Rriten sërish shifrat, 4 viktima dhe 124 raste të reja nga Covid-19

Në 24 orët e fundit kanë humbur jetën si pasojë e Covid-19, 4 pacientë. Dr.Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetiti Publik, në deklaratën për mediat, tha se ”Nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen një 76-vjeçare nga Shkodra dhe 3 qytetarë nga Tirana; një 50-vjeçar; një 75-vjeçar dhe një 76-vjeçar. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve dhe të afërmve”.

Nga ana tjetër, ajo tha se rastet ditore janë 124. ”Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 33 raste në Tiranë, 19 në Elbasan, 9 në Mirditë, 8 në Lushnje, nga 7 raste Fier, Krujë, 6 në Korçë, nga 4 raste në Shkodër, Durrës, Vlorë, Divjakë, 3 në Tropojë, nga 2 raste në Kurbin, Lezhë, Pukë, nga 1 rast në Kavajë, Kamëz, Pogradec, Tepelenë, Fushë-Arrëz, Dibër, Malësi e Madhe, Vorë, Maliq, Patos”.

Lajmi i mirë është se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 41 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3268, që nga fillimi i epidemisë. ”Rreth 1600 mjekë familjeje në të gjithë vendin po ndjekin personat aktivë me Covid-19, që janë në banesë. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 116 pacientë të konfirmuar pozitivë me Covid-19, 19 pacientë janë në terapi intensive, 4 prej të cilëve të intubuar”.

Në fund, Dervishi pati dhe një apel për qytetarët që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura. ”Ruani distancën fizike, lani shpesh duart, përdorni maska ose barriera mbrojtëse në ambiente publike apo kudo ku nuk është e mundur të ruhet distanca, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni. Në rast se dyshoni se jeni i prekur nga Covid-19 apo keni patur kontakte me persona të prekur, izolohuni. Në rast se keni shenja të sëmundjes, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127. Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid-19”.

SHKARKO APP