Salianji: LSI, aleatja më e rëndësishme e Frontit Opozitar

Deputeti i Partisë Demokratike: Shumë shpejt dosje të reja për Edi Ramën dhe qeverinë. Abuzuesit do të përgjigjen para ligjit

Intervistoi: Jonida Halili

Deputeti i PD-së, Ervin Salianji shprehet se LSI-ja është një nga aleatët e rëndësishëm të frontit opozitarë kundër qeverisë. Ndryshe nga një pjesë e aleatëve të PD-së që janë skeptik për këtë bashkëpunim, deputeti i PD-së thotë se bashkimi PD-LSI në Kuvend e ka bërë opozitën më të madhe, por edhe të barabartë me votat që ka Rilindja. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Salianji thekson se qëllimi i protestave të opozitës nuk është vetëm largimi i qeverisë, por edhe dërgimi para drejtësisë i kryeministrit dhe ministrave që kanë abuzuar. “Protesta e datës 27 është vazhdim i reagimit të opozitës për puçin kushtetues të Ramës për të kapur drejtësinë. Protesta do të jetë paqësore, e mirëorganizuar dhe masive. Opozita paralajmëroi që Edi Rama do të kapte prokurorinë dhe drejtësinë duke e përdorur prokurorinë si pushkë për te eleminuar kundërshtarët brenda dhe jashtë partisë së vet, sot po bën fiks këtë që ne paralajmëruam, pas zgjedhjes së prokurorit janë liruar Frroku mik i Ramës, anëtarë të grupit të Xibrakës, Orest Sota, pashaporta e Tahirit etj”,-deklaron Salianji lidhur me protestën e paralajmëruar të opozitës.

z.Salianji, opozita paralajmëroi protesta masive në Janar pas zgjedhjes së Kryeprokurores së përgjithshme të përkohshme. Cili është qëllimi final i këtyre protestave dhe si do të organizohen ato?

Opozita paralajmëroi që shkelja e Kushtetutës dhe tentativa për ta shkatërruar bashkëjetesën demokratike në këtë vend duke shkelur themelet e bashkëjetesës do të kishte reagim proporcional dhe të merituar. Ne reaguam para shkeljes së Kushtetutës, reaguam në seancë dhe jashtë parlamentit duke protestuar dhe sensibilizuar qytetarët por edhe faktorin ndërkombëtar për shkeljen e kushtetutës. Rama pavarësisht paralajmërimeve dhe njohjes së pasojave që sjell një veprim i tillë vendosi që të emërojë veten kryeprokuror nga frika e hetimeve për të dhe për persona familjarë apo bashkëpunëtorë të afërt të lidhur me të me njëmijë fije. Protesta e datës 27 është vazhdim i reagimit të opozitës për puçin kushtetues të Ramës për të kapur drejtësinë.

Protesta e datës 27 do të jetë paqësore, e mirëorganizuar dhe masive. Opozita paralajmëroi që Edi Rama do të kapte prokurorinë dhe drejtësinë duke e përdorur prokurorinë si pushkë për te eliminuar kundërshtarët brenda dhe jashtë partisë së vet, sot po bën fiks këtë që ne paralajmëruam, pas zgjedhjes së prokurorit janë liruar Frroku mik i Ramës, anëtarë të grupit të Xibrakës, Orest Sota, pashaporta e Tahirit etj. Ne e kemi denoncuar dhe paralajmëruar këtë situatë dhe rrezikshmërinë që krimi të ketë në dorë edhe prokurorinë dhe gjykatat. Me këtë kartë morale të fortë opozita ka legjitimitetin për të thërritur njerëzit në protestë dhe për ti dhënë shpresë vendit. Në këtë front opozitar bashkohen edhe parti të tjera të cilat nuk bien dakord me qeverinë.

LSI është një prej partive aleate e rëndësishme e frontit opozitar duke e bërë opozitën edhe numerikisht të madhe në parlament me 64 deputetë, por edhe në numër votash thuajse të barabartë me numrin e votuesve që ka blerë Rilindja. Ky front ka qëllim të mbrojë themelet e shtetit dhe të ruajë demokracinë, qëllimi i protestave është largimi i Edi Ramës, krijimi i një qeverie antimafia me mandat të qartë për të luftuar drogën e krimin, për të bërë dekriminalizimin e institucioneve, implementimin e plotë të reformës në drejtësi dhe reformën e plotë zgjedhore. Ky do ishte një pakt që do ti hapte rrugën të ardhmes së Shqipërisë europiane, deri sot frika e Edi Ramës prej burgut dhe pengmarrja që i ka bërë krimi janë pengesa për zhvillimin e Shqipërisë.

Të hënën Qeveria shkarkoi nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, një nga zyrtarët që bashkë me Saimir Tahirin janë akuzuar shpesh nga opozita për kanabizimin e vendi. Ky largim vjen nga akuzat e opozitës, apo problemeve brenda vet institucioneve dhe mazhorancës?

Është thjesht një përplasje klanesh brenda Rilindjes, lufta ndaj krimit dhe drogës pavarësisht se kush ikën dhe kush vjen jo vetëm që është në nivele minimale, por përkrahja e shtetit dhe lidhja e qeverisë me krimin është në situatën më alarmante. Kanabizimi dhe përdorja e kriminelëve është projekt politik i tij dhe zgjidhet me largimin e Ramës, gjithcka tjetër është luftë për pushtet brenda bandës dhe nuk sjell asnjë ndryshimn për qytetarët.

Këto gjashtë muaj janë të rëndësishëm për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE. Kryeministri Edi Rama kërkoi bashkëpunim për interesa të vendit me opozitën duke shtrirë dorën e konsensusit. Çfarë qëndrimi do të mbajë PD për ligjet dhe reformat që lidhen direkt me intergimin?

Ne si opozitë kemi dhenë cdo mbështetje për gjithcka ka të bëjë me procesin e integrimit. Partia Demokratike ka paraqitur rezolute që është miratuar në parlament nga të gjitha partitë politike ku shpreh mbështetjen për këtë proces. Nga ana tjetër përgjegjësinë për integrimin e ka qeveria, nëse qeveria vjedh dhe ne e tregojmë që vjedh fajin nuk e kemi ne që denoncojmë por këta që vjedhin. Ndërkohë që protesta është një instrument që shërben për të përmirësuar cilësinë e demokracisë dhe protesta është shenjë e civilizimit dhe rritjes së ndërgjegjësimit qytetar.  Edhe Bashar Al Asadi i bën thirrje opozitës të ulet për negociata në formën që i bën Rama, ulem,i për fasadë!

Duke protestuar dhe bojkotuar, pavarësisht argumenteve që keni, a nuk rrezikon PD dhe opozita mund të marrë koston e bllokimit të negociatave dhe kritika nga BE?

50 vite nuk u protestua në këtë vend dhe kjo apati na largoi pafund nga Europa kështu që ky është argument i dëshperuar i qeverisë.

Gazeta “Rilindja Demokratike”, pak ditë më parë ka festuar 27-vjetorin e themelimit të saj. Mes shumë të ftuarve ra në sy edhe pjesëmarrja e deputetit demokrat Astrit Patozi, madje pati dhe shtrëngim duarsh me kreun Basha. A ishte ky hapi i pari drejt një ribashkëpunimi për të forcuar Partinë Demokratike?

Bashkimi i demokratëve behët duke vlerësuar kontributet e gjithsecilit por edhe duke njohur autoritetin që delegon anëtarësia. Vlerësimi i kujtdo në raport me kontributin, kapacitetet, pëlqyeshmërinë është detyrë e kryetarit të partisë për ti dhënë zgjidhje.

Ka zëra brenda PD-së që thonë se Basha po e ndan PD-në për interesat e tij, cili është komenti juaj?

Mendoj që interesi i Bashës përputhet plotësisht me interesin e demokratëve që është të sjellë sa më parë në qeverisje Partinë Demokratike, për këtë është mandatuar nga demokratët dhe për këtë do të përgjigjet para tyre kur të vijnë zgjedhjet.

Përmendet shpesh lidhja e qeverisë me krimin. Opozita thotë se ka dosje që i ka bërë publike, ndërkohë Basha nga ana tjetër thotë se ka dosje të tjera më të rënda. Ku janë këta dosje dhe kur pritet të publikohen?

Shumë shpejt, ne jemi duke kryqëzuar të dhënat kemi për ministra apo deputetë të përfshirë në afera të rënda, pasi ti verifikojmë plotësisht dhe të kemi të plotë do të bëhen publike.

PS akuzon PD se ka paguar për lobim në qeverinë amerikane. Keni dijeni dhe cili është opinion juaj për këtë lobing?

Po, është një pagesë e ligjshme e deklaruar sipas ligjit, kjo nuk ka as sekret as paligjshmëri janë publike.

Rama në një anë akuzoi opozitën e në tjetrën i kërkoi PD-së bashkëpunim për çështjen e integrimit. Si e shihni këtë “lojë”. Po kërkon Rama një marrëveshje me Bashën, ku të dale fitues?

Po e bën siç thotë populli “për të larë gojën”. Rama nuk njeh marrëveshje, marrëveshja më e madhe e shoqërisë është Kushtetuta dhe ai e shkel ditën me diell.

Nëse prokurori i ri nuk do ta çojë deri në fund çështjen e Tahirit, a mendoni se kjo është një kauzë e mjaftueshme për të rrëzuar qeverinë?

Me kaq skandale sa janë bërë publike deri sot mendoj që qeveria jo vetëm do të rrëzohet, por do të mbajnë përgjegjësi para ligjit.

SHKARKO APP