Sanitarja mashtruese/Rama: Çdo pyll ka derra, por kjo nuk e përbalt trupën e denjë të bluzave të bardha
Kryeministri Edi Rama, teksa ka parë nga afër transformimin e qendrës Shëndetësore nr.1 në Tiranë, foli edhe për rastin e sanitares mashtruese, e cila për një kohë u hoq si infermiere tek spitali ”Shefqet Ndroqi”, dhe i mori 8 milion lekë të vjetra vajzës së pacientes së shtruar në këtë spital. Sipas Ramës, kjo është një ngjarje e rëndë, ku pranon që pyll pa derra nuk ka, por nga ana tjetër thotë se kjo ngjarje nuk e përbalt trupën e denjë të bluzave të bardha.
“Më vjen keq nga historia e sanitares sepse përbalt figurën e mjekëve dhe infermierëve. E gjitha që më ka ngrohur është puna e bërë nga gazetarët investigativë sepse kanë nxjerrë në pah një llum tejet të papërtypshëm dhe nuk kanë provuar përkundrazi me gjithë investigimin e tyre nuk ka rezultuar që ky të ishte një zinxhir. Një kembanë alarmi që njerëzit të mos ndjekin rrugë të tilla. Ne e dimë vetë që nuk ka pyll pa derra dhe të mos gjenden fundërrina të tilla që mund të jenë edhe mjekë. Juve jeni më të ekspozuarit dhe jo vetëm që nuk keni lënë njeri rrugëve sado që kjo flamë nuk pyet për asgjë. Të gjitha këto ndryshime që po bëhen…edhe në këtë aspekt do të ketë ndryshime. Jemi në diskutim për të kaluar në një sistem tjetër. Gjithë problemet e ryshfetit janë zgjidhur me sistem, do të arrijmë ta çojmë në një nivel më të konsoliduar”, tha Rama.
Shoqata e Infermiereve të Shqipërisë, kërkon një hetim të të gjithë personelit mjekësor në spitalet Covid, pas rastit me sanitaren mashtruese, të cilën Gjykata e ka lënë në masën e sigurisë ”arrest me burg”. ”Heronjtë janë shndërruar në vrasës të pacientëve”, thuhet në deklaratë, referuar këtu rastit të Tires Alldervishaj, që duke u hequr si infermiere i mori vajzës së një pacienteje të shtruar tek ”Shefqet Ndroqi” 8 milion lekë të vjetra. Nga ana tjetër, kjo shoqatë kërkon një hetim të të gjithë personelit mjekësor në spitalet Covid, pjesë e së cilëve edhe drejtuesit, me argumentin se asnjë veprim i personelit nuk bëhet pa dijeninë e shefit apo kryeinfermieres, duke ngritur dyshime edhe për rastin në fjalë.
Postimi i plotë
Qendra e Re Shëndetësore Nr.1, Tiranë!
Një tjetër qendër shëndetësore e transformuar rrënjësisht në zinxhirin e 300 qendrave të reja shëndetësore me standarde europiane, në vend të karakatinave 50 e 60 vjeçare ku personeli shëndetësor dhe qytetarët, vuanin bashkarisht mungesën e kushteve!
***dhe një mesazh mbi aktin e shëmtuar të sanitares së ekspozuar nga gazetarët investigativë të emisionit STOP, të cilët meritojnë falenderim e respekt për kontributin e tyre në prangosjen e një personazhi të turpshëm, që në asnjë mënyrë nuk mundet ta përbaltë trupën e denjë të bluzave tona të bardha, çdo pyll ka derrat e vet, po kurrësesi ata që abuzojnë me bluzën e bardhë nuk janë shumica dërrmuese e mjekëve dhe infermierëve të përkushtuar shqiptarë.
https://arkiva.kohajone.com/mori-800-mije-leke-per-pacienten-me-covid-19-lihet-ne-burg-tire-alldervishi/
https://arkiva.kohajone.com/heronjte-jane-shnderruar-ne-vrases-te-pacienteve-shoqata-e-infermiereve-hetim-i-plote-asgje-sbehet-pa-dijenine-e-shefave/