Reagimi i Ministrisë së Shendetsisë

 

 “Pas denoncimit publik që z. Arian Galdini bëri në emisionin “Opinion” të datës 28 janar 2015 të transmetuar në TV Klan, Ministria e Shëndetësisë dhe Drejtoria e QSUT-së ngritën menjëherë një grup pune për të hetuar rastin dhe për të zbardhur të vërtetën e ngjarjes.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, znj. Milva Ekonomi u takua me z. Galdini, në një përpjekje për të kërkuar bashkëpunimin e tij dhe të familjes, me qëllim vënien në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë të një kopjeje të dokumentacionit të spitalit në Turqi, ku pacienti ishte kuruar, dokumentacion, që provonte se kurimi në Shqipëri kishte qenë problematik, apo qoftë edhe i paqenë sipas tij.

Vetëm duke patur dokumentacionin e spitalit në Turqi, Ministria e Shendetësisë mund të kryente një hetim të plotë dhe shterues mbi trajtimin që pacienti kishte marrë në QSUT, mjekimet e përdorura, cilësinë e barnave, efektet e tyre dhe protokollin e ndjekur nga specialistët shqiptarë, gjë e cila vërtetohet paraprakisht edhe nga rezultatet e analizës nëpërmjet teknikës me markues tumoralë të përdorur për këtë qëllim. Kopja e dokumentacionit turk ishte mëse e nevojshme për të zbardhur të vërtetën, duke qenë se zoti Galdini në cilësinë e të afërmit të pacientit pretendonte se specialistët turq kishin gjetur anomali në mënyrën e trajtimit të këtij rasti në Shqipëri.

Pavarësisht premtimit të z. Galdini për të bashkëpunuar me autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë, ende sot nuk kemi asnjë dokument, asnjë provë, asnjë rezultat analize që të provojë akuzat e ngritura nga zotëria në fjalë.

Ministria e Shëndetësisë është duke kryer ndërkohë hetimin e saj, por për aq kohë sa dokumentacioni që z. Galdini pretendon se ka nuk do të vihet në dispozicion, rezultatet e hetimit do të jenë të cunguara, pasi do të mungojë krahasimi mes gjetjeve të mjekëve shqiptarë dhe atyre turq.

Duke vazhduar të besojmë se denoncimi i z. Galdini ishte një denoncim i sinqertë i një shqiptari të ndershëm që kërkon që problemet e vuajtura nga familja e tij të shërbejnë si shembull për të mos u përsëritur më, Ministria e Shëndetësisë fton edhe njëherë z. Galdini të tregohet bashkëpunues me Ministrinë për të zbardhur të vërtetën, teksa akuzon publikisht mjekët e QSUT-së.

E nëse arsyeja pse z. Galdini nuk bashkëpunon e nuk ofron një kopje të dokumentacionit që ai pretendon se justifikon akuzat e ngritura është mungesa e dëshirës për të zbardhur të vërtetën, atëherë Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me institucionet e drejtësisë do të vazhdojnë të hetojnë deri në zbardhjen përfundimtare të së vërtetës për këtë rast të bërë publik”.

 

 

SHKARKO APP