinë e një personi dhe nuk ka asnjë person që të ketë pasur një dëshmi penale të papastër. Gjykime të ndodhura shumë larg në të shkuarën apo dhe afër, po përtej të kufirit të dëshmisë penale, nuk adresohen me gjueti shtrigash, adresohen me ligj, në qoftë se duam t’i adresojmë. Dhe ne do t’i adresojmë me ligj. Kjo është të përballesh me një fenomen që padyshim është i padëshirueshëm. Kurse këto luftërat që i ngjajnë shumë formave inkuzicionale, për mua janë të papranueshme. Janë komplet të papranueshme. Këtu politika merret me fenomene dhe adreson fenomene. Për këtë janë politikat. Politika nuk merr përsipër të përvëlojë njerëz, por merr përsipër adresojë fenomene. Duke adresuar siç duhet fenomenin, të gjithë ata që përfshihen në atë kuadër kanë kufizimin e tyre. Faktikisht, personat, të cilët janë dënuar dhe të cilët kanë kryer dënimin në kushtet e Kushtetutës dhe të ligjit në Shqipëri dhe në dijeninë time, në të gjitha vendet e Europës, – edhe Italia akoma nuk e ka futur në funksion këtë ligj, edhe aty ka një debat të madh dhe pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë, – janë persona, të cilët kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen. Apo jo? 

Fenomeni kërkon administrim për kushtet tona. Ne e kemi thënë që në krye të herës dhe sikur PD të kishte pasur vizion, – por nuk kanë ku ta gjejnë se vizioni nuk është sëmundje ngjitëse, – dhe vullnet, ne mund ta kishim bërë me kohë ligjin. Pritëm propozimet e tyre dhe na erdhën ca paçavure ku thuhej se kush donte të kandidonte duhet të shkonte të “linte” gishtat tek KQZ dhe këta do të bënin kontrollin e gishtave, sikur KQZ të ishte nuk e di çfarë agjencie. Ne nuk mund të shkonim pas atyre paçavureve dhe tani do ta çojmë, ne, draftin dhe do ta miratojmë ne, me ata ose pa ata. Do t’i japim fund këtij debati dhe do të shmangim këtë fenomen nga e ardhmja. Në zgjedhjet e ardhshme ky fenomen do të jetë i përballur, por ndërkohë qëllimi ynë është që ta shtrijmë edhe në administratën publike. Ju e keni dëgjuar që dalin dhe thonë ky ka qenë i dënuar, ky s’ka qenë i dënuar. Dëshmia penale thotë jo, por për funksione të caktuara në administratë duhet të shkojmë përtej dëshmisë penale dhe të mos lejojmë që njerëz që mund të jenë dënuar për korrupsion të kthehen prapë në administratë të bëjnë shefin, drejtorin e me radhë. Kjo është qasja.

Përsa i përket zgjedhjeve vendore, unë jua përsëris, ne nuk kemi kandiduar asnjë njeri me rekorde kriminale. Jua them prapë, se për mua rekordet kriminale janë ato të cilat janë të gjykuara qoftë edhe në shkallën e parë. Pastaj, dyshime, ndalime, përpunime, hetime, këto janë pjesë e proceseve që nuk kanë vlerë nga pikëpamja e gjykimit. Kur të më tregoni një person të gjykuar, qoftë edhe në shkallë e parë nga ata që u kandiduan apo fituan për bashkitë, atëherë unë do të bëj një falje të madhe publike. Nuk ka. Krahasimi që bëhet, ne i hoqëm, ata s’i hoqën, nuk shkon, sepse hoqën njerëz që kishin çekiçin e gjykatësit jashtë atdheut dhe njerëz që ndaloheshin të qarkullonin në Bashkimin Europian.

 

-Zoti Kryeministër dua t’ju pyes në lidhje me një objektiv që ju e përmendet edhe në konferencën e Universitetit Harvardit, lidhur me uljen e taksave, të cilin ju thoni se keni ndërmend ta realizoni pas aksionit që mund të jetë si ai i energjisë. A keni ju një plan për përshkallëzimin e TVSH-së?

Jo nuk kemi.

 

-Ku konsiston ulja e taksave dhe a mendoni se mund të shpërblehen qytetarët, edhe me uljen e TVSH-së për energjinë?

Vazhdoj t’i qëndroj të njëjtit zotim. Po, TVSH-ja e energjisë për familjarët është një zotim dhe është një zotim që ne do ta mbajmë, por do ta mbajmë në momentin kur sistemi të jetë plotësisht i stabilizuar dhe jemi në këtë rrugë. Ata që kërkonin që ne të bënim TVSH-në 6% për familjarët, siç jemi zotuar, ditën e parë, kujt t’ia bënim TVSH-ë 6%?! 320 mijë konsumatorëve që nuk ishin fare të regjistruar?! Apo të tjerëve që sigurisht paguanin, por që pastaj t’i linim të gjithë pa drita, të kolapsonim gjithë Shqipërinë! Dhe e dyta, tek turizmi do të bëjmë një ulje drastike të TVSH-së. Por, nuk kemi plan për përshkallëzime TVSH-je si mekanizëm, ndaj përgjigja ime ishte jo.

Përsa i përket uljes së taksave, së pari, ne besojmë se taksat nuk janë të larta. Kjo është bindja jonë.

Së dyti, ne besojmë që ka hapësirë për të ulur taksat, me kushtin që të zgjerojmë ndjeshëm bazën. Për këtë arsye, mesazhi im për të gjithë ata që vazhdojnë të bëjnë biznes pa paguar taksa është:

Pushime të mbara dhe përgatituni për në shtator. Në shtator duhet ta dini se nuk mund më të merrni shërbime nga shteti me paratë e atyre të tjerëve që paguajnë.

Masat do të jenë drastike. Kush, për shembull, do të gjendet pa kasë fiskale, do t’i bëhet sekuestrimi total i mallit, herën e parë dhe herën e dytë do të shkojë edhe si mall fizik, personal, në gjykatë, për ndjekje penale. Nuk ka rrugë tjetër.

 

-Zoti Kryeministër, a keni planifikuar ndonjë vizitë në Greqi brenda vitit dhe anasjelltas, vizitë të mundshme të Kryeministrit grek në Shqipëri brenda vitit, meqenëse është folur. Çfarë do të ndodhë me Marrëveshjen e Detit dhe a ka një humbje shteti shqiptar për arsye se nuk mund të bëhen kërkime në det për shkak të mos arritjes së marrëveshjes për detin?

Unë e kam ftuar Kryeministrin e Greqisë dhe e mirëpresim në çdo moment kur ai do ta ketë të përshtatshme. Nuk kam në plan të vizitoj Greqinë, këtë vit. Nga ana tjetër, sigurisht që është një humbje që nuk bëjmë dot kërkime në atë zonë, sepse është një zonë e kontestuar, që në këndvështrimin tonë i përket ujërave territoriale të Republikës së Shqipërisë, por nuk besoj se ne mund ta dorëzojmë atë pjesë të territorit tonë, për shkak se duhen bërë kërkime. Kërkime do të bëhen aty, vetëm kur aty do të sqarohet se kujt i përket ai territor. Ai territor i përket Shqipërisë. Kemi rënë dakord me palën greke që në rast se nuk e gjejmë gjuhën e përbashkët me negociata, këtë do ta vendosë një palë e tretë, në arbitrazh, apo një palë e tretë për të cilën biem dakord të dy palët. 

 

-Zoti Kryeministër desha t’ju pyes lidhur me një ngërç të mundshëm, pas atij të një viti më parë, pas zgjedhjeve të përgjithshme, që ka të bëjë me Gjykatën Speciale. Si e komentoni debatin, edhe polarizues, atje dhe çfarë pasojash mund të sjellë kjo situatë? Së dyti, a mund të rrezikohet Shqipëria përsa i përket sigurisë lidhur me zërat kërcënues të përfaqësuesve të ISIS, ndërkohë që disa qendra politike në Ballkan akuzojnë shqiptarë si elementë të tillë?

Besoj që pyetja e dytë nuk ka nevojë për koment, pasi kur janë bërë edhe norvegjezët, danezët dhe anglezët, luftëtarë të kauzës barbare, shqiptarët nuk mund të mos prekeshin. Por kush thotë që shqiptarët janë problem, ka një problem me veten dhe me shqiptarët.

Përsa i përket pjesës së parë, ai është vullnet i Kuvendit të Kosovës dhe unë jam i bindur që Kuvendi i Kosovës do të marrë vendimin më të mirë.

 

-Kur ka nisur puna për reformën në drejtësi, deri ku është e gatshme mazhoranca të ndërhyjë për ristrukturimin, madje edhe për ndryshime kushtetuese sa i përket institucioneve të tilla si KLD apo Prokuroria e përgjithshme?

Reforma në Drejtësi është ndërtuar mbi një parim; Do ta bëjnë ekspertët, do ta votojë Kuvendi. Nuk do ta bëjë politika dhe nuk do të jetë një reformë negociatash politike. Do ta bëjnë ekspertët. Ekspertët kanë punuar, është bërë një analizë, është bërë një strategji dhe ne do t’i japim të gjithë vullnetin politik, me vote, paketës së drafteve që do të vijnë nga ekspertët.

 

-Pak më parë u ndalët gjatë tek ekonomia, bëtë një panoramë me tone pozitive të situatës ekonomike në vend, po si është e mundur që ka edhe deputetë socialistë si zoti Blushi që nuk e shikojnë me këtë sy, situatën ekonomike në vend? Sipas tij, është rritur varfëria në vend dhe projektin e Rilindjes në vend, tashmë e ka quajtur të vdekur.

Së dyti, si janë marrëdhëniet e PS-së dhe tuajat me LSI-në dhe zotin Meta, pasi kohët e fundit janë shtuar zërat për një klimë më të ftohtë me dashurinë e fillimit të aleancës. 

Besoj që për shkak të detyrës, termometrin e mbani ju. Unë nuk kam termometër për marrëdhëniet.

Sikur të kishte një Parti Socialiste ku të gjithë do t’i shikonin të gjitha njësoj, ajo nuk do të ishte më Partia Socialiste. Ajo do të quhej Partia Demokratike e Shqipërisë.

 

-Zoti Kryeministër, ju folët për një rritje të kënaqshme ekonomike, por, megjithatë, pak javë më parë, edhe FMN, por dhe ministri juaj i Financave tha se rritja ekonomike e parashikuar për 2015-n do të rishikohet me ulje. Sa i përket eksporteve apo importeve në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, që të dyja janë me ulje. Si e shikoni këtë fakt, ka vend për kaq optimizëm?

Unë fola për eksportet në bujqësi dhe për eksportet në manifakturë, ku janë dy sektorë që ne kemi investuar shumë kapital politik dhe kapital financiar. Jo vetëm që nuk janë në ulje, por kanë rritje deri në dyfishim në disa qarqe të vendit, eksportet në bujqësi, për shembull.

Përsa i përket rritjes ekonomike ka pasur një shqetësim normal, legjitim, që kriza greke do të impononte rishikimin e objektivave. Fakti është që tremujori i parë na ka dhënë një shifër që për ne ka qenë befasuese, 2.82%. Do të shikojmë tremujorin e dytë, që është edhe më drejtpërdrejtë i lidhur me krizën greke, por për momentin nuk ka arsye për të qenë pesimistë. Fjalën ‘e kënaqshme’, unë nuk e përdor asnjëherë. Unë përgjithësisht jam njeri i pakënaqur, me veten, me ju, me pronarët tuaj, me të gjithë.

Thashë që ekonomia është larg së qeni në rënie ose në përkeqësim. Është me sinjale domethënëse dhe inkurajuese rritjeje në rrugën e përcaktuar. Por nga kjo tek e kënaqshme ka një distancë shumë të madhe. E kënaqshme, për mua nuk do të jetë asnjëherë, por që të jemi në rritje të kënaqshme për Shqipërinë dhe për njerëzit, sigurisht ka shumë punë për të bërë dhe ka ende shumë kohë për të kaluar. Kjo do të fillojë, kur të fillojmë të marrim frytet reale të të gjithë këtyre reformave që po bëjmë, konkretisht në mandatin tjetër. Ndërkohë që në këtë mandat, synimi është të realizojmë objektivat e rritjes që kemi përcaktuar dhe që është një rritje reale, krahasuar me rënien dhe negativitetet që patëm deri në 2013-n. Ky është fakt! Rritja e konsumit, për ne, është gjëja më e domosdoshme. Përsa kohë kemi rritje të konsumit kemi arsye të forta që të besojmë që politikat janë të duhurat, rruga është e duhura. Sigurisht, këto të dyja nuk mjaftojnë për të qenë në stacion, por janë makina që na çojnë drejt stacionit.

 

-Zoti Kryeministër, ju thatë se përsa i përket të ardhurave po bëhen disa analiza dhe në fund të tyre do të merren masa e nevojshme. Pjesë e këtyre masave janë ndryshimet buxhetore?

Sigurisht, ka një gjë të parë për të përcaktuar. Nëse rënia është vetëm rezultat i ndryshimit të strukturës dhe për shkak të konjukturave, po themi naftë më vete, cigaret e dimë të gjithë se përpara se të miratohej akciza e re, u krijuan stoqe të mëdha, sepse u futën sasi të mëdha për të evituar taksimin e ri etj.. Në qoftë se këto janë masa dominante, do të thotë që rënia është e përkohshme dhe do të kemi një risistemim, përfshirë dhe gjithë metodologjinë e re që nuk merren më borxhe nga kompanitë për të realizuar planin. Në qoftë se do të ketë edhe elementë të tjerë, që nuk përjashtohen, që rrezikojnë ta bëjnë më kronik problemin, atëherë sigurisht që ne do të marrim masa të reja, patjetër.

 

-Për kuriozitetin e gjithë atyre që kanë parë këtë konferencë, ju vetë ku do i kaloni pushimet?

Unë jam i detyruar që të ndjek djalin e vogël dhe djali i vogël nuk mund të shkojë askund tjetër, përveçse afër Vunoit. Kështu që ju falenderoj shumë dhe ju uroj edhe juve të gjithëve, pushime të mbara. Përcillini edhe pronarëve tuaj, urimet e mia më të mira dhe uroni veten tuaj, që ata të kthehen me mendje më të ftohtë nga pushimet.

SHKARKO APP