Reagon PD: Lexojeni mirë qëndrimin e Presidentit, nuk ishte PD që do digjte Parlamentin
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi ka reaguar sot për deklaratën e kreut të shtetit, Ilir Meta, i cili në argumentet që dha për anulimin e 30 qershorit foli dhe për informacione që tregonin për dhunë dhe djegie të Parlamentit.
Në një prononcim për gazetën “Panorama”, Bardhi është shprehur se PD nuk ka pasur asnjë skenar për dhunë dhe djegie. Ai ka ftuar mediat që të lexojnë me vëmendje deklaratën e kreut të shtetit. “Në këtë këndvështrim, duhet të lexohet edhe deklarata e Presidentit Ilir Meta, i cili u shpreh se “nuk mund të pranonte një Rajshtag në Shqipëri”. Të gjithë e dinë se me djegien e dyshimtë të Parlamentit gjerman, Hitleri çimentoi pushtetin nazist pas ardhjes në pushtet pak kohë para djegies së Rajshtagu”,- tha Bardhi.
Deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të PD:
“Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar nuk ka pasur kurrë asnjë plan për djegien e institucioneve, pavarësisht se ato nuk përfaqësojnë interesin publik, por interesin e një grupi oligarkësh dhe kriminelësh të lidhur me kryeministrin e vendit.
Partia Demokratike fton mediat të hapë arkivat e javëve përpara 30 qershorit dhe do të gjejë se opozita dhe kreu i saj, Lulzim Basha, ka denoncuar skenarët e dhunshëm të Edi Ramës, që ka patur për qëllim t’i përdorë më pas kundër PD dhe opozitës.
Në këtë këndvështrim, duhet të lexohet edhe deklarata e Presidentit Ilir Meta, i cili u shpreh se “nuk mund të pranonte një Rajshtag në Shqipëri”. Të gjithë e dinë se me djegien e dyshimtë të Parlamentit gjerman, Hitleri çimentoi pushtetin nazist pas ardhjes në pushtet pak kohë para djegies së Rajshtagut.
“Partia Demokratike e konsideron komisionin hetimor për shkarkimin e Presidentit si një mjet për të mbuluar skandalet e qeverisë ilegjitime të Edi Ramës, ndërsa anëtarët e këtij komisioni, personazhe të dosjeve 184 dhe 339, si bashkëpunëtorë të krimit në vjedhjen e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare”.
KOHA JONË SONDAZH

