Reforma/ Rrjet spiunësh në sallonet e institucioneve të drejtësisë
Faktori ndërkombëtar propozon ekstremizmin e masave për të pamundësuar praktikat korruptive nga prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët do t’i mbijetojnë procesit të Vetingut, për t’u bërë pjesë e drejtësisë së re.
Si mos të mjaftonte heqja dorë nga privatësia, monitorimi i komunikimeve, kontrolli periodik i llogarive bankare, ndalimi i kontakteve të papërshtatshme dhe kufizimi i aktiviteteve private fitimprurëse, ekspertët e SHBA-BE në Tiranë kanë propozuar një masë shtesë, në kuadër të luftë kundër korrupsionit.
Më konkretisht është propozuar dhe pritet të reflektohet në ligj ngritja e një trupe agjentësh pranë gjykatave dhe prokurorisë, për të parandaluar, konstatuar dhe raportuar çdo veprim të paligjshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Struktura e re parashikohet të ngrihet brenda vitit 2016 në planin e veprimit për Reformën në Drejtësi.
Propozimi ka ardhur nga ekspertët e misioneve të SHBA-BE, konkretisht EURALIUS dhe OPDAT, të cilët asistojnë autoritetet shqiptare për ngritjen e drejtësisë së re.
Struktura do të do të quhet Rojtarët e Gjykatës. Po ashtu është parashikuar edhe modernizimi i teknikave të zbulimit dhe të hetimit të veprave penale nëpërmjet investimit në aparaturat e nevojshme teknike si dhe trajnimin e burimeve njerëzore, jo vetëm për të goditur korrupsionin në drejtësi, por edhe në sfera të tjera. Në kuadër të luftës kundër korrupsionit, do të infiltrohen edhe agjentë provokatorë, për të identifikuar elementët e korruptuar në sistemin e drejtësisë.
Krahas Rojtarëve të Gjykatës, gjyqtarët dhe prokurorët do të shoqërohen me roje, në kuadër të sigurisë fizike, por rojet mund të shërbejnë edhe si burim informacioni për veprimtarinë e tyre. Gjithashtu, parashikohet ndëshkim disiplinor deri në largim nga detyra dhe penal të gjyqtarëve dhe prokurorëve që krijojnë marrëdhënie jashtë gjyqësore me palët e procesit ose që shoqërohen me persona me precedentë penalë, çka do të cënonte besueshmërinë e tyre në publik si dhe integritetin e tyre moral dhe profesional. /shqiptarja.com/
KOHA JONË SONDAZH

