Rritja e çmimeve, Kryemadhi: Të anulohet koncensioni i inceneratorit të Tiranës dhe paratë ti marrin shqiptarët
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi i jep qeverisë një zgjidhje për të ndihmur popullin në këtë kohë ku çmimet janë rritur. Ajo ka kërkuar nga qeveria anulimin e koncensionit për inceneratorit të Tiranës dhe me paratë e përfituara të subvecionohen familjet, fermerët dhe bizneset shqiptare, për të përballuar shtrenjtimin e naftës, energjisë dhe çmimeve.
Postimi i plotë
Anulloni koncesionin e inceneratorit të Tiranës dhe subvenciononi me ato para familjet, fermerët, bizneset shqiptare, për të përballuar shtrenjtimin e naftës, energjisë dhe çmimeve! Është fakt se ky koncesion 30-vjeçar është mundësuar nga Erion Veliaj, i cili ka shpërdoruar detyrën duke e aprovuar atë pa vendim këshilli bashkiak, siç e parashikon ligji.
Ky koncesion 30 vjeçar i lidhur për të vjedhur qytetarët, i ka mundësuar ITS së Klodian Zotos të realizojë deri më sot një evazion fiskal 25 milionë dollarë. Ky koncesion i mundësuar nga Erion Veliaj, i ka çuar paratë e qytetarëve për kompani fantazëm, për shpenzime absurde si konsulenca të vetvetes dhe udhëtime luksoze në mesin e pandemisë.
Këto janë para të shqiptarëve! Sot, kryeministri e qeveria është nisur drejt Dubait me Charter, pronarët e inceneratorëve mund të jenë duke bërë plazh në Maldive, ndërsa shqiptarët e vjedhur prej tyre, në orën 17:00 do të jenë në protestë para kryeministrisë!
Unë zgjedh të jem me qytetarët dhe është koha që të gjithë të jemi me Shqipërinë.
Kjo pritet edhe nga SPAK, i cili urohet të veprojë sa më shpejt, ndryshe nga rasti i Elbasanit, e të mos presë 30 vjet, derisa kompania ti ketë marrë të gjitha pagesat.