Roland Qafoku: Edi Rama analist do të tallej me Edi Ramën kryeministër

Intervistë me gazetarin Roland Qafoku: E kam parë median të abuzojë, të bëjë gafa, të kërkojë falje. E kam parë median në shumë forma, por në këto 23 vjet media më të çoroditur si aktualisht nuk kam parë

Intervistoi: Mili Xhani

Për gazetarin Roland Qafoku dështimi i negociatave, kriza politike dhe institucionale që po kalon sot vendi e kanë origjinën te modeli i qeverisjes së Edi Ramës dhe konflikti i ashpër pozitë opozitë. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Qafoku deklaron se dështimi i fundit i negociatave, integrimi po kthehet në zhgënjimin më të madh të kombit dhe për këtë përgjegjësia bie mbi të gjithë klasën politike. Duke i kujtuar kryeministrit Edi Rama premtimet e pambajtura në 7 vite, Roland Qafoku shprehet se do të donte që sot të ishte socialist dhe t’i kërkonte Edi Ramës largimin nga qeveria. Arsyet për largimin e kreut të qeverisë, gazetari që e nisi karrierën 23 vjet më parë në “Koha Jonë”, i pasqyron dhe me shkrimet që dikur Edi Rama analist botonte në këtë gazetë. Duke kujtuar këtë periudhë të karrierës së Edi Ramës, Qafoku shprehet se “Edi Rama analist do tallej me Edi Ramën kryeministër”.

Çfarë mendon dhe si ndjehet një gazetar që e ka nisur karrierën në vitet ‘90 duke shkuar për integrimin e afërt të Shqipërisë në BE dhe në vitin 2019 i duhet sërish të shkruaj që Shqipërinë nuk i hapen ende as negociatat?

Nuk ke nga t’ia nisësh. Po mbushen 30 vjet që nga rrëzimi i diktaturës dhe jo vetëm që nuk jemi anëtar të BE-së, por jemi aq larg sa parashikuesit më optimistë të këtij procesi mendojnë se do të duhen edhe 15 vjet të tjera. Pra, 45 vjet, po aq sa e gjithë diktatura komuniste. Me pak fjalë, integrimi i Shqipërisë në Evropë është zhgënjimi më i madh i këtij kombi. Kemi qenë aq pranë në vitin 1996 sa asnjë shtet tjetër, jo në Ballkan, por as në Evropën Lindore, por sindromi i pëlhurës së Penelopës nga ndoqi për dreq në këto 3 dekada. Kolapset si ai i marsit të vitit 1997 dhe kryengritja antiqeveritare me armë më 14 shtator 1998, konflikti i pandërprerë politik, keqqeverisjet e përsëritura dhe korrupsioni galopant, kanë sjellë prapa se nuk bëhet fjalë as për hapat e tangos. Tranzicioni shqiptar po kalon aq gjatë sa askush nuk e kishte menduar kur u rrëzua komunizmi. Për ta ilustruar këtë kam nxjerr një pasazh të shkurtër nga konferenca për shtyp e kryeministrit Rama më 30 dhjetor 2013, pra vetëm 3 muaj pasi ishte bërë kryeministër: “Viti 2013 që njësoj si viti 1992, do të shënohet në historinë e re politike të Shqipërisë, si viti i votës popullore që siguroi kthesën e madhe demokratike të vendit tonë”. Sot, ky pasazh sot të bën vetëm për të qeshur.

Si e vlerësoni qëndrimin e Francës? Ishte një JO për arsye që këto ditë në media janë etiketuar dhe si albanofobi dhe racizëm francez ndaj shqiptarëve apo një JO që lidhet me reformat e munguara të Shqipërisë dhe rishikimin e rregullave brenda vetë BE-së?

Padyshim që moshapja e negociatave ishte bllokim që i bëri Franca procesit shqiptar. Presidenti Emanuel Macron tregoi racizëm të hapur ndaj Shqipërisë me argumente aspak bindëse duke vendosur një perde të mirëfilltë ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Vërtetë kjo perde nuk është e hekurt si ajo e Luftës së Ftohtë, por është një perde paragjykuese dhe gjykuese që të irriton për arsyet e mosarsyes që paraqiti kryetari i shtetit francez. Kam lexuar më shumë vëmëndje kushtet dhe mënyra se si janë bërë anëtare shtetet jothemeluese që nisin nga Greqia në vitin 1981 dhe anëtarësimi masiv që vendeve të Lindjes në 2004 me shtete si Polonia, Çekia, Sllovakia, Hungaria, Sllovenia, Malta, Lituania, Letonia, Estonia, Qipro, në 2007 Rumania dhe Bullgaria dhe në 2013 Kroacia. As që nuk krahasohen me kushtet pothuajse të tipit “spartan” që i janë vendosur Shqipërisë rregullisht gjatë procesit të stërgjatur. Cila është arsyeja? Unë po them atë më të dukshmen: Deri më sot asnjë shtet anëtar i BE-së nuk ka popullsi me shumicë myslimane duke konfirmuar konceptin e fshehtë dhe të padeklaruar se BE është një klub i krishterë. Ka edhe arsye të tjera, por tani për tani “kambana e kishës së fshatit mungon prandaj nuk mund të bjerë”.

Megjithatë, problemet nga brenda BE-së mbarojnë këtu. Tani nis problemi ynë. Fakti që Macron bllokon procesin nuk do të thotë që qeveria shqiptare “e ka qarë me lot” punën e saj. Është një turp i madh mënyra se i sforcohet ta paraqesë kjo qeveri pozitën e saj. Një mazhorancë që tashmë ka një konflikt politik të mavijosur, me një gjyqësor të kolapsur në të cilin nuk funksionojnë Gjykata Kushtetuese, e Lartë, e Apeleve, që treguesit ekonomikë i ka skandalozë dhe që abuzimet me fondet publike me shpikjen koncesionar janë të vetmet lajme nga qeveria, është po aq përgjegjëse e këtij bllokimi sa Jo-ja franceze.

Përpos kësaj në vend që kryeministri Rama dhe të tijtë të tregohen kokulur nga ky vendim, të marrë përgjegjësitë dhe të mendojë të gjejnë zgjidhje duke treguar maturi, bëhen qesharakë duke ia atashuar fajin Lulzim Bashës, Sali Berishës, Ilir Metës, Monika Kryemadhit, medias kazan, gjyqtarëve, prokurorëve, ndërkohë që vetë ka hyrë në vitin e shtatë të qeverisjes. Pyetja e vetme me sakarzmë brenda në këto momente është: Zoti kryeministër, po ju a keni ndonjë faj vetë?

Kryeministri thotë se Shqipëria i kreu reformat e kërkuara, por këtë herë ishte viktimë e përplasjes së të mëdhenjve në BE. A ka përgjegjësi Edi Rama për këtë dështim, apo mjafton justifikimi; ne jemi në rregull, po s’kemi çfarë t’i bëjmë Francës?

Më kujtohet se premtimi më madhor i kryeministrit Edi Rama është bërë në shtator të vitit 2013 sapo mori detyrën deklaroi për “EuroNews” se brenda 10 viteve do ta anëtarësonte Shqipërinë në BE. Ky superpremtim ka kaluar pa bujë atëherë se mendja naive e këtij populli ishte te ajo tjetra se Shqipëria do lulëzonte sepse kishin mbërritur titanët e politikës. Pas 6 viteve, ky proces nën drejtimin e saj, qeveria ka dështuar. Ka dështuar 100 për qind. Franca ka faj që ç’ke me të të cilat unë i përmenda përsipër, por kur qeveria i ka punët përtokë me një pushtet që ka rrëshqitur në plan të gjerë dhe në çdo aspekt, si mund të thuash s’kemi ç’ti bëjmë Francës? Vërtetë propaganda ka patur shumë efekte në mënyrën e qeverisjes, por rregulli i propagandës është i tillë që një ditë të kthehet në negativitet.

PS është një parti që e ka çështjen e integrimit, që pas ndërrimit të emrit nga PPSH, e ka pasur pikën kryesore në program. Si shpjegohet që sot gjithë socialistët mendojnë njëlloj si Edi Rama?

PS mund ta ketë patur pikën kryesore në program, por PD ka një arritje në procesin e  integrimit evropian që nuk mund t’ia mohojë kush. Në qeverisjen e PD-së, Shqipëria ishte shteti parë në Lindje që në dhjetor 1995 paraqiti kërkesën zyrtare për anëtarësim në NATO. Nën qeverisjen e PD Shqipëria u anëtarësua në NATO më 1 prill 2009. Nën qeverisjen e PD u realizua më 15 dhjetor 2010 liberalizimi i vizave me BE. Natyrisht nuk mund të mohosh kontributin e qeverisjeve të PS-së në këtë proces.

Ringritja e institucioneve nga trazirat e vitit 1997 dhe angazhimi në krizën e Kosovës në vitin 1998-1999 janë merita të pamohueshme të qeverisë socialiste që kanë ndikuar në procesin e integrimit. Por duhet ta themi troç se si PD dhe PS nuk e kanë eleminuar atë më thelbësoren: konfliktin politik. PD dhe PS nuk besojnë te njëra-tjetra dhe vijojnë të qëndrojnë si dy kulla armike ndaj njëra tjetrës. Për Edi Ramën kjo është edhe më e rëndë për faktin se kur ishte në opozitë reklamonte se sapo të vinte në pushtet, shtrirja e dorës së kundërshtarit politik dhe paqja politike me opozitën do ishte një prioritet e politikës së majtë kur ai të ishte kryeministër. Është për të ardhur keq sepse edhe vetë unë e kam besuar si shumica e shqiptarëve se pas largimit nga politika të Fatos Nanos dhe Sali Berishës si kryetar i PD, politika shqiptare do bëhej me paqësore, më bashkëpunuese. Besoj se unë dhe të tjerë kishim jo pak arsye. Edi Rama dhe Lulzim Basha i përkasin një brezi të ri politikanësh.

Me një mentalitet ndryshe pa ngarkesa vetjake nga sistemi komunist, me arsimin dhe formimin e tyre doemos në mendjen time ky binom politik do të sillte shumë më pak konflikt dhe më shumë bashkëpunim në dobi të vendit. Por sot unë mund them se për përplasjet gati homerike Nano-Berisha ti puthje në ballë. Madje, si gazetar mua por besoj edhe shumë kolegëve na ka marrë malli. Sigurisht që ato përplasje i sollën edhe dëme vendit, por në asnjë rast ato nuk sollën mungesë opozite në parlament, pushtet monist deri më kulmoren dhe më të pabesueshmen mospjesëmarrje në zgjedhje.

Kulmi simbolik i kësaj sjelljeje ishte fjalimi analfabetik i deputetes Majlinda Halili në seancën e të enjtes së kaluar në Kuvend. Të gjithë ia janë turrur asaj sepse falë teknologjisë videoja me fjalën e saj epike është bërë virale. Por në fakt, për mua deputetja Halili nuk ka asnjë faj. Ajo është një viktimë pa faj. Faji është i dy liderëve. I pari i Edi Ramës që e lejoi veten që si kryetar mazhorance ta quajë normal një parlament me një nivel të tillë. Pikërisht që Rama që arrin të përqeshë edhe Dash Shehin, ai që artikulon më me mendim në politikën shqiptare. Po me Mjalindën e gjorë ç’duhet të bëjë Rama?

I dyti, i Lulzim Bashës që vendosi në listën e PD për deputetë edhe atë që edhe fshati i vetë nuk e zgjedh në krye. Prandaj jam i prirur të them se me Ramën dhe Bashën, Shqipëria ka bërë prapa përsa i përket funksionimit të shtetit, demokracisë dhe se ata nuk mund të krahasohen kurrë me binomin Nano-Berisha.

Veç negociatave që tani kanë mbetur pa datë, Shqipëria ka një sërë krizash të tjera. Është kriza e prodhuar nga reforma në drejtësi që ka lënë vendin pa gjykata. Është kriza e ligjshmërisë së Kuvendit, i cili ka mbetur pa opozitë reale. Është kriza e mes qeverisë dhe Presidentit ndaj të cilit ka nisur shkarkimi. Është kriza e pushtetit vendor që drejtohet me zgjedhje jo legjitime. Në këtë lloj kaosi të krijuar çfarë duhet të bëjë kryeministri, si njeriu që përgjegjësinë kryesore për zgjidhjen e situatës?

Unë në këto momente do të doja të isha socialist. Një socialist që ta donte me zemër PS-në, pa interes, pa kushte dhe me një integritet që tregohet në momente të tilla. Dhe ti thosha kryetarit se shumatorja e të gjitha këtyre krizave ka një dhe vetëm një zgjidhje: Dorëheqjen e kryeministrit. Do doja të isha një socialist i tillë për ta shpëtuar vendin nga mahisja dhe pasojat e këtyre krizave, por edhe PS-në nga atrofizimi dhe tretja nën parimin e njëshit. Të shpëtonte vendin sepse nëse nuk gjendjet një zgjidhje tani, më vonë do ishte shumë vonë dhe pasojat do ishin të rënda.

Të shpëtonte PS-në nga mungesa e demokracisë, ngopja me pushtetin dhe mbytja e fjalës ndryshe. Edi Rama kupton gjithçka dhe si një politikan me 21 vjet përvojë e di që ky moment është i tillë. Por kam frikë se Edi Rama pikërisht në këto momente e ka shumë të vështirë. Tani ai është i rrethuar nga servilë dhe arrogantë të neveritshëm, këshilltarë pa principe që interes kanë vetëm fitimi i milionave, ministra të ngopur dhe tejngopur me pushtetin dhe me një grup politikanësh, aparatkçinj çakej të po këtij pushteti. Nëse përdor fjalorin e vetë Ramës për ministrat e tij sipas letrës së famshme që ai u dërgoi në shtator të vitit 2015, mund të themi se pushteti socialist “ka marrë fatalisht trajtën turkoshake në sjelljen e njerëzve të vet”. Vërtetë Rama u kërkoi bashkëpunëtorëve të tij të hiqnin turkun nga mendja, por këtë nuk e arriti kurrë. E kërkoi me këto fjalë në letër: “Kjo qeveri ka vetëm një armik dhe ky armik është turku që jeton brenda secilit prej jush, o mbyteni o përgatituni për të lënë anijen”. Disa anijen e kanë lënë me apo pa dëshirë, por ama edhe vetë anija po mbytet me ata që kanë mbetur, përfshi edhe Ramën. Këta natyrisht që nuk duan kurrë që Rama të japë dorëheqjen.

Ndërsa cicërimat e Ditmir Bushatit dhe Pandeli Majkos janë të pamjaftueshme në pyllin e PS, në të cilin është aq qetësi saqë arrin të dëgjohet edhe zhurma e rënies së gjetheve. Të dytët janë oligarkët dhe biznesmenët e qeverisë. Ata që synojnë dhe po e arrijnë të jenë pronarë të gjithçkaje në këtë vend edhe pse përfaqësojnë vetëm 5 për qind të të gjithë bizneseve. Këta janë barkëfryrët që e shkatërruan ekonominë e këtij vendi me pangopësinë e tyre dhe me bekimin e vetë Ramës. Këta nuk duan kurrë që Rama të largohet sepse pasojat e para do jenë mbi ta. Por as grupi i parë e as i dytë nuk e kupton se sa dëmtohet vendi dhe vetë PS.

Në të gjithë këtë analizë nuk ka vend për të menduar se kur kërkon dorëheqjen e Ramës ti je kundër qeverisë dhe pro opozitës. Jo e madhe kjo. Por fakti është se Edi Rama dhe qeveria ka një avantazh të madh. Opozita është tapeti i kuq që Rama ecën serbes mes përmes krizave dhe nuk i ndodh gjëja më e vogël.

Çfarë ndodhë me Ramën nëse jep dorëheqjen?

Edhe socialisti më i thekur duhet t’i thotë Ramës se nuk duhet të ketë frikë. Në rastin më të mirë zgjedhjet e reja mund të jenë për të një “restart” i qeverisë së vet. Pastaj me këtë opozitë që çfarë thotë sot, nuk e thotë nesër. Me një kryetar si Basha që në një situatë si kjo lajmëron për konferencë të jashtëzakonshme dhe nuk thotë asgjë, frika është se Rama fiton zgjedhjet edhe sikur ato të bëhen brenda këtij viti.

Sikur Rama të ishte analist i gazetës “Koha Jonë” si dikur si do shkruante ndaj qeverisë “Rama”?

Nëse Edi Rama do shkruante në numrin e nesërm të gazetës “Koha Jonë” editorialin padyshim që do tallej me Ramën kryeministër. Do t’ia rendiste një e nga një thagmat e tij.

Edi Rama analist do tallej me Edi Ramën kryeministër për lajmin e gëzuar që dha se negociatat ishin hapur në 2018.

Edi Rama analist do tallej me Edi Ramën kryeministër se premtoi se brenda 10 viteve do anëtarësonte Shqipërinë në BE dhe pas 6 viteve në pushtet nuk ka arritur të japë negociatat.

Edi Rama analist do tallej me Edi Ramën kryeministër se premtoi lulëzim dhe rilindje të Shqipërisë, por pas 6 viteve nën qeverisjen e tij rreth 300 mijë shqiptarë e kanë lanë Shqipërinë.

Edi Rama analist do tallej me Edi Ramën kryeministër se në 6 vitet e qeverisë së Ramës Shqipëria jo vetëm nuk rilindi por vijoi të jetë vendi më i varfër në kontinent.

Edi Rama analist do tallej me Edi Ramën kryeministër se e vetmja bëmë e madhe në këto gjashtë vjet është kanabizimi masiv i vendin.

Lista mund të bëhet shumë e gjatë dhe nuk ia vlen të vijojmë. Se harrova. Edi Rama analist i “Koha Jonë” do tallej edhe me Edi Ramën kryeministër edhe me premtimin më utopik se do ndërtonte një ishull në mes të lumit Osum në Berat, por ashtu ishte një punë dhe nuk e bëri dot.  Jam i bindur që i gjithë tirazhi i këtij numri të “Koha Jonë” do shitej i gjithë si dikur kur Rama shkruante kundër qeverisë Meksi.

Ndërkohë që pjesa më e madhe e kritikave shkon drejt qeverisë, a mendoni se opozita ka përgjegjësi për këtë situatë?

Analiza e dytë e situatës është për opozitën. Problemi numër një është te kryetari i saj. Në 6 vite ai është kthyer vërtetë në një kryetar të fortë i asaj partie, por nuk ka arritur të bëhet lider. Mungesa e besueshëmrisë është tipari kryesor që e ka shoqëruar Bashën në këto 6 vite. Si mund të besosh te kjo opozitë që ka një kryetar që nuk ka vizion, që nuk është i qartë, që nuk artikulon qartë, që nuk thotë asgjë edhe kur flet dy orë, që edhe ai imiton kryeministrin në përmbajtje duke i ndryshuar vetëm formën. Për të mos vijuar më pas me një pjesë të figurave të saj që nuk kanë moral dhe bëjnë moral. Apo dikush tjetër, që plot siguri rreket të të tregojë se si duhet të funksionojë politika në Shqipëri, por në fakt kjo e thënë prej këtij dikushi për opozitën është shenjë qameti. Troç fare: Kjo opozitë nuk krijon frymë, rrjedhimisht nuk të motivon. Thirrja e Bashës hajdeni në protestë se sot rrëzohet Rama i doli boja, kallaji dhe i ka dalë fundi. Unë nuk e di se çfarë mekanizmash duhet të gjejë kjo opozitë, por di të them se aktualisht kjo mënyrë po bën që Rama të qëndrojë në pushtet sa do vetë ai.

Media dhe gazetarët flasin gjithmonë për politikën dhe shumë pak ose aspak analizojnë apo mbajnë qëndrime për atë që ndodhë brenda vet medias. Si do e vlerësonit funksionimin dhe rolin e medias sot?

Gjithmonë kam qenë partizan i asaj që më mirë një media me abuzime se sa abuzime pa media. Në Shqipëri ka liri të medias, por nuk ka media të lirë. Janë dy tipare kryesore për mua në këtë moment. E para lidhet me faktin se që kur biznesi u fut në media, vetë media mori të gjitha problemet e biznesit. E dyta zhvillimi i teknologjisë, kushtet e një Shqipërie ku liria ende është mall i shtrenjtë kanë ndryshuar shumë median. Kam 23 vjet gazetar dhe e kam parë median shqiptare të mbështesë të majtën, të djathtën. Të mbështesë Nanon, Berishën, PS-në, PD-në. E kam par median të abuzojë, të bëjë gafa, të kërkojë falje, të ngrihet, të ulet dhe të bëjë çfarë i ka dashur qejfi.

E kam par median në shumë forma, por në këto 23 vjet media më të çoroditur si aktualisht nuk kam parë. Pronarë gazetash dhe televizionesh që nuk dinë se çfarë kërkojnë dhe synojnë edhe pse mburren me kërkesat profesionale ndaj gazetarëve. Që për herë të parë në historinë e medias pas viti 1990 ka rënë roli i kryeredaktorit dhe i drejtorit. Një politikan është e mjaftueshme ta ketë mirë me pronarin se më pas gjithçka me kryeredaktorin dhe drejtorin nuk ka asnjë vlerë. Ka rënë roli i gazetarit në atë farë forme aq sa  mund ta krahasosh me një punëtor fasonerie.

Një element tjetër është edhe raporti i qeverisë dhe politikës në media. Opozita akuzon qeverinë se ka blerë median, ndërkohë vetë opozita ka median e saj dhe të preferuarit e saj. Kjo është aq qesharake sa të bën të mendosh se nëse një ditë bie kjo qeveri, mënyra se si do sillet qeveria e re me median nuk do ketë ndryshim. Nga mënyra se si funksion, raportet me median në PD në opozitë ngjajnë si ato të PS në pushtet.

Pak ditë më parë njoftuat largimin nga “ChannelOne”. Përse vendosët t’i jepni fund një bashkëpunimi shumë të gjatë me “Yldon Media Group” dhe ku do të jetë stacioni i ri i emisionit “Debati”?

Po është e vërtetë, pas afro 7 vjetësh drejtues i emisionit “Debati” në “Channel One” dhe afro 3 vjetësh drejtor i Informacionit në “Ora News” unë nuk vijoj më bashkëpunimin me “Yldon Media Gruop”. Por mendoj që çdo projekt ka një fillim dhe një fund dhe mjerë ai që nuk e kupton këtë. Nga përvoja ime jetësore dhe karriera në media kam konkluduar se asnjë punë dhe detyrë nuk është e përhershme. Kështu që edhe bashkëpunimi im me këtë media do kishte një fund dhe ky erdhi. Ndjehem krenar për punën që kam bërë dhe dhënë në dy televizionet “Ora News” dhe “Channel One”. 642 puntata në emisionin “Debati në Channel One” me një galeri personazhesh nga shumë fusha shtresa e karakteresh, me debate interesante në studio dhe të ftuar po aq interesantë, me inserte, analiza, speciale dhe dokumentarë të vlerësuar, më bëjnë të ndjehem shumë mirë për këtë bilanc pozitiv. Përsa i përket të ardhmes, jam në bisedime dhe negociata me disa televizione. Besoj se shumë shpejt do jem me një projekt të ri. Karriera ime si gazetar ka qenë dhe është e lidhur me sfidat.

SHKARKO APP