Reforma sërish në ngërç; Opozita kundërshton Ambasadorin Lu
PD: Varianti ynë është propozim i ndërkombëtarëve. Bylykbashi:”Vendet e rezervuara ishin propozim i OPDAT e Euralius”
Redjon Shtylla
Pas letrës që ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, u dërgoi dje para nisjes së seancës plenare, të gjithë deputetëve të Parlamentit, për reformën në drejtësi, ndër të tjera thuhesh se, sistemi i Venecias nuk përmend kurrë vendet e rezervuara, ka ardhur dhe reagimi i PD-së. Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashki nënvizoi se vendet e rezervuara nuk janë propozim i PD-së, por i OPDAT e Euralius. Edhe pse në formularin e ri të PD-së, u hoq dorë nga kjo zgjedhje, Lu u shpreh se: “Të dy paragrafët vërejnë se qeveria dhe opozita e kanë të vështirë të bien dakord për shumicën e cilësuar me 3/5 apo 2/3 e votave për zgjedhjen e anëtarëve të komisioneve. Komisioni i Venecias rekomandon që nëse të dy palët nuk mund të gjejnë kompromis, mund të marrin në konsideratë përdorimin e një sistemi proporcional. Ata nuk rekomandojnë apo përmendin kurrë modelin e vendeve të rezervuara”.
Partia Demokratike kundërpërgjigjen, nuk e lidhi si në rastin e parë, nëpërmjet komunikimeve që kishte realizuar me Ambasadën Amerikane, por u kundërpërgjigj deklaratës së ambasadorit Lu, duke u shprehur se modeli i vendeve të rezervuara, ka qenë pjesë e rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Për këtë opozita, nëpërmjet deputetit Oerd Bylykbashi i ktheu një përgjigje indirekte ambasadorit amerikan. Në një prononcim për mediat, Bylykbashi nënvizoi se: “PD ka lëvizur nga propozimi i bërë nga OPDAT dhe Euralius dhe i pranuar prej nesh që në shkurt, i mishëruar edhe në draftin e paraqitur nga Partia Demokratike në muajin maj, i vendeve të rezervuara, një propozim qartazi i ndërkombëtarëve, sipas tyre, në përputhje të plotë me Komisionin e Venecias. Propozimi që bëjmë sot është lëvizje nga modeli i vendeve të rezervuara por që garanton në mënyrë të plotë zbatimin konsenguent të paragrafit “88”, duke garantuar çdo gjë që parashikon Komisioni i Venecias dhe duke qenë i tillë është absolutisht oferta jonë e kompromisit”. Opozita del kundër modelit që ambasadori Lu përmendi në letrën për deputetët, që përmes votës së vetme të transferueshme, që përshkruhet nga ambasadori si një prej modeleve që përmbush rekomandimin “88” të Venecias dhe që mbështetet nga maxhoranca. Për këtë Bylykbashi shtoi se: “Është gjithashtu një formulë e ekspozuar ndaj korrupsionit politik, që do ta kthente votën e vetme të transferueshme në një votë të vetme të trafikueshme dhe unë besoj se kjo do të ishte një goditje thelbësore për besueshmërinë dhe pranueshmërinë e produktit të reformës në drejtësi”, nënvizoi Bylykbashi.
Formula e re që propozon opozita, siç dhe Bylykbashi u shpreh, lidhet me që në procesin e Veting-ut dhe në përzgjedhjen e komisionarëve, që do bëjnë Veting-un e gjyqtarëve dhe prokurorëve, partitë politike nuk do kenë asnjë rol. “Në këtë proces, partitë politike, qoftë në maxhorancë apo qoftë në opozitë, nuk duhet të kenë rol dhe propozimi i PD përcakton ekzaktësisht këtë”,- theksoi ai. Opozita ka dhe një propozim të dytë e që lidhet me votën sekrete për përzgjedhjen e kandidatëve, që do të votohen nga Parlamenti. Sipas opozitës kjo formulë: “Garanton diçka thelbësore; pamundësia e plotë për të etiketuar politikisht secilën prej 12 kandidaturave që do të dalin për Komisionin e Veting-ut. Pra vota sekrete e garanton katërçipërisht këtë. Nuk do të jetë e mundur të etiketohet askush”,- u shpreh Oerd Bylykbashi në prononcimin për mediat.
Qëndrimi
“PD ka lëvizur nga propozimi i bërë nga OPDAT dhe Euralius dhe i pranuar prej nesh që në shkurt, i mishëruar edhe në draftin e paraqitur në muajin maj, i vendeve të rezervuara, një propozim qartazi i ndërkombëtarëve, sipas tyre, në përputhje të plotë me Komisionin e Venecias. Propozimi që bëjmë sot është lëvizje nga modeli i vendeve të rezervuara por që garanton në mënyrë të plotë zbatimin konsenguent të paragrafit “88”, duke garantuar çdo gjë që parashikon Komisioni i Venecias dhe duke qenë i tillë është absolutisht oferta jonë e kompromisit”.
Çfarë janë vendet e rezervuara, që PD-ja hoqi dorë!
Kjo formulë aplikohet për dy institucione të reja që krijohen në kuadër të reformës në drejtësi, në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për 5 anëtarët që zgjidhen nga Parlamenti. Ata do të përzgjidhen në mënyrë proporcionale e të barabartë nga lista e ndarë e kandidatëve profesionistë që mbështeten nga maxhoranca dhe nga opozita. Metoda e vendeve të rezervuara siguron pikërisht këtë, përfaqësimin proporcional të maxhorancës dhe opozitës në organet e sistemit të drejtësisë.
KOHA JONË SONDAZH

