Raporti i Venecias, PD: Mazhoranca të reflektojë, në betejën për Kushtetuesen, mbështesim Presidentin

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka i kërkon mazhorancës të reflektojë, pas publikimit të raportit paraprak të Venecias, që sipas tij, legjitimoi veprimet e Presidentit.

“U deklarua ajo që e dinim të gjithë, që ka një tentativë të Ramës për të kapur edhe Gjykatën Kushtetuese dhe që institucioni i Presidentit, në këtë rast, ka qenë tërësisht në rolin e tij në mbrojtje të Kushtetutës dhe në funksion të kompetencave që i ka dhënë Kushtetuta. Uroj që mazhoranca, në këtë rast e detyruar, të tërhiqet në këtë shkelje të Kushtetutës dhe mundësisht, në të gjitha shkeljet e tjera kushtetuese që kanë bërë gjatë kësaj kohe. Me qëllim, ata kanë eliminuar Gjykatën Kushtetuese”, shprehet Paloka.

Në një intervistë për A2, Paloka thotë se opozita i doli në mbështetje Presidentit pasi mazhoranca po tenton të kapë çdo institucion edhe demokratët do jenë në krah të kësaj beteje.

Megjithatë, kjo nuk shmang aksionet e opozitës, deri në protesta, por më parë, demokratët presin të finalizohet reforma zgjedhore.

“Ne jemi të vendosur t’i shkojmë qëndrimit tonë deri në fund. Do të plotësojmë detyrimet tona sa i përket tryezës për reformën zgjedhore dhe më pas do të ndërmarrim iniciativat tona”, shprehet Paloka.

Përballë kërkesave të aleatëve për ndryshim të sistemit, Paloka thotë se kjo është një çështje që nuk është adresuar në tryezën opozitare.

“Ne jemi të hapur për të trajtuar çdo sistem. Megjithatë, kjo është një çështje më e madhe dhe një ditë më parë, Basha hodhi idenë që për sistemin duhet të vendosin të gjithë shqiptarët dhe jo thjesht një tryezë partish”, u shpreh Paloka.

Çështja e ndryshimit të sistemit zgjedhor vihet të hënë, në tryezën për reformën elektorale.

SHKARKO APP