Rikthehet Besnik Mustafaj
Besnik Mustafaj i është kthyer politikës aktive pas 9 vitesh mungesë, kur ai u tërhoq nga posti i Ministrit të Jashtëm. Ai po mbështet kandidatin e PD në Dibër, Sherefedin Shehun. Dje, Mustafaj ishte në takime në krah të kryetarit Lulzim Basha. Arsyeja se përse vendosi të kthehet tani, është shprehsa që ai po sheh se po ngjallet tek Dibranët.
“Unë kam ardhur në Dibër sot dhe do të qëndroj dy ditë dhe kam ardhur për të mbështetur Sherefedinin dhe për të mbështetur një ide të shpresës, të cilën e mora si jehonë që vjen prej dibranëve. Unë kam njerëz të familjes sime në Dibër, në kuptimin që kam edhe një lidhje personale me Dibrën, por unë kam ardhur të mbështes Sherefedinin, i bindur në vlerat e tij si person, por pse ta fsheh, i surprizuar nga ajo që po ndodh në Dibër, pasi ka realisht një lloj kthimi të shpresës. Mos harrojmë që të gjithë e përjetojmë si një mërzi të madhe humbjen e shpresës. Lindja e shpresës është një lajm i mirë dhe unë doja të shihja dhe ta prekja nga afër këtë realitet të ri, këtu në Dibër. Dibranët po reagojnë si njerëz që dinë të lindin shpresën”, shprehet Mustafaj në një intervistë për gazetën Panorama.
Ish –ministri i Jashtëm në qeverinë Berisha 1 shpjegon se vendi i tij ka qenë gjithnjë mes demokratëve. Aktivizimi në fushatën e Dibrës – thotë ai, është konkretizim i thirrjeve të vazhdueshme të Bashës për t’iu bashkuar asaj.
“Nuk mund të them se nuk po ndiej disa emocione, ndiej mjaft emocione që lidhem me kujtimet e mia personale në ngjarje të tilla, por nuk mund të konsiderohet në kuptimin e një vendimi që unë kam marrë për t’u kthyer në politikën aktive. Unë jam përpjekur ta mbaj vendin si demokrat, pranë demokratëve dhe në mbështetje të aspiratave të Partisë Demokratike për një Shqipëri normale. Jam këtu me zotin Basha, pimë një kafe, jo vetëm për vetëm, por me një grup të madh njerëzish dhe zoti Basha më ka ftuar disa herë që t’u bashkohem veprimtarive publike të Partisë Demokratike, gjë që unë e kam bërë me shkrime, por jo me prezencë dhe tani jam dhe me prezencën fizike”.
Mustafaj thotë se në Dibër ka një frymë të re dhe shpreson se ajo do të shtrihet në të gjithë vendin.
KOHA JONË SONDAZH

