Reflektim për ditën e flamurit në gjysëm shtizë

Nga Astrit Patozi –

Me ndonjë përjashtim të rrallë, që e përforcon rregullin, ne po e kalojmë pozitivisht testin e solidaritetit në fatkeqësi, si popull, por edhe si komb.
Nuk është hera e parë, sepse ka ndodhur edhe më parë, kur jemi ndjerë të bashkuar rreth flamurit kuq e zi. Por në rastin më të mirë, ka qenë ditë zie, dhe në rastin më të keq, ka qenë luftë.
Problemi qëndron se ne gjëmat më të mëdha atdheut dhe vetes ia kemi bërë në kohë të zakonshme paqeje, ditë pas dite, muaj pas muaji dhe vit pas viti, me një vendosmëri të habitshme, që ngjan më shumë si një mallkim.
Duke shkatërruar pa mëshirë dhe pa brejtje ndërgjegjeje vlerat, që duhet të na bashkonin si shqiptarë, madje edhe vetë tokën, ku na ka rënë koka, por pa harruar asnjëherë për t’u shfaqur dhe veshur si patriotë në çdo 28 nëntor.
Ndaj edhe jemi kaq të papërgatitur dhe kaq të pambrojtur në ditën, kur na ndodhin tragjedi të rënda si ajo e tërmetit të tmerrshëm të 26 nëntorit.

SHKARKO APP