Reforma/Meta: Dialogu politik i domosdoshëm
Kryetari i Parlamentit Ilir Meta ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Fatmir Xhafaj në Pallatin e Brigadave për të festuar miratimin me konsensus të reformës në drejtësi.
Në fjalën e tij, ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri Rama, Fatmir Xhafaj e ambasadorët Lu-Vlahutin, Meta shprehu falenderimet për opozitën, pasi kjo e fundit nuk pranoi ftesën e Xhafajt për të qenë e pranishme në këtë pritje.
Ilir Meta i bëri thirrje direkt mazhorancës që mos të sulmojë opozitën dhe mos të bëjnë veprime për ta nxjerrë keq këtë opozitë në sytë e Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi një ditë do të jetë PS dhe LSI që do të bëjnë rotacion e do të kalojnë në opozitë.
“Një falenderim e kam për nënkryetarin e komisionit të posaçëm Oerd Bylykbashi dhe anëtarët opozitarë të këtij komisioni që janë duke punuar për vetingun. Dëshiroj sot të falenderoj opozitën që u përfshi në këtë proces, sepse ka dhënë kontribut të rëndësishëm dhe substancial. Solli përmirësimin e drafteve. Edhe unë kam luftuar që opozita të fitonte të drejtën e vetme parimore që sipas e saj mbante larg nga konsensusi, vetëm për arsye që Shqipëria të përfitonte konsensusin e domosdoshëm dhe e ftoj opozitën të vazhdojë rrugën e konsensusit, sepse i bën nder vetes së saj dhe jep kontribut historik.
Kam një mesazh për kolegët e mazhorancës. Nuk duhet të sulmojmë opozitën se dikur kemi qenë në opozitë, se rotacioni është i pashmangshëm dhe një ditë do të vijmë në opozitë. Nuk fitojmë asgjë në rast se opozitën e detyrojmë të duket më keq përpara BE, NATO dhe SHBA”, tha kryeparlamentari Ilir Meta.
Mesazhi i Metës për aleatët e tij u duk në fakt si paralajmërim ndaj tyre që të mos mundohen të prishin konsensusin e arritur me opozitën për miratimin e 7 pr/ligjeve të reformës në drejtësi, gjë që e detyroi kryeparlamentarin të ndërpriste vizitën në SHBA dhe të kthehej me urgjencë.
Meta kërkoi që politika të punojë për vendin duke patur më shumë bashkëpunim mes palëve politike dhe për këtë solli një shembull të thjeshtë.
“Le të punojmë për vendin tonë, të paktën për reformën në drejtësi dhe të tjerat kyçe që kanë të bëjnë me konsolidimin e shtetit tonë si shteti i së drejtës, demokratik dhe që ofron siguri për të gjithë gjeneratat, ashtu siç punon eurodeputeti i majtë, Knut Fleckenstein me eurodeputetin e djathtë, Eduard Lukan. Të punojmë edhe ne si ata”, deklaroi ai.
Në fund, Meta falenderoi edhe Kryeministrin Rama, që i njohur meritën si nismëtar për këtë reformë dhe Lulzim Bashën, që sipas Metës, në dy muajt e fundit “bëri përpjekje të lavdërueshme për të ecur në rrugën e duhur”.
KOHA JONË SONDAZH

