RAMA:SHQIPËRIA SHEMBULL DHE ANGAZHIM
Fotoalbumi dhe fjala e mbajtur me ftesë të Presidentit Obama në Samitin e liderëve botërorë për luftën kundër ISIS dhe ekstremizmit të dhunshëm:
Unë jam udhëheqësi i një vendi myslimanësh e të krishterësh që jetojnë në vëllazëri fetare, siç e quajti Papa Francesku, dhe që ka një histori të lavdishme të shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Unë jam udhëheqës i një vendi, i Shqipërisë, i cili, pavarësisht të gjitha problemeve me të cilat përballet, ka bërë përparime të mëdha duke treguar se si mund të jetë një komb me shumë besime që bashkëjetojnë në harmoni. Momenti më mbresëlënes i periudhës sime si Kryeministër ka qenë vizita e Papës në kryeqytetin shqiptar.
Ndërsa njerëzit e të gjitha besimeve ose të asnjë besimi dolën për të pritur Papa Françeskun, unë u ndjeva krenar që jam shqiptar, krenar që jam Ballkanas gjithashtu. Sepse besoj se ai moment, që u përjetua pikërisht në Ballkan, ka një rëndësi te posaçme në kuptimin e sfidave të mëdha që hasim të gjithë bashkë.
Kërcënimi nga radikalizimi i ideologjive dhe, veçanërisht, ekstremizmi i dhunshëm xhihadist nuk do të zmbrapset lehtë.
Duhet përdorur forcë ushtarake, dhe Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithnjë në krah të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër së keqes së ekstremizmit të dhunshëm. Por në fund të fundit, për ta mposhtur ideologjinë e së keqes, na duhet të fitojmë betejën për mendjet dhe zemrat e gjeneratave të tjera, pasi është fuqia e ëndrrave të tyre që e bën ndryshimin e një realiteti të përditshëm.
Këtë e pamë në Ballkan, ku aspirata e gjeneratës së re, refuzimi i më të rinjve për të vazhduar me mënyrat tradicionale veprimi të politikës ballkanase, imponoi dhe siguroi dialogun në vend të konfliktit, mirëkuptimin në vend të luftës, të ardhmen në vend të së shkuarës.
Duhet strategji ushtarake, po edhe politike padyshim. Dhe ashtu sikurse ne në Ballkan mundëm të zgjidhnim mosmarrëveshje mes njëri-tjetrit, po ashtu mund të zgjidhen, pse jo, edhe mosmarrëveshjet në Irak dhe Siri.
Kombinimi i forcës ushtarake ndërkombëtare dhe dialogut politik mund të ketë sukses në Lindjen e Mesme, sikurse ka pasur në rajonin tonë.
Por, mbi të gjitha, u duhet bërë ftesë konkrete gjeneratave të tjera në mbarë botën, që ata të mund të shohin shpresë dhe jo gjak në horizont; të mund të shohin se ne e luftojmë ekstremizmin, ndërkohë që punojmë për të ardhmen e tyre pa i cenuar vlerat tona – njësoj sikur terroristët të mos ekzistonin.
Ne, në Shqipëri, do të nisim një reformë për të siguruar që çdo fëmijë të edukohet me një mendësi të hapur ndaj botës së besimeve të ndryshme, kulturave të ndryshme, rrugëve të ndryshme të historisë.
Po ja ku jemi, ne Kombet e Bashkuara. A nuk mundemi të biem dakord të gjithë për një Kartë Globale të shkruar mbi një platformë vlerash të kësaj natyre, e cila të bëhet pjesë e programit të shkollave në mbarë vendet tona?
Më tej, le të hartojmë programe për komunitetin, rininë, artin dhe kulturën, si për shembull Qendra Rajonale kundër Ekstremizmit të Dhunshëm që jemi duke ngritur në Tiranë, për t'iu kundërvënë ndarjeve ndëretnike, për të luftuar keqkuptimet ndërfetare dhe për të çrrënjosur stereotipet me anë të dialogut.
Ne na duhet koalicioni i ushtrive, por kemi nevojë edhe për koalicionin e ndjenjave e, po kështu, duam që komunitetet të mos përçmojnë besimet e të tjerëve për të besuar atë që ne besojmë.
Në fillim të këtij viti, pamë në Paris si njerëz nga mbarë bota u mblodhën bashkë, pavarësisht nëse solidarizoheshin ose jo me pikëpamjet e viktimave mbi botën.
Para se një sulm tjetër të na tregojë edhe njëherë të gjithëve se sa thellë ka shkuar e keqja, le të mobilizohemi për të krijuar një pengesë të pakapërcyeshme të ndjenjës njerëzore me një Kartë Globale, një thirrje që shkon drejt e në zemra, të cilat pavarësisht urrejtjes që mund të qëllojë të mbartin, në thellësinë e tyre kërkojnë një botë më të drejtë.
Le ta shoqërojmë këtë Kartë me masa që dëshmojnë angazhimin e sinqertë për ta bërë botën një vend ku besimet dhe dallimet e çdokujt respektohen; një botë më të barabartë e të qëndrueshme, që nga rrethinat e Bagës deri në ato të Parisit.
Unë shpresoj që disa prej atyre që kemi mësuar në Ballkan mund t’i vlejnë kësaj beteje madhore.
Ashtu sikurse një vit paqeje dhe dialogu nuk mund të fshijë një shekull të tërë shenjuar nga lufta dhe urrejtja në Ballkan, ashtu edhe një Kartë nuk mundet natyrisht të zhdukë verbërinë e terroristëve apo etjen për më shumë pushtet të kujtdo që përfiton nga shkatërrimi që ata sjellin.
Por le t’i bëjmë thirrje frymës globale që synon të luftojë radikalizmin, ashtu siç përpiqet t'i bëjë ballë ndryshimit të klimës, sepse asnjë shtet, asnjë ushtri nuk mund t’i mposhtë e vetme armiqtë e sotëm dhe, me siguri secili prej popujve dhe aleancat tona ushtarake të vetme, mund të munden po ashtu prej tyre.
Por nëse ne qëndrojmë së bashku, me kurajon e vendosur të shpresës, atëherë, ashtu sikurse dikush e ka dëshmuar tanimë, pavarësisht se sa e madhe është sfida, ne mund t’ia dalim (Yes we can!).
KOHA JONË SONDAZH

