Rruga e re që lidh fshatin Shëngjin me qendrën e fshatit Shën Mëri, Veliaj: Infrastruktura po sjell ekonomi edhe në fshatra
Bashkia e Tiranës ka përfunduar ndërtimin e rrugës së re që lidh fshatin Shëngjin me fshatin Shën Mëri në Shëngjergj. Kjo rrugë u vjen në ndihmë jo vetëm një mijë banorëve të zonës, por hap edhe një perspektivë te re zhvillimi ekonomik. Përfundimi i punimeve u ndoq nga afër nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS, Xhemal Qefalia, të cilët theksuan se përmirësimi i infrastrukturës sjell rigjallërimin e zonave rurale.
“Nëse shikon cilësinë se si është punuar këtu, nuk dallon fare nga punët që bëhen në qytet. Kjo është provë e standardit të barabartë. Edhe rruga e re e Krrabës solli jetë. Rruga sjell mundësi dhe unë besoj se do të rikthejë jo vetëm njerëzit që i kanë rrënjët e tyre në fshat, por jam i sigurt se do të sjellë njerëz nga qyteti që, ose duan të dalin në pension këtu, ose të hapin një agroturizëm, ose të investojnë në tokat e fshatit. Kur bëmë rrugën e re të Qehasë, atëherë nuk kalonte njeri, ndërkohë sapo mbaroi rruga, metri katror shkoi nga 10-15 mijë lek në 100-120 euro”, tha Veliaj.
Në planet e Bashkisë së Tiranës është dhe rigjallërimi i jetës në fshatra, me aktivitete të shumta social-kulturore, që sjellin më shumë ekonomi. “Befas rruga kthehet në një mundësi të shumëfishtë, që krijon ekonomi për fshatin. Na duhet të kapim kohën e humbur. Kemi pasur 30 vite letargji, njerëzit kanë ikur dhe ekonomia rurale është reduktuar, kështu që tani na duhet ta shtojmë. Një nga planet tona është të sjellim jetë në këto komunitete. Pra, fillimisht rrugë dhe infrastrukturë, pastaj siç kemi bërë “Festën e Domates”, “Festën e Vreshtit” apo “Festën e Vajit”, e kështu do të gjejmë edhe për fshatin Shën Mëri një arsye që të kthejmë njerëzit këtu”, nënvizoi Veliaj.
Kreu i Bashkisë u shpreh se shembujt e suksesit janë të shumta, sikurse Farka dhe Dajti, ku falë investimeve, është rritur jo vetëm vlera e tokës, por edhe ekonomia e familjeve. “Shumë fshatra ose zona rurale që ne i nisëm me projektet përpara 8 vitesh, sot thuasje janë bërë si zonat urbane, në mos edhe më të çmuara, për nga vlera e tokës apo e shtëpive në ato vende. Sot Farka apo Dajti janë bërë zona elitare sepse kanë pasur një lidhje direkte mes investimit të rrugës dhe ekonomisë që ka ardhur në atë fshat. Më në fund, mund të themi se ShënGjergji, Shën Mëria dhe ShënGjini sot janë lidhur mjaftueshëm me infrastrukturë për të qenë ndoshta një vend ideal për fundjavë, për të lidhur prapë rrënjët me fshatin”, shtoi Veliaj.
Në emër të gjithë banorëve, deputeti i zonës, Xhemal Qefalia shprehu mirënjohjen për vëmendjen që bashkia i ka kushtuar përmirësimit të infrastrukturës edhe në zonat rurale. “Ky është investimi që i bëhet këtyre zonave. Ndihem shumë i vlerësuar si deputet i zonës, që fjalët e dhëna nga kryetari i Bashkisë janë bërë realitet. Fakti që ai fitoi me 60 mijë vota plus tregon se ai e mban fjalën, i mban premtimet e dhëna dhe është këtu sot për qytetarët, jo se kemi votim nesër, por për t’u shërbyer atyre edhe në të ardhmen”, tha Qefalia.
Krahas ndërtimit të rrugës që lidh fshatin Shengjin me qëndrën e fshatit Shën Mëri, është realizuar dhe sistemimi i oborrit të shkollës ”Vesel Tila” dhe i ambienteve në afërsi të saj.