Sekretari i Shtetit në Ministrinë gjermane të Transportit takon Erion Veliajn: Të impresionuar nga zhvillimi i Tiranës
Sekretari Parlamentar i Shtetit pranë Ministrisë Federale për Zhvillimin Digjital dhe Transportit, Oliver Luksic, zhvilloi një takim me kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Bashkia e Tiranës ka një bashkëpunim të ngushtë me GIZ dhe KFW për sa i përket transportit në kryeqytet dhe kjo ka qenë edhe tema kryesore e diskutimin në takimin mes Veliajt dhe Luksic.
“Tirana këtë vit është Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe kemi pafund aktivitete kulturore, por nga ana tjetër, Tirana është edhe një kryeqytet në rritje dhe një nga nevojat kryesore është transporti publik. Kjo është arsyeja pse kemi një skuadër fantastike të GIZ-it dhe KFW-së, dy agjencive kryesore gjermane të zhvillimit, për t’u siguruar që përmirësojmë ndjeshëm transportin në Tiranë. Sot gjysma e flotës së taksive janë elektrike, kemi futur për herë të parë një linjë të gjelbër autobusësh, kurse kompanitë nuk po subvencionohen për faktin se ekzistojnë, por sipas kilometrave që bëjnë, për stacionet dhe oraret që kapin”, u shpreh Veliaj.
Nga ana e tij, Sekretari Parlamentar i Shtetit pranë Ministrisë Federale për Zhvillimin Digjital dhe Transportit, Oliver Luksic, u shpreh i impresionuar nga transformimi i Tiranës. “Jemi vërtet tepër të impresionuar për mënyrën se si është zhvilluar Tirana. Sigurisht, rritja, zhvillimi, sjell gjithashtu edhe dhimbjet e veta dhe pikërisht për këtë arsye bëhet edhe më e rëndësishme që edhe planifikimi urban të jetë sa më i saktë dhe sa më i kujdesshëm. Mua më gëzon fakti se GIZ-i dhe KFW-ja japin mbështetjen e tyre në mënyrë që Tirana të bëhet sa më digjitale dhe elektrike në fushën e transportit”, u shpreh Luksic.
KOHA JONË SONDAZH

