Salijanji: Rama, lojë të ndyrë kundër Presidentit. Meta po zbaton Kushtetutën
Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, fajësoi mazhorancën për përplasjen më të fundit mes institucioneve për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.
I ftuar në emisionin “Opinion”, në News24, Salianji deklaroi se vendimi i Presidentit Ilir Meta për të dekretuar si gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese Marsida Xhaferllarin ishte i drejtë, pasi kjo ishte e vetmja në listë.
Ndërkohë, ish-deputeti i PD tha se projektrezoluta e votuar sot në Kuvend nga mazhoranca dhe që pretendon të zgjidhë ngërçin me Kushtetuesen nuk ka asnjë fuqi, dhe sipas tij, “është njësoj sikur të mblidhet Parlamenti nesër dhe me rezolutë të përcaktojë se nuk duhet t’i zërë gripi asnjë nga anëtarët e tij”.
Por thuhet Arta Vorpsi është në listë para …
Kushtetuta e ka përcaktuar qartë që anëtarin e parë e zgjedh Presidenti, pastaj parlamenti, dhe pastaj i vjen sërish radha Presidentit. Xhaferllari i bie të jetë në listë e para, përderisa janë zgjedhur dy anëtaret e tjera nga Parlamenti. Kjo rezolutë që bën parlamenti sot nuk ka asnjë fuqi, është njësoj sikur të mblidhet Parlamenti nesër dhe me rezolutë të përcaktojë se nuk duhet t’i zërë gripi asnjë nga anëtarët e tij. Qëndrimet nuk thonë asgjë, janë procedurat që përcaktojnë.
Çfarë domethënie ka qëndrimi i një institucioni të rëndësisë së veçantë, pra i Parlamentit?
Institucionet përplasen, por në fund e zgjidhin organet e drejtësisë, gjykatat. Qëndrimi i Parlamenti është dëshira e tij “O Zot na e plotëso këtë”. Nuk ka asnjë vlerë rezoluta, është propagandë dhe për të marrë vëmendjen.
A është Gjykata Kushtetuese në ngërç?
Kjo nuk është çështja jonë. Padyshim që Xhaferllari është sot në detyrë, ashtu si dhe dy anëtaret që ka zgjedhur Kuvendi. Lufta me Presidentin, gjasme për shkarkimin e tij, është për të kapur çdo institucion.
Edhe Vorpsi thotë se është në detyrë si gjyqtare e Kushtetueses…
Sa njerëz ka nëpër rrugë që thonë “Jam President i SHBA”, “Kam folur me UFO”, ka plot, disa dalin në media e bëhen qesharakë, disa janë vetëm në rrugë. Ajo nuk u votua në Kuvend, u votuan dy të tjerë. Presidenti ka bërë disa herë shkresa institucionale ndaj KED dhe institucioneve, duke iu thënë të bëjnë zgjedhjen e tyre, që të vijë radha e tij. Nuk ka sens, është budallallëk, nuk mund të jetë si thotë Rilindja, sepse ashtu do Rilindja. Nga pikëpamja ligjore, është tërësisht e qartë, pastaj me dhunë e forma të tjera për të zaptuar institucionet, kjo nuk ka varet nga një procedurë.
Sot Meta bëri thirrjen e fundit, a është përdhosur kushtetuta?
Padyshim që po. Deklarata e presidentit është emocionale, sepse ai nuk është se ka tani ndonjë gjë tjetër, përveç fjalës. Kushtetuta është dhunuar në rastin e zgjedhjeve të paligjshme, në rastin e mbajtjes së gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar, është shkelur për ligjin e teatrit, për prishjen e banesave tek Unaza. Është një republikë patetinash, se kush është më i fortë nga pikëpamja fizike. Është si në epokën e monarkëve absolutëve, ku monarku thoshte se “ligji jam unë”. Të gjithë e dinë që Presidenti, por edhe opozita, nuk ka asnjë instrument për ta bllokuar Reformën në Drejtësi. Institucionet janë të varur nga Rama.
Deklarata e Braçes se anëtari i katër nuk mund të bëhet i parë … Keni një koment për deklaratat e mazhorancës?
E kanë parë të gjithë shqiptarët se Brace shkoi në gjykatë dhe i bëri gjyqin zyrtarit të PS. Pra, këta çfarë nuk mund të thonë. Loja me i katërti, i pari, është kot. Presidenti zgjodhi të vetmen kandidate që ishte në radhë. Këto komente janë banale, të turpshme, të pista. Sistemi i drejtësisë sot drejtohet nga kunetër, motra, vëllezër, baxhanakë, dhe e kanë bërë situatën kështu. Ndaj, komentet e mazhorancës janë pa etikë, si çunat e pazarit që ndajnë pazaret e pista.
Çfarë mund të deklarojë presidenti?
Nuk e di, do sqarojë qytetarët për vendimmarrjen e vet. Më duket do të jetë dhe një qëndrim ndaj budallallëkut të Parlamentit. Betimi i Vorpsit te noterja ishte një budallallëk, që do të mbahet mend gjatë.
A interpretohen ligjet në mënyra të ndryshme te ne?
Kudo kështu ndodh. Madje edhe brenda organeve të administratës ka drejtori të ndryshme, që i interpretojnë ndryshe. Ndaj duhet të ngrihet sa më shpejt Gjykata Kushtetuese, sepse është një akt shumë i rëndësishëm për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e njerëzve. Ka tendencë negative për të dëmtuar Xhaferllarin. Ajo ka kaluar të gjitha hallkat, se ndryshe do ta kishin “djegur” e “vrarë”, por s’i kanë gjetur asnjë cent.
Si e shikoni zgjidhjen?
Është e qartë, me vendosjen e të zgjedhurave, pa Vorpsin. Mund të çmendemi dhe ne sot si PS, të marrim dy emra nga ata që kanë kandiduar për në Gjykatën Kushtetuese, i çojmë te noteri dhe pastaj i bëjmë gjyqtarë.
Si do vini në pushtet?
Me votë. Padiskutim që ne jemi gati për zgjedhje të parakohshme, e themi këtë që në verë. Ne jemi gati për zgjedhje, për t’u përballur me kundërshtarin tonë. Basha po jep platforma të caktuara për çdo fushë. Jemi thuajse në një parafushatë elektorale, për të dhënë zgjidhje për problemet e çdo sektori të qytetarëve. Programi i PD, me ekspertizën e CDU gjermane. Ne marrim edhe propozime e mendime nga qytetarët e grupet e interesit, për t’i përfshirë në programin tonë. Ne kolonat e programit i kemi të qarta, por po marrim edhe mendimin e tyre. Ekonomia është sektori me më shumë prioritet. Ekonomia nuk po merr vëmendjen e duhur, por që është shqetësimi kryesor i qytetarëve. Shumë drama sociale ndodhin nga varfëria.