Rama:Transformim rrënjësor transportit detar në vend

 

Në ambientet e Terminalit të Portit të Durrësit, u zhvillua ceremonia e përurimit të linjës së re të trageteve Durrës-Bari.

Trageti i ri, i cili operohet nga kompania italiane “Grandi Navi Veloci” (GNV), shihet si një hap cilësor në përmirësimin e transportit detar në Shqipëri dhe krijon një ure të re komunikimi mes dy vendeve tona.

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në këtë prezantim e cilësoi si një interes të ndërsjelltë ardhjen e kësaj kompanie, duke shtuar se jo vetëm shqiptarët lëvizin drejt Italisë, por janë edhe rreth 20 mijë italianë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri që tashmë kanë mundësi të lëvizin përmes rrugës detare me një shërbim cilësor.

Ja fjala e Edi Rames:

Siç e theksoi edhe zëvendësministri i Transportit, prania këtu pa gravatë dhe me këmishën jashtë nuk është aspak mungesë respekti për kompaninë dhe këtë event të rëndësishëm, por është gatishmëria për tu hedhur në det që sot, me gjithë këmishë.

Jam shumë i lumtur që jemi sot, këtu, realisht, sepse është një moment shumë i rëndësishëm transformimi. Nuk bëhet fjalë thjesht për ardhjen e një anije të re në shërbim të të gjithë pasagjerëve shqiptarë apo italianë, se mos harrojmë që nuk janë thjesht 500 mijë apo gjysmë milioni shqiptarë në Itali, që duan të vijnë në Shqipëri, por janë edhe 20 mijë italianë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri e që duan të shkojnë në Itali.

Është një interes i ndërsjellë dhe jam i bindur që një nga italianët që kanë gjetur punë në Shqipëri, që është edhe këtu me ne, Karlo Bolino, është me siguri shumë i lumtur që standardi i udhëtimit të tij në det drejt shtëpisë rritet në mënyrë eksponenciale me ardhjen e kësaj kompanie prestigjioze, jo vetëm italiane, por edhe europiane. Prandaj, për ne s’bëhet fjalë për ardhjen e një anije të re, por bëhet fjalë për hapjen e një kapitulli të ri, të shumëkërkuar me mundim në këtë periudhë të parë të qeverisjes sonë, për shkak se qysh në momentin e parë kemi qenë të vetëdijshëm se pasagjerëve, që duan të përdorin rrugën detare për të shkuar dhe për të ardhur në Europë përmes Italisë, nuk mundet dot t’ju ofrohet niveli, standardet dhe shërbimi mizerabël që është degraduar në vite dhe që iu është imponuar si e vetmja mundësi në vitet  e fundit.

Ardhja e kësaj kompani jo vetëm që sjell një standard të ri për kë udhëton me këtë kompani, por sjell një shtysë shumë të fortë për rritjen e cilësisë së shërbimit edhe nga konkurrentët ekzistues, apo të tjerët që do të duan të vijnë në këtë treg plotësisht të hapur, ku ne jemi të gatshëm të shërbejmë dhe të pajisim me të drejtën për të udhëtuar këdo që ofrohet për ta bërë këtë me standardet që meritojnë qytetarët shqiptarë dhe ata italianë, apo të gjithë të tjerët që duan të përdorin Italinë për të ardhur në Shqipëri në vitin 2015, pra, në shekullin e XXI-të.

Efekti i parë, akoma pa hyrë fizikisht anija “Rapsodi” në këtë treg, gjë që do të ndodhë në datën 31 korrik, është ulja e çmimeve nga konkurrentët. Gjë për të cilën jemi informuar me shumë kënaqësi në javët e fundit, sapo kompania ka filluar të bëjë fushatën e saj publicitare, për t’u thënë të gjithë atyre që duan të udhëtojnë përmes detit se që nga 31 korriku dhe në vijim do të jetë në dispozicion të atyre që duan të përdorin rrugën detare mes Shqipërisë dhe Italisë.

Nëse i referohemi Raportit të Progresit të vitit 2013 të Bashkimit Europian për këtë  sektor, përmes fjalëve të shkruara nga Komisioni Europian lexohet qartësisht se në çfarë prapambetje është Shqipëria dhe në çfarë katandie e trashëguan ne sektorin, pa asnjë progres, me një legjislacion absolutisht të papërputhur me legjislacionin europian, me kapacitete administrative teknike shumë të ulëta, me një shterim të burimeve njerëzore në administrimin e porteve dhe në administrimin e këtij sektori dhe kështu me radhë. Prandaj, objektivi i qartë, i vendosur nga qeveria dhe i synuar vazhdimisht nga Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës, ka qenë qysh në fillim adresimi i kësaj problematike komplekse, që ka bërë që Shqipëria, sot të përdorë me një nivel shumë të ulët administrimi dhe pa asnjë vizion, vetëm 60 % të mundësive dhe kapacitetit që ka. Edhe ky 60% është shumë bujar si shifër, në raport me realitetin, sepse në realitet, brenda këtij 60% kemi një shfrytëzim me standarde të ulëta, me nivel shumë të ulët të kuptimit të rëndësisë strategjike të këtij sektori për Shqipërinë.

Viti 2014 shënoi një pikë kthese në drejtimin e duhur për transportin detar në Shqipëri. Statistikat portuale filluan të flasin për një rritje, edhe pse modeste, por gjithsesi rritje, të përpunimit të mallrave dhe të transportit. Megjithatë, pavarësisht kësaj, ne jemi absolutisht të pakënaqur me këtë situatë dhe shpresojmë shumë që pas këtij eventi kaq të rëndësishëm do të jemi në gjendje që jo në shumë kohë dhe brenda harkut të këtij viti të lajmërojmë një tjetër histori suksesi në përpjekjet e qeverisë shqiptare, të Ministrisë të Transportit, për të sjellë në Portin e Durrësit për të administruar këtë aset të madh kombëtar, një nga kompanitë më të mëdha dhe prestigjioze të botës. Gjë që do të shënojë, nëse do t’ia dalim me sukses në këtë përpjekje, një kthesë historike për Portin e Durrësit dhe për gjithë transportin detar në tërësi.

Dua të ritheksoj edhe një herë tjetër, që ardhja e kësaj anije dhe vendosja e këtij standardit të ri të transportit detar përmes kësaj anijeje është një arsye jo për t’u ndjerë të kënaqur, a thua se kemi bërë ndonjë mrekulli, por për t’u ndjerë shumë të inkurajuar se është një provë që kërkimi me këmbëngulje i rezultateve në adresimin e objektivave çon në sukses. Për ne është sukses që kompania “Grandi navi veloci” është këtu e pranishme dhe që nga 31 korriku do të operojë në tregun shqiptar.

Unë jam i bindur që përfitimi do të jetë reciprok. Shqiptarët janë udhëtarë të paepur dhe pavarësisht nivelit jo të lartë ekonomik që shqiptarët kanë në raport me popujt e tjerë të Europës, besoj që janë populli që udhëton më shumë se gjithë të tjerët dhe që konsumon më shumë sms se të gjithë të tjerët. Këto dy të dhëna janë të mjaftueshme për të inkurajuar qoftë të gjithë kompanitë dhe operatorët në fushën e transportit dhe padyshim, operatorët në fushën e telekomunikacionit, që janë vetë inkurajuar, sepse ia kanë parë të mirën investimeve në telekomunikacion, ku edhe barinjtë në majat më të thepisura tani mezi po presin që të fusin 4G-në në celularët e tyre.

Kështu që jam i bindur se do të keni fitime nga Shqipëria, se për fitime keni ardhur, nuk keni ardhur për të bërë sevap, nuk ju ka sjell këtu Vatikani, ju ka sjell interesi ekonomik, por jam po ashtu i bindur që edhe Shqipëria dhe shqiptarët kanë një fitim të madh nga mbërritja juaj në Portin e Durrësit. Shpresoj që siç e tha dhe miku im i shtrenjtë, Massimo Gaiani, ky të jetë fillimi i një transformimi rrënjësor në mënyrën sesi e perceptojmë bashkëpunimin mes dy vendeve dhe në funksion të objektivit jo utopik, për të shfrytëzuar lidhjen mes dy vendeve si një pikë referimi që do të rrisë kapacitetet, qoftë për Portin e Barit, apo për porte të tjera të Italisë, qoftë edhe për Portin e Durrësit apo portet e tjera të Shqipërisë, ku padyshim edhe ndryshimet e vazhdueshme në rajon do të kenë impaktin e tyre dhe të gjitha rrugët do të çojnë jo më në Romë, po në Durrës. Faleminderit!

     

Numri i udhëtarëve që përdorin transportin detar për të shkuar në vendin fqinj, apo ardhur në Shqipëri është i lartë. Futja e një linje e re shton jo vetëm kapacitetet lundruese, por shihet edhe si një shtysë e fortë për rritjen e cilësisë së shërbimit të operatorëve në këtë treg dhe uljen e kostos së udhëtimit për qytetarët.   

SHKARKO APP