Reforma zgjedhore, Mediu: Listat e hapura rrisin përfaqësimin
Kryetari i Partisë Republikanë Fatmir Mediu sqaron propozimet që ai adresoi disa dit më parë për reformën zgjedhore.
Në një intervistë për RTV ORA, ai thotë se më me rëndësi se ndryshimet është se çdo produkt duhet të jetë konsensual.
“Eksperienca ka treguar që kur kemi punuar sëbashku me asistencën e ndërkombëtarëve procesi që kanë derivuar pas këtij konsensusi kanë qenë më pozitive dhe më të pranueshme nga palët”, u shpreh Mediu.
Kryetari i republikanëve propozoi sistemin proporcional kombëtarë me lista të hapura. Kjo sqaron ai për faktin se duhet të rikthehet gara si instrument që rrit cilësinë e parlamentarizmit.
“Vlera pozitive e këtij sistemi nuk është vetëm thjesht konkurrimi, por edhe alternativa që i lihet qytetarit që brenda listës së një partie politike të zgjedhë më shumë se një. Pra mos të ngelemi tek një autoritet politik, por të ngelemi në një variacion më të madh, unë kam thënë 10%, por kjo mund të shihet“, u shpreh Mediu.
Mediu, risjell ne vëmendje edhe një propozim të shumë viteve më parë, Parlament me dy dhoma përfaqësimi.
“Kush është ideja? Është ajo pjesa, ajo trupë që krijon një lloj ekspertize në fushën politike, administrative apo qoftë ushtarake dhe diplomatike të përfaqësojë në një nivel të caktuar për të qenë filtri i emocioneve politike që ka kuvendi për të minimizuar konfliktin politik. Kjo kërkon një shikim tërësor kushtetues. Ajo që ne bëjmë është të shkatërrojmë çdo histori pozitive dhe mendojmë që historia fillon me dhe. Këtu fillon konflikti politik. Çdo njeri që mendon që fillon nga zero nuk bën më shumë sesa zero”, u shpreh Mediu.
Të gjitha propozimet e republikaneve, tha Mediu nuk nxiten nga interesi i ngushte personal e as nuk janë kusht për vazhdimësinë me partinë demokratike. Madje ai , ka një sfidë për Lulzim Bashën.
“Fare të qartë ja ka thënë zotit Basha, që me autoritetin politik dhe elektoral le të propozojë atë që ai mendon se është fitorja e PD. Nëse në këtë raport fiton e djathta dhe sakrifikohet PR, me kënaqësi të madha do ta pranoja se është në interes të vendit”, u shpreh Mediu.