Sabit Brokaj: Enver Hoxha duhet vlerësuar si komandant lufte. Deklarata e Arvizu, e papranueshme

Sipas tij, në këtë mënyrë Arvizu ka fyer dhe cenuar ata veteranë që kanë luftuar bashkë me të. Brokaj shprehet se Hoxha u ka ardhur në ndihmë SHBA-ve dhe NATO-s kur largoi bazën ushtarake sovjetike nga gjiri i Vlorës, që ishte një kërcënim eventual për Perëndimin.

Ai ndërkohë shprehet i zhgënjyer me festimin e 70-vjetorit të çlirimit. “Po ta përmblidhja mendimin, do të thosha se është shumë më pak nga pritshmëria. Ndoshta atë momentin e asaj dite ta bëjnë madhështore, por ne nuk prisnim vetëm atë.

Ky 70-vjetor duhet të ripërtërinte, të rehabilitonte të gjithë aspektin fizik të demonstruar të asaj lufte. Kam parasysh monumentet, përmendoret, lapidarët, varrezat e dëshmorëve. Nuk e di se sa do të ndihemi mirë që edhe në këtë 70- vjetor shumë pllaka të varreve të dëshmorëve janë të thyera apo lapidarë të thyer dhe të zhdukur. Kjo tregon realisht që nuk e kemi pasur shumë për zemër apo nuk e kemi parë me atë dinjitet që meriton këtë përvjetor.

Këtu do të thosha drejtpërdrejt që qeveria nuk e ka realizuar në këtë drejtim madhështinë e festës dhe atë që i takonte . Mua më kujtohet revolta e veteranëve 20 e ca vjet përpara, kur shikonin turmat, banditët vandalë që shkatërronin varrezat e dëshmorëve. Ne atëherë, që ishim në pozicion të vështirë politik, u premtonim atyre që shumë shpejt do të ndryshojë pushteti dhe kjo pasuri e madhe, që me sa duket e djathta nuk e dashka, do të rikthehet në vendin e vet, sepse për ne të majtët kjo është pasuri e madhe e historisë së shqiptarëve. Sot nuk ndihem mirë që në këtë 70-vjetor të Çlirimit nuk janë rehabilituar gjurmët e kësaj lufte çlirimtare dhe kujtimi i atyre të rinjve që dhanë jetën”, thotë ai.

SHKARKO APP