REL: Ç’ndodh nëse Gjykata Kushtetuese vendos për largimin e Presidentit

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri janë mbledhur të hënën, 7 shkurt, për të vazhduar seancën për shqyrtimin e kërkesës së Kuvendit për shkarkimin e presidentit, Ilir Meta.

Seanca për presidentin është shtyrë për këtë javë, pas kërkesës së përfaqësuesve të presidentit, të cilët kërkuan kohë që të paraqisnin argumentet e tyre pas 70 pyetjeve të drejtuara kësaj pale nga trupi gjykues i Kushtetueses.

Në seancën e fundit, përfaqësuesit e presidentit kundërshtuan procedurën që ishte ndjekur nga Parlamenti për ngritjen e Komisionit hetimor për shkarkimin e kreut të shtetit, duke argumentuar se ngritja e vetë Komisionit ishte shkelje e Kushtetutës.

Deputetët e Partisë Socialiste kishin themeluar një Komision hetimor për ta hetuar presidentin Meta për shkeljen e Kushtetutës para dhe gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve qendrore në prill të vitit 2021.

Deputetët, pas gjetjeve të Komisionit, më 9 qershor të vitit 2021, kanë votuar në favor të shkarkimit të presidentit me 104 vota, duke thënë se ai ka shkelur Kushtetutën e Shqipërisë dhe se “me veprimet, sjelljet dhe mesazhet e dhëna në publik nuk ka garantuar unitetin kombëtar, nuk ka moderuar konfliktin politik, por përkundrazi e ka nxitur atë në terma të tilla, të cilat sollën si pasojë daljen e organizuar të militantëve të partive politike në rrugë duke terrorizuar qytetarët, duke kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes si dhe lirinë personale, deri në kryerjen e konflikteve me armë.”

Neni 90 i Kushtetutës së Shqipërisë e parasheh shkarkimin e presidentit nga Kuvendi për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë.

Sipas këtij neni, propozimi për shkarkimin e presidentit, në raste të tilla mund të bëhet nga të paktën një e katërta e anëtarëve të kuvendit apo 35 deputetë nga 140 sa i ka Kuvendi i Shqipërisë.

Presidenti Meta ka thënë se nuk do të njohë asnjë veprimtari të një kuvendi “njëpartiak” dhe se do të ushtrojë detyrën e tij deri më 24 korrik të vitit 2022.

Ai këtë deklaratë e bëri pasi shkarkimi i tij u votua në një kohë kur opozita e Shqipërisë kishte djegur mandatet e veta ne Kuvend.

Ato (mandatet) ishin zëvendësuar nga një opozitë tjetër, nga persona të partive përkatëse, por që nuk kishin marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputetë në zgjedhje.

Në rast të një shkarkimi të mundshëm, Meta automatikisht nuk mund të ushtrojë më asnjë kompetencë dhe rolin e tij e merr kreu i Kuvendit.

Meta është zgjedhur President më 28 prill 2017 me 87 vota, me mbështetjen e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilën e drejtonte vetë Meta.

Mandati i presidentit është pesëvjeçar dhe roli i tij është kryesisht protokollar./REL

SHKARKO APP