Rinia në kafazin e politikës

Nga: Redjon Shtylla

Prej 12 vitesh, 8 dhjetori përkujtohet si festë kombëtare në nderim të studentëve të dhjetorit 1990, dhe gjithë rinisë në luftën e tyre që shënoi rënien e komunizimit. Ky 8 dhjetor e gjen rininë shqiptare në udhëkryq. Ikja nga vendi dhe trishtimi për të gjetur një vend pune, e kanë bërë rininë të pashpresë.

Pas 31 vitesh, kus është sot kjo rini? A përngjajmë në idealet e rinisë së 90’? ”E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, buçiste nga të rinjtë që kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.

Sot në auditore, në kafe e kudo në bisedat e thjeshta në rrugë, dëgjojmë e shohim që kemi një rini me synim dhe thënien ”Shqipëria nuk bën”, me dëshirë për të ndërtuar një jetë të re në Europë. Kakofonia e një politike të zymtë, përçarse, dhe ligjërisht jo zhvilluese ndaj rinisë, e kanë kthyer ikjen nga vendi, një shpëtim për trurin e së ardhmes, edhe pse jashtë këtë rini nuk e pret ”luksi”, por paketa e një politike ndihmuese dhe zhvilluese është dhurata e parë.

Nëse flasim me shifra, në 8 vite kanë emigruar 500 mijë qytetarë, ku “ikja e trurit të të rinjve” na rendit të parët në Europë. 65% e vajzave ndihen të dhunuara, 62% e të rinjve nuk besojnë tek partitë politike dhe 57% e vlersojnë me zero pikë pushtetin lokal.

Shqipëria zë vendin e 7 mes 10 kombësive në botë që kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian në shtator të vitit 2021. E trishtë, por treguese që pas 31 vitesh, politika nuk arriti ta bënte Shqipërinë që kishin ëndërruar rinia që shembi dhe rrëzoi bustin e diktatorin Hoxha, që hoqën murin që prej 40 vitesh e kishte futur vendin në një guackë të padepërtueshme.

Kjo politikë e sotme ka ndërruar veç maskën, pasi e përdor rininë si trampotinë për tu hedhur në realizimin e synimeve të pushtetit, autoritetit, luksit dhe sidomos për pasurimit e vet. Rininë e kanë si maskë, e përdorin si imazh në zgjedhje, që të mbushin sheshe, si manekina për mbajtjen e pushtetit. Rinia është në një kohë trampoline, ku e hedh politika sa herë të dëshirojë, luan dhe i tregon sesi të reagojnë.

Të rinjtë intelektualë janë ata që do ta çojnë Shqipërinë në vizionin e shekullit të ri, me ndryshim nga paraardhësit e tyre, të një politike ndryshe, por sigurisht duke u përkrahur nga shoqëria dhe opinioni mbarëpopullor. Rinia ka problemet e saja, por një qeveri që di dhe ka elementët e duhur, rininë tonë e çon në një dimesion tjetër, pasi talentet shqiptare po korrin suksese në botë, dhe e kanë treguar se janë kafshë pune, por sot kemi një rini që është kafshë pune në kafazin e politikës.

Nëse para 31 vitesh u rrëzua muri i diktaturës, sot është koha që hapim kafazin në të cilin politika e ka futur rininë dhe bllokon lirinë e tyre për të marrë në dorë Shqipërinë.

SHKARKO APP