Reportazh/ “Dita e Verës”, tradita vazhdon në Elbasanin e luleve (FOTO)

Nga Miranda Sadiku: 

Elbasani, kryeqyteti i Ditës së Verës, ka nisur festimet, duke u kthyer në një traditë masive organizimesh. Bashkia e Elbasanit, ka veshur qytetin me lulet të cilat janë edhe simbol i Elbasanit, ndërsa në muret e kalasë, jane afishuar vargje të ndryshme nga Isuf Myzyri, Leksi Vini, Mynever Zaimit etj.

E cilësuar si festa e gjallërimit të natyrës dhe shpirtit, paqes dhe harmonisë, gëzimit dhe dashurisë njerëzore, më mirë se kudo tjetër në vendin tonë, ajo festohet vetëm në Elbasan. Mikpritja, ëmbëlsira e ballokumes, koncertet e ndryshme, e kthejnë Elbasanin në një qytet të festave dhe gëzimit, në çdo familje.

Mbrëmjet do të jenë të mbushura plot me aktivitete e koncerte festive, ku nuk ka munguar edhe tradita e qytetit “Sofra e Elbasanit”, aty ku gërshetohet e lashta me traditën. Në këto ditë, Elbasani, qyteti i shumë portave dhe sofrave, hap dyert dhe mirëpret me qindra miq jo vetëm nga vendi, por edhe trojet shqipfolëse e më tej, për të festuar Ditën e Verës.

Tradita shekullore në Elbasanin e luleve në qytetin e artit, kulturës, arsimit, trashëgimisë kulturore dhe kulinarisë vazhdon, ku sofrat e qytetit janë të shtruara për të gjithë miqtë për t’i uruar mirëseardhjen pranverës.

Si festë pagane, “Dita e Verës’, shpreh adhurimin dhe simpatinë për natyrën dhe veprat e saj mbi tokë.

Ndaj, Elbasani do të shndërrohet në kryeqendër të festimeve edhe këtë 14 mars, ku nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë Gledian Llatja, do të realizohen një sërë aktivitetesh artistike, për fëmijë të rinj e të rritur.

“Cicërimat e pranverës”, koncerti i organizuar nga kopshtet, koncerti “Mirëseerdhe pranverë”, sërisht për fëmijë, Panairi i Arteve dhe Zejeve ku promovohet tradita dhe kultura, e ardhur si një nismë e cila zhvillon talentin dhe rrit dëshirën e nxënësve për të ruajtur, promovuar dhe mbajtur gjallë vlerat kulturore dhe traditën shqiptare. Koncert i Eda Zari dhe Orkestrës së harqeve Elbasan në Teatrin “Skampa”, ekspozita ku paraqitet Elbasani në celuloid, si edhe një sërë aktivitetesh të tjera, si karnavalet, koncertet e mëdha festive “Diell n”elbasan” në qendër të qytetit, dhjetëra mjete historike të koleksionit shqiptar RETRO u ekspozuan në pedonalen e Elbasanit për të gjithë të apasionuarit e mjeteve, nostalgjikëve të së shkuarës automotive, por edhe publikut kureshtar të çdo grupmoshe, festivali i ballokumes, këndi i balonave, kampionati i futbollit etj. Të gjitha këto aktivitete dhe të tjera kanë nsiur që në datën 10 mars në qytetin e luleve.

Qendra e Artit, ka risjellë ripërjetimin e Sofrës Elbasanase, që bën bashkë kulinarinë, folklorin dhe traditën. E konceptuar me dekor që sjell ndjesinë e Kalasë së Elbasanit, inskenim i dasmave të vjetra elbasanase, si edhe gatim live si në një shtëpi të vjetër Elbasani. Sofra ku gëzon fëmija bashkë me të rritur njësoj, në qytetin ku është krijuar dhe formuar sofra e madhe e mikpritjes e lajmëtares së verës në mbarë vendin.
Në Elbasanin ku ndryshimi duket sapo hyn në qytet, në Elbasanin tradicional dhe shumë shekullor.

Në origjinën e Ditës së Verës

Festa zakonisht nis gjallërinë e saj mbrëmjen e 13 marsit, për të vijuar gjithë ditën e datës 14 deri sa dielli nis të perëndojë. Etnologu Thanas Meksi thotë se “festa është me origjinë pagane, një festë ku nuk ndërhyn feja, festojnë të gjithë, është kënaqësia e stinës së pranverës. Amvisat nisnin gatimet për në mbrëmje që në mëngjes, piqej gjeli i detit, më pas me lëngun e tij gatuhej dollma (përshesh me gjel deti) dhe më pas niste ceremonia e hiseve. Në çdo sahan kishe nga një cop gjel deti, pala fiku, tre – katër kokrra arra, ballakume ose revani, vezë të ziera, gështenja etj”.

Po ndërsa nata e verës festohej në shtëpi, ku mblidheshin tok të afërm dhe darkonin së bashku, amvisat në një shportë, vendosnin rroba të reja për fëmijët e tyre.
Djemtë zakonisht kishin pantallona të shkurtra, ndërsa vajzat rroba të kuqe dhe verore shumëngjyrëshe, që bashkoheshin nga fije shumëngjyrëshe pambuku. Në këtë natë nuk mungonin as këngët, vallet, shakatë dhe lojërat. Cast ëmbëlsie dhe shijimi të veçantë ishte edhe ngrënia e ballakumes, që shoqërohej me fjalë të përzemërta nga amvisat, të cilat për qesëndi merrnin vallen popullore “Bahçe, bahçe me zymbyla”, të shoqëruara nga duartrokitjet e pjesëmarrësve.

Mëngjesin e 14 marsit, pa lerë akoma mirë dielli, Elbasani është ngritur më shpejt se zakonisht. Të moshuarit sipas zakonit hapin derën rrugës për të hyrë “e mira” në konak, e për të dalë së andejmi e keqja. Ky zakon kishte edhe një kuptim tjetër, bujari dhe mirësi për mikun që vinte nga larg. Amvisat që në mëngjes lanin hajatin dhe këpusnin nga një tuf bar dhe e vendosnin atë në derë, tek guri i zallit përbri derës, ç’ka sinjifikonte mbarësi dhe gjelbërim në oborrin e shtëpisë së tyre, vijon etnologu Thanas Meksi.
E më pas mëngjesin e 14 marsit kryhej rituali “kama e ditës së verës”, që do të thotë që fëmijët dilnim për vizita ku bëshim “kamë” të parët që hynim në derën e vizitorit dhe me një sahan në dorë shkëmbenim dhuratat e Ditës së Verës. Më e mira ishte që kamë të bënin djemtë, pasi thuhej se viti do të ishte i mbarë.

Por, “Dita e Verës”, kishte edhe të veçantat e veta. Kur vinte dreka të gjithë elbasanllinjtë me torba të mbushura i drejtoheshin pikave turistike, si te “Ulliri i Qejfit”, tek “Rrapi i Vojvodës”, “Krasta e Madhe”, lëndinat në Krrabë dhe tek “Kodrina rreth Teqes”.
Këtë ditë vajzat shiheshin nga djemtë të cilët ishin në moshë për t’u martuar dhe mbas ditës së verës kryheshin shumë fejesa në qytet.
I gjithë vakti i drekës në natyrë shoqërohej me grupe ahengu nga amatorë të ndryshëm, ashtu si Isuf Myzyri dikur që këndonte me grupin e tij, ashtu edhe tradita vazhdonte dhe vazhdon edhe në ditët e sotme.

Ndoshta në vitet e komunizmit festa pati një “ ndrydhje”, pasi nuk festohej si dikur, por prapë elbasanllinjtë gatuanin ballakumet, bënin kamë dhe drekonin në lëndina.
Por vit pas viti, aktivitetet janë shtuar, karnavalet për fëmijët, krosi në mëngjes, kampionatet sportive, koncertet me pjesëmarrjen e artistëve të vendit, panairi i zejeve, cicërimat e vogëlueshëve etj, shtojnë larminë e aktiviteteve, duke bërë që festa të përfundojë para se dielli të perëndojë dhe të gjithë elbasanllinjtë përcjellin miqtë e tyre nga vende të ndryshme të Shqipërisë dhe mbyllin kështu një ditë të paharruar për një vit të tërë.

SHKARKO APP