Rruga e re në Borsh u ça pas ”dy pikave shiu”, KLSH zbarkon në terren për kontrolle
Prej disa ditësh vendi ndodhet nën ”sundimin” e temperaturave nën minus, ku përmbytjet në një pjesë të madhe të vendit gjithashtu nuk kanë munguar. Një nga ngjarjet e bujshme është edhe çarja dhe rrëshqitja e rrugës nacionale Llogara-Borsh, e cila është një pikë kyçe për jugun e Shqipërisë, dhe para një viti ishte rikonstruktuar.
Pas çarjes në mes dhe fundosjes së aksit si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë duke u bërë e pakalueshme, përveç ARRSH-së edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ngritur një grup të posaçëm për të kryer një auditim për të zbuluar shkaqet e shembjes. Audituesit kanë parë në terren dëmet e shkaktuara si pasojë e rrëshqitjeve së rrugës, duke kryer dhe raportin përkatës.
Aktualisht rruga kalohet me shumë vështirësi, ndërsa pjesa ku ka rrëshqitur është mbuluar me qëllim që ujërat e shirave mos të vijojnë të depërtojnë te pjesa e dëmtuar. Kontrolli i Lartë i Shtetit po shikon me imtësi të gjithë procedurën që prej anës dokumentare për mirëmbajtjen e rrugës dhe deri te ndërhyrjet fizike që janë kryer apo nuk janë kryer në të.
Dy inxhinierët auditues të KLSH-së janë pjesë e grupit që po kryen dhe verifikimin e dokumentacioneve për këtë projekt. Rruga e shembur i përket zonës D, në rajonin jugor-Vlorë-Gjirokastër, me gjatësi 350 kilometra, dhe me vlerë 13.7 milionë euro u shpall fitues një konsorcium i përbërë nga kompania ”Elicatechnical Commerce Societa” dhe kompania ”Salillari sh.p.k”. Financimi për të gjitha rrugët në Shqipëri për mirëmbajtjen ka qenë 128 milion euro në total, nga të cilat 65.9 janë dhënë nga Banka Botërore.
Kompania ”Salillari sh.p.k”, e ka rikonstruktuar vetëm një vit para këtë rrugë, e cila ka qenë e ndërtuar gjatë viteve 2006-2008, ndërkohë që gjatë pranverës së kaluar u bë riveshje e asfaltit, pasi kishte filluar çarje e asfaltit. Rruga është çarë në një segment prej 50 metër. Kjo pamje është e frikshme, pasi mund të ishte kthyer në një vend vdekjesh dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi.