Rritja fiktive e votuesve? Qeveria sjell draftin për regjistrimin e banorëve larg zonave të tyre
Herion Mesi
Rritja fiktive e votuesve në periudha parazgjedhore dhe dyshimet për manipulim të zgjedhjeve duke tentuar ndryshimin e mandateve në zona të caktuara ka qenë shkak përplasjesh të vazhdueshme mes qeverive në pushtet dhe opozitave në të kaluarën. Dhe kur na ndajnë afro 7 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, qeveria ka nisur punën për të shmangur një përplasje të tillë me opozitën, duke nisur llogaritjen e qytetarëve të saj për ti regjistruar në zonat ku ata dëshirojnë të votojnë. Kjo pasi çdo qytetar që vendos të jetë “mik” në shtëpinë e dikujt mund edhe të regjistrohet në gjendjen civile të mikut që e pret atë. Është ky projektligji më i ri që qeveria i propozon Kuvendit për miratim dhe që lë hije dyshimi se ky draft favorizon rritjen fiktive të votuesve në regjistrat e gjendjeve civile në bashki të ndryshme, gjë që do të bëjë të mundur më pas dhe ndryshimin e shpërndarjes së mandateve në Kuvendin e ri që do të ngrihet pas zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës.
Regjistrimi
Konkretisht, projektligji i ri “Për gjendjen civile” që tashmë është depozituar në Kuvend, në nenin 5 të tij që parashikon ndryshimin e nenit 17 të ligjit aktual, në pikën 1 të tij thuhet se një person apo një ose më shumë familje kanë të drejtë të banojnë në vendbanimin e një personi apo të një familjeje tjetër kur nuk kanë lidhje familjare, kur plotësohen standardet e sipërfaqes së banimit për frymë, në përputhje me legjislacionin në fuqi. “Në këtë rast, kryefamiljari i familjes pritëse dhe personi apo kryefamiljari që kërkon të banojë në vendbanimin e tij shprehin vullnetin e tyre për këtë qëllim para nëpunësit të zyrës së gjendjes civile, në juridiksionin e së cilës është vendbanimi i familjes pritëse”,- thuhet në projektligj. Lidhur me këtë çështje, qeveria në relacionin bashkëngjitur projektligjit thekson se dispozita për pranimin në një vendbanim tjetër rregullon këtë marrëdhënie, në drejtim të saktësimeve të mëtejshme, të cilat konsistojnë në hapa proceduriale të nevojshëm për t’u ndërmarrë nga përfaqësues të organeve të vetëqeverisjes vendore, të cilët ngarkohen me përgjegjësinë administrative të kryerjes së verifikimeve direkte në terren, për familjet që ndryshojnë vendbanimin duke u vendosur në banesën e një familjeje tjetër, kur nuk kanë lidhje familjare. “Sqarojmë se ky funksion kërkon bashkëpunimin e shërbimit të gjendjes civile, i cili jo pa qëllim ushtrohet si funksion i deleguar në organet e vetëqeverisjes vendore, që gëzojnë autonomi dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre në bazë të parimit të subsidiarietetit, si një shërbim që ofrohet sa më pranë komunitetit. Kjo procedurë është konsideruar e nevojshme nisur nga raste të ndeshura në praktikë, kur realisht për familjet ardhëse nuk ekzistojnë, apo përmbushen kushtet potenciale të banimit. Në këtë aspekt, përfshirja e kësaj strukture e bën këtë procedurë më të kontrollueshme në lidhje me ushtrimin e autoritetit shtetëror”,- sqaron qeveria në relacionin e saj. Ndërsa në pikën 2 të këtij neni, projektligji thekson se, “në rast të lidhjeve familjare të vërtetuara, pranimi i personit apo i familjes në vendbanimin e ri bëhet në bazë të deklarimit të tyre para nëpunësit të zyrës së gjendjes civile, në juridiksionin e së cilës është vendbanimi i familjes pritëse”. Po ashtu në pikën 3 sqarohet se nëpunësi i ngarkuar i bashkisë/njësisë administrative, në juridiksionin territorial të së cilës ndodhet vendbanimi i ri, kryen verifikimet përkatëse, në lidhje me plotësimin e standardeve të sipërfaqes së banimit për frymë. “Pas kryerjes së verifikimit, nëpunësi përgatit një raport, i cili është pjesë e praktikës që administron nëpunësi i zyrës së gjendjes civile për këtë qëllim”,- thuhet në projektligjin e propozuar nga Këshilli i Ministrave.
Regjistrimi i emigrantëve
Në projektligjin e ri për “Gjendjen Civile” janë parashikuar edhe procedurat e regjistrimit të qytetarëve shqiptarë që nuk jetojnë në Shqipëri. Konkretisht në nenin 6 të draftit që tashmë është depozituar në Kuvend për shqyrtim, është parashikuar deklarimi dhe regjistrimi i adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, sipas legjislacionit përkatës, i cili parashikon periudhën për të cilën bëhet vetëdeklarimi, procedurat për identifikimin dhe regjistrimin e adresës në programin e regjistrimit të adresës, i cili është pjesë përbërëse e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civil. “Pas nenit 21, shtohet neni 21/1, me këtë përmbajtje: Neni 21/1 Deklarimi dhe regjistrimi i adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë – Deklarimi dhe regjistrimi i adresës së shtetasve shqiptarë, të cilët jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, bëhet sipas legjislacionit përkatës.”- thuhet në nenin 6. Për qeverinë shqiptare, emigrantët duhet të regjistrohen në mënyrë që të mund të marrin nga shteti shqiptar shërbimet për të cilat kanë nevojë. Shërbimet fillojnë që nga shërbimet bazike konsullore dhe për dokumentacionin zyrtar që u shërben emigrantëve në shtetet ku jetojnë, deri te shërbimet që deri sot i kanë marrë duke ardhur në Shqipëri. Sipas qeverisë procesi i regjistrimit do t’u japë fund hamendjeve në lidhje me numrin e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu, regjistrimi i emigrantëve është cilësuar nga qeveria e majtë si hapi i parë konkret drejt garantimit të të drejtës për të votuar për emigrantët shqiptarë.
KOHA JONË SONDAZH

