Reportazhi i “Rai 3”: Udhëtim në zemër të shpërndarjes së drogës, në Shqipëri

“Udhëtim në zemër të shpërndarjes së drogës në Shqipëri”. Ky është titulli i një reportazhi për Shqipërinë nga Rai3. Programi “Narcotica” i Tg3 ka ardhur në Shqipëri, ku dy realizuesit, Valerio Cataldi dhe Raffaella Pusceddu, kanë sjellë mbrëmjen e kaluar historinë e drogës në Shqipëri duke nisur nga Lazarati dhe deklaratat e prokurorit italian.

”Lazarati është një fshat i vogël në zemër të Shqipërisë, i konsideruar për një kohë të gjatë si qendra e kultivimit të marijuanës, teatër i operacioneve të ndryshme të policisë dhe të përplasjeve me armë”, thuhet në reportazh. Programi rinis nga Lazarati për të treguar Shqipërinë, si një nga vendet kryesore për prodhimin e marijuanës, por mbi të gjitha ”tokë e një nga mafieve më të egra dhe më të rrezikshme të botës që lufton me Ndraghetan për kontrollin e rrjedhës së kokainës nga Amerika e Jugut dhe kontrollon opiumin dhe heroinën që nga Afganistani kalojnë nëpër Ballkan”.

Prokurori Gratteri dhe Koloneli D’Angelantonio i skuadrës Ros të Karabinierëve, tregojnë për hetimet, klanet shqiptare dhe për bashkëpunimin me Prokurorin Francesco Mandoi, i cili jeton në Tiranë për të koordinuar hetimet. Dy prokurorët janë të mendimit se grupet kriminale shqiptare janë forcuar tej mase, për shkak edhe të mbështetjes që kanë nga strukturat shtetërore.

”Vetëm në një goditje kemi kapur 9 tone kanabis në Otranto”, tregon Gratteri, duke theksuar se grupet kriminale shqiptare janë forcuar shumë. Sipas tij, shqiptarët sjellin bashkë me kanabisin edhe kokainën në Itali. “Drogën e fortë shqiptarët shkojnë dhe e marrin vetë në Amerikën Latine”.

Prokurori italian që ndodhet në Shqipëri, Francesco Mandoi, ka treguar për ”Narcotica”, se si një hetim i nisur nga drejtësia italiane ka bërë të mundur bllokimin e një sasi prej 14 mijë kilogramë kokainë, pasi ishte bërë gati për tu dërguar në Venezuelë dhe do të sillej në bazën e Porto Palermos në Shqipëri me nëndetëse. ”Me hetimin tonë ne bëmë të mundur që të shkatërronim një organizatë që kishte bërë një plan të detajuar që të vinte në funksion bazën e nëndetëseve në Porto Palermo për të sjellë kokainën në Shqipëri me nëndetëse, duke e marrë në Amerikën Latine”.

SHKARKO APP