Raporti për zgjedhjet, Ristani: Është vetëm dokument pune
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani komenton në faqen e tij në Facebook se raporti i diskutuar në kryesinë e partisë është krahasim rezultati me zgjedhjet e 2013-s dhe 2009-s
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani deklaroi dje se raporti i diskutuar në mbledhjen e kryesisë dy ditë më parë për zgjedhjet është thjesht një dokument pune për anëtarët e kryesisë që do të jenë pjesë e analizave në çdo degë të PD-së.
“…Kryesia e PD-së zhvilloi një mbledhje të saj ku përveç të tjerave, rendi i ditës përmbante edhe paraqitjen e një raporti mbi rezultatin zgjedhor të PD-së në zgjedhjet e fundit. Raporti merrte përsipër të jepte rezultatin e kandidatëve të PD-së në çdo njësi ku ata garuan, rezultatin e koalicionit të udhëhequr nga PD, rezultatin e vetë PD, krahasimin e këtyre rezultateve me kundërshtarin politik si dhe krahasimin me rezultatet e zgjedhjeve në vitet 2013 dhe 2009. Raporti kishte edhe një pjesë hyrëse, narrative ku me pak fjalë jepte kushtet dhe klimën ku u zhvilluan zgjedhjet dhe disa problematika kryesore të evidentuara nga strukturat e PD dhe vëzhguesit ndërkombëtar. Ky raport u paraqit si një dokument pune për anëtarët e kryesisë së PD-së të cilët do jenë pjesë e analizave që po bëhen dhe do vazhdojnë të bëhen në çdo degë të PD-së”, – komentoi Ristani në faqen e tij në Facebook.
Dy ditë më parë, anëtarët e kryesisë diskutuan raportin disa faqesh të përgatitur vetëm nga një pjesë e strukturave të partisë ku përgjithësisht thuhej se strukturat bazë, seksionet dhe grupseksionet, jo gjithnjë ishin efektivë dhe të aftë për t’iu përgjigjur detyrave për zgjedhjet.
“Një pjesë e mirë e rezultateve jo të kënaqshme (jo të pritshme) shpjegohen me mosfunksionimin e strukturës bazë të partisë, të seksioneve, e për rrjedhojë edhe të grupseksioneve”, – thuhet në një pjesë të raportit.
Një tjetër problematikë e evidentuar nga grupi i punës (ku merrnin pjesë edhe disa kryetarë degësh) lidhej me mos-aktivizimin e anëtarësisë dhe fiktivitetit të listave të deklaruara nga degët në rrethe. Megjithatë, ata që hartuan këtë raport janë përpjekur që të pasqyrojnë vetëm njërën anë të medaljes ku mungesën e angazhimit të anëtarëve të seksioneve apo edhe forumeve drejtuese ata e lidhën me presionin politik dhe pasigurinë e krijuar në fushatë.
“Seksionet vuajtën mungesën e aktivizimit të anëtarësisë dhe në disa raste dhe të drejtuesve të tyre. Shumë anëtarë të seksioneve, por edhe të forumeve drejtuese lokale, për shkak të presionit politik dhe pasigurisë nuk u angazhuan fare në fushatë, duke braktisur angazhimet e tyre politike. Gjithashtu, fenomeni i rëndë i fiktivitetit u raportua nga çdo degë, por në disa grupseksione përhapja shkonte deri në 20 për qind të numrit të përgjithshëm të tyre. Disa seksione rezultuan tërësisht inekzistente, ose vetëm me një apo dy anëtarë. Kjo situatë gjerësisht shpjegohet, mes të tjerave, si e trashëguar nga procesi zgjedhor brenda partisë në vitin 2013”, – thuhet në raportin e PD-së.
Po sipas raportit, në disa degë kohezioni i strukturës u cenua, “pasi nuk u menaxhuan, apo nuk u mbajtën në kontroll fërkimet mes individëve apo flukseve të mbartura nga gara zgjedhore brenda partisë, si dhe nga gara mes kandidatëve potencialë. Ky fenomen prodhoi konflikte që në disa raste preku dhe nivelet e larta të drejtimit të degëve. E njëjta frymë rivaliteti u reflektua në nivelin e angazhimit të ish-drejtuesve të seksioneve dhe grupseksioneve, çfarë nuk siguroi mobilizimin dhe kontributin e përvojës së trashëguar në administrimin e zgjedhjeve”.
KOHA JONË SONDAZH

