Biberaj për “KJ”: Rama, peng i krimit dhe korrupsionit. Krizën e zgjidh populli për 24 orë, mjafton ta thërrasim në protesta
“Deti” në Hagë, ish-deputeti i PD-së: Është një akord ndërmjet kryeministrave Rama dhe Micotaqis që do të dëmtojë interesin tonë kombëtar. Refuzimi i BE-së? Rama, peng i krimit dhe korrupsionit. Krizën e zgjidh populli për 24 orë, mjafton ta thërrasim në protesta
Bisedoi: Herion Mesi
Ish-Zëvendës Presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike Aleksandër Biberaj deklaron se krizën e zgjedhjeve që e kemi në derë nuk do ta zgjidhin ndërkombëtarët, por atë duhet ta zgjidhim vetë. Duke komentuar qëndrimet arrogante dhe refuzuese të Edi Ramës ndaj apeleve që prej dy ditësh vijnë nga eksponentët më të lartë të Bashkimit Europian, të cilët i kërkojnë mazhorancës që të presë përgjigjen e Komisionit të Venecias lidhur me ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor para se të miratohet në Kuvend, Biberaj thekson se Edi Rama është e qartë se është peng i mafies, i krimit, i bandave, i korrupsionit dhe grupeve të strukturuara kriminale. Sipas tij, Rama nuk është më në gjendje të zgjidhë asgjë, pasi nuk është i lirë. Në një intervistë dhënë për “Koha Jonë”, Biberaj shprehet se krizën duhet ta zgjidhim ne, dhe ajo zgjidhet për 24 orë. “Mjafton të ftojmë popullin në protesta për liri dhe demokraci dhe ta lëmë të lirë të vendosë vetë për të ardhmen e vendit”, deklaron Aleksandër Biberaj. Lidhur me dërgimin e çështjes së detit me Greqinë në gjykatën ndërkombëtare në Hagë, ish-deputeti demokrat shprehet se qëndrimi i Edi Ramës është një qëndrim personal dhe prej vasali ndaj Greqisë, dhe aspak transparent, aq më tepër që kryeministri shqiptar as nuk ka krijuar grup apo komision negociator, as nuk ka informuar në qeveri apo parlament, dhe as s’është konsultuar me Presidentin si kreu i shtetit. Teksa komenton deklaratat e kryeministrit Micotaqis në parlamentin grek, Biberaj shprehet se kryeministrit grek foli qartë, drejtpërdrejtë dhe i bindur se do të zgjeronte kufirin me 12 milje, dhe pastaj do ta çonte çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare.
Z.Biberaj, si njohës i politikës ndërkombëtare, si e shihni qëndrimin e kryeministrit grek Micotaqis në parlamentin e Greqisë, ku ndërsa shpjegoi para deputetëve çështjen e detit foli për disa marrëveshje me qeverinë shqiptare, ku bëhej fjalë fillimisht për një zgjerim të kufirit detar të Greqisë me 12 milje, e më pas kjo do dërgohet në Gjykatën e Hagës për një vendim përfundimtar?
E ndoqa fjalimin e kryeministrit grek në parlamentin grek ku ai foli qartë, drejtpërdrejtë dhe i bindur se do të zgjeronte kufirin me 12 milje, dhe pastaj do ta çonte çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare. Natyrisht, ai foli siç dinë të flasin grekët, me shumë cinizëm dhe me magallomaninë, ose mospërfilljen e të madhit, pasi i ka “hapur syrin” Edi Rama duke i dhënë të drejtë për pretendimin për zgjerim me 12 milje. Qëndrimi i Edi Ramës është një qëndrim personal dhe prej vasali ndaj Greqisë, dhe aspak transparent, aq më tepër që kryeministri shqiptar as nuk ka krijuar grup apo komision negociator, as nuk ka informuar në qeveri apo parlament, dhe as s’është konsultuar me Presidentin si kreu i shtetit.
Kryeministri nuk ka dhënë asnjë informacion për publikun për një çështje kaq të rëndësishme që ka të bëjë me integritetin territorial dhe me pasuritë natyrore të vendit tonë. Dërgimi i çështjes në Gjykatën e Hagës është në favor të Greqisë dhe nëpërmjet kësaj lëvizjeje Edi Rama do që të heqë përgjegjësitë e veta dhe të qeverisë së tij, ndërkohë që ai duhet të mbajë një qëndrim në mbrojtje të interesave tona kombëtare dhe jo t’i delegojë këto interesa në Hagë.
Është një akord ndërmjet kryeministrave Rama dhe Micotaqis që do të dëmtojë interesin tonë kombëtar. Dihet që Greqia ka përfaqësuesit e vet në çdo instancë ndërkombëtare, ka staf profesionist që shkon i përgatitur, lobon dhe paguan për të fituar këtë çështje. Ndërsa ne shkojmë të papërgatitur, pa lobim, si inferiore dhe me politikanë të shitur. Nuk përjashtohet mundësia që nesër Greqia të blejë përfaqësuesit tanë të cilët po u zgjodhën nga ky kryeministër do të zgjidhen me kriterin “for sale – për shitje”.
Cila është pritshmëria juaj nga Gjykata Ndërkombëtare?
Nuk jam aspak dakort që kjo çështje të përfundojë në gjykata ndërkombëtare, pasi shanset për të fituar do të jenë minimale, ashtu siç kemi humbur çdo çështje ndërkombëtare. Politika shqiptare, kushdo qoftë në qeveri apo opozitë, duhet të mbrojë interesat tona kombëtare, detyra jonë si politikanë është t’i shtojmë dhe t’i mbrojmë këto pasuri, dhe jo t’i shesim, apo t’i falim. Pra, ne duhet të bëjmë atë që bëjnë grekët për vendin e tyre, turqit apo çdo komb për vendin e tij. Kujtoj se Presidenti Amerikan Donald Trump i kërkoi Danimarkës t’i shiste Groenlandën dhe jo t’i falte, apo t’i shiste Alaskën dikujt tjetër.
Ditën e djeshme por edhe sot është shënuar një përplasje në distancë mes kryeministrit shqiptar Edi Rama me përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Europian lidhur me reformën e njëanshme zgjedhore. Këta të fundit i sugjerojnë mazhorancës qeverisëse që të presin opinionin e Komisionit të Venecias e më pas të ketë një vendimmarrje nga Kuvendi? Sa e rrezikshme është refuzimi i Ramës lidhur me këtë çështje? Dhe pse, gjithmonë sipas jush, Edi Rama e refuzon mendimin e ekspertizës ndërkombëtare për Kodin e ri Zgjedhor?
Qëndrimi i fundit i Edi Ramës lidhur me Kodin Zgjedhor dhe refuzimin e këshillës së ndërkombëtarëve për të pritur Komisionin e Venecias është në vazhdën e qëndrimeve të papërgjegjshme të tij dhe të tolerimit që po i bën prej 8 vitesh Perëndimi Edi Ramës. Edi është i qartë në strategjitë e veta malinje dhe autokratike për të manipuluar dhe vjedhur zgjedhjet me çdo çmim, mjet dhe kusht. Qëndrimi i ndërkombëtarëve është tepër i butë, Edi ua ka “pirë lëngun” atyre. Krizën e zgjedhjeve që e kemi në derë nuk do ta zgjidhin ndërkombëtarët, atë duhet ta zgjidhim vetë. Krizën në Kirgistan po e zgjidh populli i Kirgistanit, siç do ta zgjidhë krizën në Bjellorusi populli bjellorus. Edi Rama është e qartë se është peng i mafies, i krimit, i bandave, i korrupsionit dhe grupeve të strukturuara kriminale. Ai nuk është më në gjendje të zgjidhë asgjë, pasi nuk është i lirë. Krizën duhet ta zgjidhim ne, dhe ajo zgjidhet për 24 orë, mjafton të ftojmë popullin në protesta për liri dhe demokraci dhe ta lëmë të lirë të vendosë vetë për të ardhmen e vendit.
Dhe së fundmi, një mendim i juaji lidhur me lajmet për krijimin e forcave të reja politike të spektrit të djathtë. Kujtojmë që këto nisma po ndërmerren 7 muaj para zgjedhjeve, dhe a mund të jenë kërcënim për rezultatin e Opozitës së Bashkuar në zgjedhjet e 25 prillit? A dështoi Lulzim Basha për bashkimin e të djathtëve?
Çdo parti e re “me porosi” 6 muaj para zgjedhjeve, natyrisht që i shërben Edi Ramës. Gjithsesi, që të mos gjykojmë gabim, apo të paragjykojmë, le të presim dhe të shohim. Gjithçka do të varet nga qëndrimi që do të mbajnë iniciatorët e këtyre partive të reja në raport me qeverinë dhe opozitën, do t’i shërbejnë qeverisë, apo do të rreshtohen me opozitën për të shpëtuar vendin nga shkatërrimi rilindas. Është koha për t’u bashkuar të gjithë me opozitën, pavarësisht hatër-mbetjeve, apo pakënaqësive që mund të kenë, kundër së keqes më të madhe të 30 viteve të fundit, që quhet Edi Rama dhe “rilindje”. Është koha për një përmbysje të madhe dhe për një transformim të madh pas fitores së 25 prillit. Ata që po lancojnë krijimin e partive të reja e kanë vetë në dorë nëse do të jenë me popullin, interesin kombëtar, lirinë, demokracinë dhe shtetin e së drejtës, apo do të jenë me anti-shtetin, me talebanizimin dhe barbarizmin që quhet “rilindje”?! Ata që po iniciojnë parti të reja, nuk janë edhe aq të rinj në moshë që të rikuperohen më vonë, nëse bëjnë sot një gabim fatal dhe bashkohen me anti-njeriun, anti-shtetin, koha dhe historia do t’i gjykojë pa mëshirë. Lulzim Basha e ka bërë thirrjen e tij për t’u bashkuar çdo faktor politik, parti, shoqatë, grup apo individ qoftë me Opozitën, duke dhënë edhe modelin e funksionimit të një koalicioni opozitar prej disa vitesh. Lulzim Basha e ka hapur derën për të gjithë, nëse hyjnë apo jo, kjo varet nga të tjerët dhe jo nga Lulzim Basha.