Rruga drejt BE, më 17 dhjetor Shqipëria çel një tjetër kapitull

Dy muaj pas hapjes së grupkapitujve të parë të bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Europian, Shqipëria pritet të nisë bisedimet dhe për grupkapitujt e dytë. Ishte presidenca hungareze e BE-së e cila njoftoi mbrëmjen e së premtes se “ambasadorët kanë miratuar qëndrimin e përbashkët të BE-së për grupin 6: Marrëdhëniet me jashtë, duke lejuar që konferenca e tretë ndërqeveritare me Shqipërinë të mbahet më 17 dhjetor”. Njoftimi i bërë përmes një postimi në rrjetin “X”, vë në dukje se “Konferenca ndërqeveritare e javës së ardhshme do të jetë e dyta gjatë presidencës hungareze, duke i bërë jehonë angazhimit të BE-së për të përshpejtuar procesin e pranimit, me vendet kandidate”.

Shqipëria nisi bisedimet konkrete të anëtarësimit me Bashkimin Europian, për grupkapitujt e parë, më 15 tetor. I quajtur “Themelorët”, ky grupkapitujsh, është dhe më kryesori. Ai hapet i pari dhe mbyllet i fundit, duke qenë se prekin tema me peshë që nga gjyqësori dhe të Drejtat themelore, te Drejtësia e Siguria, Prokurimet publike, Statistikat dhe Kontrolli financiar.

Grupkapitujt që priten të hapen javën e ardhshme përfshijnë Marrëdhëniet me jashtë (kapitulli 30) dhe Politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes (kapitulli 31). Ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó, e kishte paralajmëruar diçka të tillë që në muajin tetor, duke vlerësuar madje se “është e qartë që praktikisht, pragmatikisht, po ta shohësh këtë çështje, Shqipëria është gati”.

Shqipëria mori nga Komisioni Evropian rekomandimin për hapjen e bisedimeve në vitin 2018 ndërsa nga Këshilli Evropian në mars të vitit 2020. U deshën dy vite të tjera që mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian të mbahej, konferenca e parë ndërqeveritare. Dhe vetëm në tetor, pas edhe dy vitesh të tjera, vendi hyri realisht në procesin e anëtarësimit, me nisjen e bisedimeve për grupkapitujt e parë.

Qeveria shqiptare ka shprehur publikisht ambicien për anëtarësim të vendit deri në vitin 2030, dhe mbylljen e procesit të bisedimeve brenda tre viteve të ardhshme, siç nuk ka ndodhur deri më tani me asnjë vend tjetër më parë.

SHKARKO APP