Raporti i Venecias, Paloka: Sa shpejt ju bie boja nga surrati kllounëve të Ramës

Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka ka reaguar lidhur me raportin përfundimtar të Komisionit të Venecias mbi kërkesën e socialistëve të Komisionit Hetimor parlamentar për kushtetutshmërinë e vendimit të Presidentit të Republikës për shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zhvillimin e zgjedhjeve vendore në Shqipëri.

Në një reagim përmes rrjeteve sociale, vetëm pak orë pas publikimit të raportit, Paloka theksoi se socialistët me urdhër të Edi Ramës kërkuan të përdornin Komisionin e Venecias si “mashë” që Rama të mos i fuste duart në zjarrin që ka ndezur vetë.

“Sa shpejt ju bie boja nga surrati klounëve të Ramës… Kërkuan të përdornin Komisionin e Venecias si “mashë” që Rama të mos i fuste duart në zjarrin që ka ndezur vetë.

Raportin e Venecias kërkonin ta përdornin jo vetëm për të justifikuar nismën për shkarkimin antikushtetues të Presidentit, por dhe për t’i dhënë legjitimitet 30 qershorit, një procesi që tanimë është rrëzuar tërësisht nga OSBE/ODIHR-i, të vetmet organizata që kanë kompetencën për të vlerësuar proceset zgjedhore.

E siç ndodh rëndom kur në “lojë” futet dyshja në krahët e Ramës: Balla dhe Spiropalla, dihet dhe rezultati… Të dy këta duhet të ishin sot në bankën e të akuzuarve për një sërë skandalesh, aferash korruptive e lidhjesh kriminale të faktuara mëse një herë.

Por, ndërkohë, këta jo vetëm përfaqësojnë qeverinë përpara institucioneve ndërkombëtare, po vazhdojnë të flasin për parime, për drejtësi e ju shesin moral shqiptarëve nga ekranet e televizioneve.

Sigurisht që Rama di kë të zgjedhë për raste të tilla. Dy më të diskretituarit e një maxhorance të diskretituar tërësisht.

E çfarë bëjnë sot? Pasi dolën blof , madje dhe të fshikulluar nga Venecia; pasi nuk morën raportin që shpresonin ta përdornin për qëllimin e tyre, shpallën me gojën e Ballës dhe Spiropallës se “pavarësisht raportit të Komisionit të Venecias”, komisioni i Ulsiut do të vazhdojë dhe do zbatojë detyrën qe i ka caktuar “lideri” i këtyre të treve…

Shpejt drejtësia do të rikthehet në këtë vend dhe të gjithë do japin llogari për mëkatet e tyre”, shprehet në reagimin e tijn nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka.

SHKARKO APP