Seanca/ Dështimi i negociatave dhe “lidhjet e krimit me politikën”, pritet të përplasin mazhorancën e opozitën sot në Kuvend
Seanca e sotme plenare, që është dhe e parafundit për këtë sesion parlamentar, parashikon diskutimin e disa çështjeve të rëndësishme, ku mes tyre veçohet miratimi nen për nen dhe në tërësi i projektbuxhetit 2017 dhe paketës fiskale, zgjatja e mandatit të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, votimi i dy anëtarëve të rinj të Autoritetit të Konkurencës, etj.
Por përtej projektligjeve të parashikuara në seancën e sotme, Kuvend pritet të përfshihet në debate të forta, ku nuk do të mungojnë akuzat mes palëve lidhur me dështimin e hapjes së negociatave për integrimin në BE, si shkak i mosrealizimit të reformës në drejtësi, dekriminalizimit, apo edhe të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës nga Shqipëria.
Një fakt i tillë u pohua një ditë më parë edhe nga ambasadori i SHBA-ve në vendin tonë Donald Lu i cili akuzoi klasën politike se po punon për interesat e ngushta të biznesmenëve të mëdhenj, trafikantëve të mëdhenj të drogës.
Rendi i dites
Tre pikat e para të rendit të ditës janë ligje që lidhen me identifikimin elektronik, nënshkrimin dhe dokumentin elektronik, ndërsa pritet të ratifikohet dhe marrëveshja e garancisë me BERZH-n për planin e ristrukturimit të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare(KESH).
Pika e 10-të e rendit të ditës është shqyrtimi nen për nen dhe në tërësi i pr/ligjit të buxhetit dhe i ligjeve të paketës fiskale që e shoqërojnë atë, ndërsa për votim është parashikuar dhe Kodi Hekurudhor, i mbartur nga seancat parardhëse, miratimi i të cilit kërkon shumicë të cilësuar prej 84 votash.
Një tjetër vendimmarrje e ligjvënësve do të jetë edhe miratimi i kandidaturave të Selim Belortasë për ambasador në Kinë dhe Ardiana Hobdarit e propozuar për ambasadore në Greqi.
KOHA JONË SONDAZH

