“Raporti i OSBE/ODIHR është ftesë për zgjedhje të parakohshme”
Analisti Afrim Krasniqi ka një tjetër këndvështrim për raportin e OSBE/ODIHR për procesin e 30 qershorit. Në studion e emisionit “Ditari” në A2 CNN, ai thekson se raporti ka një gjuhë diplomatike dhe fton partitë politike të bëjnë sa më shpejt Reformën Zgjedhore.
“Raporti më shumë ka kaluar në gjuhë diplomatike sesa në gjuhë konkrete dhe ka shmangur qëndrimin e prerë në lidhje me 30 Qershorin. Raporti është ftesë për Shqipërinë që deri në dhjetor të bëjë Reformën Zgjedhore dhe vitin e ardhshëm të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare. Është një shuplakë për klasën tonë politike që pas 30 vitesh nuk arrin të bëjë zgjedhje, që me skemën qesharake të qershorit tregoi se “Shqipëria ndryshe” ishte një gënjeshtër e madhe që iu soll qytetarëve”, deklaroi Krasniqi, përpara se të kritikonte mazhorancën dhe opozitën për leximin e raportit.
Ai kritikon kryeministrin, për të cilin thotë se priste një tjetër reagim, pasi nuk mund të quash legjitime zgjedhje pa opozitën. “Sot prisja reagim krejt tjetër. Prisja që kryeministri të pranonte përgjegjësitë e tij. Kryeministri tha që zgjedhjet ishin legjitime, por edhe ato të vitit 1945 në Shqipëri kanë qenë legjitime. Por, a ishin në përputhje me standardet e Kopenhagenit? Kryeministri duhet të mbajë përgjegjësi dhe të marrë masa ndaj individëve të përmendur në raport për presione ndaj administratës”, sqaron Krasniqi.
Për opozitën, shprehet se duhet të japë argumenta se pse u largua nga sistemi dhe të sqarojë sa e gatshme është të rikthehet si pjesë e tij. “Nga ana tjetër, opozita e lexoi raportin në mënyrë euforike, siç lexoi edhe rezultatin zgjedhor kur tha se 85% e shqiptarëve janë pro saj. Në fakt, nuk është kështu. Opozita duhet të sqarojë pse e mori vendimin drastik për t’u larguar nga sistemi; të sqarojë sa është e gatshme që të rihyjë në sistemin përfaqësues dhe sa është e gatshme që të bëjë kompromise për të mirën e Shqipërisë. Të thotë edhe kush janë individët që morën ato vendime. Nëse ata sillen njëlloj si Rama, nuk ndryshon asgjë në Shqipëri”, u shpreh Krasniqi.
Raporti perfundimtar u publikua dje dhe ne te evidentoheshin disa probleme, si: perdorimi i administrates, presionet ndaj tyre, mungesa e alternativave, shtimi fiktiv i numrit te zgjedhesve dhe mungesa e transparences nga ana e KQZ-se.
KOHA JONË SONDAZH

