Rasti “Xhisiela”, Gjosha: Terrorizëm shtetëror. Përkrahja e politikës për krimin ka arritur limitet

Deputetja e LSI-së: Mazhoranca i ka djegur të gjitha etapat, opozita s’ka më asgjë për të diskutuar

Intervistoi: Herion Mesi

Rasti i Xhisiela Malokut dhe si është trajtuar ai nga institucionet shtetërore denoncimi i saj  prej ditësh tashmë është kthyer në një temë diskutimi në arenën politike, e përtej si një çështje jo vetëm me terma sociale.

Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha në një intervistë për “Koha Jonë”, thekson se ngjarja është me rëndësi të zbardhet deri në fund, pa influencë nga pushteti dhe pa qenë nevoja që drejtësia të intimidohet nga pushteti për shkak të emrave publikë që janë përfshirë këtu.

Për deputeten e LSI-së, mohimi i akuzave për dhunë  nga Xhisiela Maloku, nuk janë gjë tjetër veçse një shenjë e kërcënimit shtetëror ndaj saj.

“Është shumë e qartë që është ushrtuar presion ndaj nënkomisarit dhe vajzës, për sa kohë janë fshehur dokumenta dhe situata nuk është ndjekur në mënyrë të rregullt procedurialisht”- thotë Gjosha.

Deputetja e LSI-së ripohon se duke u nisur nga ngjarjet e këtyre ditëve, opozitës nuk i mbetet gjë tjetër veçse të mbajë të kushtëzuar marrëdhënien e saj me Parlamentin, pasi, siç thotë ajo, opozita i ka kaluar tashmë të gjitha etapat e propozimeve, diskutimeve, apo marrëveshjeve me mazhorancën.

Ndërkaq, ish-ministrja e Integrimit ka komentuar edhe deklaratat e Ministrit Gjerman, i cili deklaroi se në qershor 2019 nuk do të ketë hapje automatike të negociatave.

“Në vend që të fillojmë të japim rezultatet e para të drejtësisë së pavarur, të gjitha rastet e fundit kanë treguar qartë se sistemi i drejtësisë tashmë është në kolaps dhe i kapur. Lufta ndaj krimit të organizuar është në nivelet më të ulëta dhe përkrahja e politikës për krimin ka arritur limitet”- u shpreh ish-ministrja.

Ndërsa presionet e mazhorancës për ndryshim të Kodit Zgjeëdhor në mënyrë të njëanshme, për Gjoshën, janë të pa vlera.

“Sistemi nuk mund të ndryshojë vetëm me votat e mazhorancës, por do të duhet që opozita të jetë pjesë e saj. Që kjo të ndodhë, mazhoranca do duhet në fillim të kuptojë që kjo nuk zgjidhet me arrogancë dhe karshillik. Përkundrazi, kërkon maturi politike që sot nuk ekziston”- deklaron deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha në intervistën e saj për “Koha Jonë”.

Znj. Gjosha, rasti i Xhisiela Malokut tronditi mbarë opinionin publik, ngjarje kjo që shkaktoi edhe një përplasje të fortë politike, si rezultat i denoncimit të fortë të ish-oficerit të policisë, Emiliano Nuhu, ku përfshihet përveç deputetit socialist Rrahman Rrahja,  edhe Kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla, si dhe Kryetari i Bashkisë së Krujës në tentativën për fshehjen e saj. Si e komentoni ju këtë ngjarje?

Ngjarja është me rëndësi të zbardhet deri në fund, pa influencë nga pushteti dhe pa qenë nevoja që drejtësia të intimidohet për shkak të emrave publikë që janë përfshirë këtu. Është shumë qartë që është ushtruar presion ndaj nënkomisarit dhe vajzës, për sa kohë janë fshehur dokumenta dhe situata nuk është ndjekur në mënyrë të rregullt procedurialisht. Kërcënimet janë evidente kur ne kemi sot një punonjës të policisë së shtetit të larguar nga Shqipëria për të kërkuar mbrojtje dhe një vajzë të re që përveç dhunës së përjetuar, e kanë detyruar të dëshmojë disa herë në versione kundërshtuese me njëra-tjetrën, që e rëndojnë situatën e saj!

Ndërkohë, ndaj djalit të deputetit është ekzekutuar një urdhër arrestimi, një arrestim ky që vjen pas akuzave të kryeministrit ndaj oficerit Nuhu që është dhe denoncuesi i kësaj ngjarjeje. Si e shikoni këtë qasje? Dhe në gjykimin tuaj, a mbaron historia me arrestimin e djalit të deputetit?

Arrestimi i djalit është shumë i vonuar dhe i bërë me rrethana lehtësuese. Sot mbi të rëndon vetëm një akuzë, ajo e përndjekjes. Ndërkohë që, nuk do të merret fare në shqyrtim dokumenti i artë i ekspertizës mjeko-ligjore. Kjo do të thotë që në krye të pak muajve djali do të lihet i lirë, dhe kjo është e pafalshme për organet tona të drejtësisë, që po tregojnë edhe një herë që janë të kapura dhe nën urdhërat e pushtetit.

Kujtoj që djali i deputetit, Rexhep Rraja, pasi doli nga Gjykata e Krujës, e cila vendosi ta mbajë në burg, kishte një paralajmërim për kreun e PD-së, Lulzim Basha. Çfarë do të thotë kjo?

Kjo do të thotë që krimi dhe bandat sot kanë arritur majat dhe shkojnë deri aty sa kërcënojnë haptas me vjedhje të votave dhe ushtrimin e terrorit gjatë kohës së fushatës. Kjo do te duhej të ishte nje rast dhe një akuzë e shtuar për t’u marrë në shqyrtim nga drejtësia.

Por nga ana tjetër, vajza e dhunuar mohoi publikisht çdo dëshmi të saj të dhënë qoftë në polici, qoftë në prokurori. Pse ky ndryshim? A kemi të bëjmë me dëshmi të rreme nga ana e saj, apo vajza është seriozisht e kërcënuar nga pushteti?

Vajza duket qartë që është e kërcënuar, e terrorizuar dhe e detyruar të thotë në mënyrë të përpiktë atë ç’ka i ka mësuar pala e akuzuar. Kjo do të thotë që kemi të bëjmë qartë me terrorizëm shtetëror!

Duke marrë shkas nga kjo ngjarje zëra të ndryshëm nga opozita kanë nisur të kërkojnë radikalizim të qëndrimit të opozitës, me bojkot përfundimtar të Kuvendit dhe djegie mandatesh, a është koha për një qëndrim të tillë?

Besoj që opozita i ka kaluar tashmë të gjitha etapat e propozimeve, diskutimeve apo marrëveshjeve me mazhorancën. Për sa kohë jemi në pikën kur jeta e qytetarëve shqiptar është e pasigurtë dhe kur askush nga ne nuk mund të qëndrojë me në një sallë me njerëz të inkriminuar, apo në lidhje të ngushtë me krimin, opozitës nuk i mbetet gjë tjetër veçse marrëdhënia e kushtëzuar me Parlamentin.

Përtej kësaj, një tjetër ngjarje u shënua pak ditë më parë, ku ministri Gjerman që erdhi në Tiranë, tha që nuk futeshim në mënyrë automatike në Bashkimin Europian? Qershori nuk është larg dhe si pritet të jetë vendimi i Brukselit, në një kohë kur duket se dy kampet janë shumë larg një bashkëpunimi mes tyre për çështjen e integrimit?

Ministri gjerman rikonfirmoi për fat të keq atë që opozita e tha në qershor të këtij viti, pas vendimit të Këshillit për mos çeljen e negociatave. Për të arritur në stadin e negociatave, ne kemi nevojë për shumë seriozitet dhe për shumë punë. Në vend që të fillojmë të japim rezultatet e para të drejtësisë së pavarur, të gjitha rastet e fundit kanë treguar qartë se sistemi i drejtësisë tashmë është në kolaps dhe i kapur. Lufta ndaj krimit të organizuar është në nivelet më të ulëta, dhe përkrahja e politikës për krimin ka arritur limitet. Korrupsioni luftohet me preferenca individuale, pa kuptuar thelbin e problemit që është pikërisht sistemi i rrënuar që është ngritur sot. Perspektiva jonë europiane nuk mund të mbahet peng nga një numër individësh, ndaj ky moment kërkon një angazhim të madh qytetar.

Sot u shënua një tjetër precedent, ku komisioni i reformës zgjedhore dështoi në mbledhjen e tij, dhe bashkëkryetari socialist i komisionit të reformës, z. Çuçi ka thënë se mazhoranca  do prezantojë javën e ardhshme draftin e saj për këtë reformë. Çfarë do të ndodhë nëse PS tenton ta bëjë e vetme këtë reformë? Çfarë synohet me këtë proces? Dhe a jeni gati për zgjedhje të parakohshme?

Presionet e mazhorancës për këtë çështje janë tashmë të pavlera. Reforma dhe rekomandimet kanë mbi 5 vite që qëndrojnë në tryezat e komisionit zgjedhor. Sistemi nuk mund të ndryshojë vetëm me votat e mazhorancës, por do të duhet që opozita të jetë pjesë e saj. Që kjo të ndodhë, mazhoranca do duhet në fillim të kuptojë që kjo nuk zgjidhet me arrogancë dhe karshillik. Përkundrazi, kërkon maturi politike që sot nuk ekziston.

Çfarë pritet të ndodhë me kryeministrin Zaev pas dështimit të tij me referendumin. Çfarë do të thotë rezultati i tij për Maqedoninë? Dhe cili duhet të jetë roli i faktorit shqiptar në vijim?

Mendoj që Maqedonia në këto momente duhet të tregohet e kujdesshme dhe të mos humbasë shansin e perspektivës së saj euro-atlantike, sepse qytetarët që votuan në fakt e dhanë verdiktin e tyre. Roli i faktorit shqiptar ka qenë vendimtar, pasi ata kanë votuar në masë në mbështetje të kësaj marreveshjeje. Uroj që palët të gjejnë gjuhën e përbashkët për t’i hapur rrugë realizimit të saj.

SHKARKO APP