Rezultati i 25 prillit dhe aksioni opozitar, Mediu: Edi Rama manipuloi votat
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, thotë se 25 prilli ishte një proces zgjedhor i manipuluar, por nga ana tjetër, ai nënvizon se Partia Demokratike ka detyrën të riformatojë të djathtën dhe për këtë duhet të ketë një proces gjithëpërfshirës edhe në PD.
“Ky nuk ishte një proces zgjedhor normal por i manipuluar në të gjithë elementët e vet. Unë e kam thënë që para zgjedhjeve që Rama do të bënte çdo gjë për manipulimin e zgjedhjeve. Ai e nisi me ndryshimin e Kushtetutës, një gjë skandal për një vend anëtar të NATO-s. Pastaj e vijoi me vjedhjen e të dhënave personale për të blerë më pas votën. Pastaj bleu masivisht votën, edhe me fondet për dëmshpërblimet për tërmetin. Ne duhet të kuptojmë që jemi në një shtet jo funksional, tërësisht të kapur nga krimi dhe korrupsioni. Edhe Vuçiç dhe Zaev kanë fituar se ata bënë thirrje për tu mos u votuar opozita shqiptare. Pra nuk kanë fituar interesat e shqiptarëve”, tha për ”Report Tv”.
I pyetur se si duhet të vijojë aksioni opozitar, Fatmir Mediu e vuri theksin te denoncimi qeveritar. “Faza e para është përballja në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Manipulimi i rezultatit duhet bërë prezent kudo, deri në SHBA, jo me idenë e kthimit të rezultatit por se këtu ka marrë fund ideja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.