Seancë e degradimit të gjuhës/ Rama: “Balonë tabake” është metaforë. Tabaku të çojë një fakt në gjykatë

Seanca maratonë prej dy ditësh në Kuvend po vijon edhe këtë mbrëmje. Kryeministri Edi Rama ka marrë fjalën për të sqaruar degradimin e rëndë të gjuhës që nisi nga fakti se i tha Bashës “Lulzim hajde thuaje këtu sa e ka Serbia inputet për bujqësinë ose pyet atë që të jep shifrat ty, megjithëse t’i jep si balonë tabakë”. Nënkryetarja dhe deputetja e PD-së, Jorida Tabaku e ka konsideruar si fyerje, kurse Rama sqaroi deklaratën ndërsa lexon disa prej akuzave të Jorida Tabakut dhe i thotë se e fton në gjykatë të vërtetojë një prej tyre.

Pjesë nga fjala e Edi Ramës 

Ndihem i detyruar të bëj një ndërhyrje tani që seancës po i vjen fundit. Kjo seancë, ndoshta më e rëndësishmja në vitin parlamentar nuk u karakterizua në debate mbi buxhetin, por do të mbahet mend për disa kohë për degradimin e rëndë të gjuhës. Meqënëse për këtë degradim u mor një zanafillë nga fjala ime, e ndjej për detyrë që të sqaroj dhe për opinionion publik, se e zbardhur literalisht ajo që thashë, fjala ime ishte si më poshtë. ”Pyet atë që ke në krah, se ajo ti jep shifrat, megjithëse ti jep si balon tabake”. Mua më kujton një moment tek filmi “Il Postino”, ku nëna i qahet fshatit se postieri kishte turbulluar vajzën me metaforat.

Është e paimagjinueshme që teksa një metaforë kthehet në një akuzë, vazhdon një lumë balte. Duke qenë se kjo nisi me zonjën Tabaku e cila pas kësaj bëri dhe një replikë ku metaforën time që kishte lidhje me shifrat si balon tabake, pra shifrat si balon tabake, gjë që e kthjellova dhe më tutje duke thënë që është roli më prezentabël i balonës dhe duke qenë se edhe më tutje zonja Tabaku u ankua para Kuvendit se qenka një trend, kam ardhur këtu në një prej vendimeve të gjykatës, një prej tyre që ka të bëjë pikërisht me zonjën Tabaku dhe e kam sjellë këtu për të thënë se ka një ndryshim shumë të madh mes retorikës, metaforave dhe mes sharjeve, shpifjeve apo akuzave me sfond për individin.

Janë ndryshime shumë të mëdha sepse përndryshe kthehemi në kohëra shumë të errëta kur njerëzit gjykoheshin. Në një rast konkret citoj zonjën Tabaku ”Gënjen në shumicën dërrmuese saqë është e vështirë të ndash fiksionet e një njeriu të zënë në barrën e korrupsionit, krimit të organizuar dhe shkatërrimit të saj. Më pas, pikat e basteve dhe kazinove janë drejtuar nga njerëz të tillë dhe jo vetëm nuk kanë ngritur gishtin”, ky jam unë prap dhe me radhë të tjera. Ky është problem me komunikimin, me metaforat dhe me akuzat të cilat pretendojnë të jenë të ngritura mbi fakte.

Për të gjithë këtë çarçaf që nuk po e shtrij këtu para jush të gjithin, e kam ftuar Tabakun të çojë në gjykatë një fakt të vetëm për të provuar të gjithë këto akuza. Pa hyrë tek çfarë ka thënë gjykata, e cila natyrisht ka kërkuar prova, unë po ju them atë që ka thënë e paditura, që është e njëjta gjë që mua më është dashur të dëgjoj sa herë kam shkuar në gjyq me ata prej jush që kam zgjedhur ti sfidoj në gjykatë.

Më vjen mirë që edhe disa prej jush kanë zgjedhur rrugën e gjykatës por më mirë vonë se kurrë sepse deri dje, ato që thuhen për ju sot, thuheshin për mua, juve nuk ju bënin përshtypje, sot ndiheni të lënduar se ju thënë gjëra që ju skandalizojnë.

SHKARKO APP