Reforma në drejtësi, Kuvendi debate për opozitën në komision
Vendimi i opozitës për t’i dhënë fund bojkotimit të komisionit të posaçëm parlamentar të reformës në drejtësi shkaktoi debate në fillim të punimeve të seancës së sotme të Kuvendit.
Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Eduard Halimi bëri të ditur se dy ditë më parë grupi i deputetëve të PD-së dhe PR-së i kanë përcjellë një shkresë Kuvendit ku kërkojnë ndryshimin e vendimit për ngritjen e komisionit të posaçëm, duke propozuar emrat e anëtarëve.
“Ne kërkojmë të futet në rend dite ndryshimi i këtij vendimi, që opozita të marrë pjesë dhe t’i hapet rruga përfaqësimit të saj në komision”, tha Halimi.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste(PS), Gramoz Ruçi tha se e respekton nismën e opozitës, e cila është e mirëpritur të jetë pjesë e komisionit, por rregullat nuk mund te ndryshojnë në mes të lojës.
“Nuk jam njohur me përmbajtjen e ndryshimit të vendimit, por me aq sa tha z. Halimi rregullat nuk mund të ndryshojnë në mes të lojës. Tani komisioni përkatës, siç ju e dini, është drejt përfundimit të problematikave që përmban reforma në drejtësi dhe ndryshimi i rregullave të lojës në fund të saj nuk mund të bëhet. Propozimi i bërë nga opozita do të thotë që ai të mos diskutohet, por të votohet. Për ndryshimin e vendimit ne nuk jemi të gatshëm. Nëse është fjala për të zëvendësuar vendet vakante jemi gati”, verejti Ruçi.
Duke rimarrë fjalën, deputeti Halimi tha se kryetari i PD-së gjatë këtyre muajve ka pasur takime intensive me partnerët ndërkombëtarë, të cilët kanë bërë përpjekje që reforma në drejtësi të jetë konsensuale, ndërsa hartimi i saj të kalojë përmes një bashkëpunimi gjithëpërfshirës, ndonëse deri më sot nuk është bërë asgjë, as është hartuar ndonjë ligj e as ndonjë draft. “Ndërkombëtarët e kanë informuar kreun e opozitës për pranimin e paritetit në komisionin e posaçëm dhe mospranimin për bashkëdrejtimin”, tha Halimi.
Në debatin mes palëve ndërhyri kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i cili sugjeroi për më shumë kohë në diskutimin kësaj çështje.
“Sugjeroj të mos e vazhdojmë këtë debat, se ndoshta do të duhet kohë për ta biseduar më tej këtë problem mes kryetarëve të grupeve. Ndoshta mund të na duhet të mbledhim dhe Konferencën e Kryetarëve, pasi nga ana proceduriale kemi të bëjmë me një ndryshim të vendimit të Kuvendit. Le t’i lëmë vetes më shumë kohë për ta shqyrtuar çështjen”, u shpreh Meta.
Seanca e sotme e Kuvendit parashikon shqyrtimin e disa projektligjeve dhe marrëveshjeve që lidhen me projekte zhvillimore. Rendi i ditës parashikon shqyrtimin e ndryshimeve në ligjin “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”; Ratifikimin e marrëveshjeve ndërmjet palës shqiptare dhe shoqërive “S2 ALBANIA”, SH.P.K. dhe “RAPISCAN SYSTEMS” INC, “Për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve” dhe “Për ndryshimin e marrëveshjes së koncesionit, për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontenierëve”; si dhe ratifikimin e marrëveshjes për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin e BE-së për punësimin dhe inovacionin social (EASI)”