Rudolf Marku: Ndryshe për Ndoc Gjetjen!
Nga Rudolf Marku –
Bëhen dhjetë vite që kur poeti Ndoc Gjetja ndërroi jetë.
Më kujtohet se si, plot dhjetë vite më parë, Preç Zogaj më dërgoi një tekst të shkurt: I dashur mik. Kam një lajm të hidhur për ty: Ndoci na la!
Ndoc Gjetja ka qënë dhe mbetet një poet që shquhet për ngrohtësinë e fjalës së sinqertë, për natyrshmërinë dhe shpirtësinë poetike dhe për zhdukjen e barrierirës mes fjalës së shkruar dhe fjalës së folur. Jo të gjithë poetët arrijnë ta bëjnë këtë! Ndoci shkruante në atë mënyrë si fliste dhe si mendonte në jetën e përditshme. Ai ishte krijuesi që jetonte çdo minut të jetës së vet, me poezinë.
Herën e fundit që e takova, pas 15 vitesh ndarjeje, më pyeti nëse Walt Whitman, poeti që ai e donte më shumë nga çdo poet tjetër në këtë botë, vlerësohet prapë në Angli! Pyetjen ma bëri në shtëpinë e tij, buzë Drinit, tek pinim një kafe turke. U qetësua kur i dhashë sigurinë e pa-autorizuar nga askush se Walt Whitman mbetet prapë një poet tepër i vlerësuar jo vetëm në Angli, por dhe në SHBA!
Lexoj shumë shkrime për Ndoc Gjetjen, një tregues zemër ngrohës i popullaritetit të tij.Vleresoj nje liber shkruar nga Kujtim Dashi- i sakte dhe fisnik. Por jo të gjithë shkrimet janë për t’u lavdëruar. Kam lexuar në këto shkrime për varfërinë e Ndocit. Për vetminë e tij. Madje dhe për braktisjen e tij. Dhe për fatkkeqësinë e tij. As varfëria dhe as pasuria nuk janë element determinues në krijimtarinë e Poetit. Ndoc Gjetja mbetet një krijues që kishte një dinjitet të madh. Kurr nuk fliste për varfërinë e vet. Sepse varfëria e tij ishte një pjesë e varfërisë që e ndanim të gjithë ne në mënyrën më të barabartë. Dhe nuk qe kurr i vetmuar. Si mund të jetë një Poet i vetmuar, kur ai shoqërohet çdo ditë nga Muza poetike e vet? Dhe kurr i braktisur. Madje mund të them se ishte më tepër nga ç’duhej i rrethuar nga njerëz të gabuar, banalë dhe intelektualisht provincial. Ata që e duan me të vertetë Ndoc Gjetjen duhet të lexojnë poezitë e tij. Dhe të shkruajnë për poezinë e tij. Jo në mënyrë banale anakdotike. Por për vlerat e poezis së tij. Dhe ata që duan të ankohen, duhet t’u shkoj ndërmend se dhe Pallati i Kulturës së qytetit të vogël të Lezhës nuk mban as emërin e Ndoc Gjetjes dhe as atë të Gjergj Fishtës. Dhe as ndonjë Shkollë e Lezhës. Madje as dhe ndonjë rrugë në njëren nga qoshet e qytetit ku ai jetoi dhe ndërroi jetë!
Më poshtë kam nderin të postoj një Poezi të mrekullueshme të Preç Zogajt për Ndoc Gjetjen.
Si një shëmbull se si mund të shkruhet dhe kujtohet, me dinjitetin e fjalës së kulturuar dhe plot dritë talenti, një mik Poet si Ndoc Gjetja!
Preç Zogaj
Në vdekjen e Ndoc Gjetjes
Fragment nga poezia “ Na ishte njeherë qyteti i poetëve”
…….
Por vdekja aq e largët, aq fisnike
u thirr në punë nga përditshmëria,
me dorë të lehtë, thonë, ia ndali zemrën,
sa nuk u mor vesh… Gjersa shkrepi në xhama
mëngjesi me gishta ngjyrë trëndafili,
dhe kapakët e syve të tij nuk lëvizën
si përherë
në shenjë
falënderimi.
……….
Shtrirë mu në heshtjen e pasosur
dergjet çfarë nuk tha e nuk shkroi:
Mënyra e tij e të ecurit plot nderim për të ecurën,
Mënyra e tij e të folurit plot respekt për të folurën,
Mënyra e tij e të qeshurit, mahni për të qeshurën;
Pushon të menduarit e pastër, thjeshtësia,
Pushon ndërshmëria qe e kishim frikë
si pasqyrën e engjëllit që na tregon vetiu
çfarë kemi,
por s’duam
të kemi në shpirt.
Qershor, 2010