Servet Pëllumbi: Kongresi tregoi se jemi në rrugën e duhur…
Një nga figurat emblematike të Partisë Socialiste, Prof. Servet Pëllumbi foli dje në mbrëmje për gazetën ‘DITA’ me vlerësime shumë pozitive në mbarim të punimeve të Kongresit të PS-së. Ai vlerësoi objektivitetin dhe mbështetjen e fuqishme që iu dha reformave të kësaj qeverie nga Kongresi. Çfarë mendon ai për vlerësimet që iu bënë Fatos Nanos dhe për vërshimin e të rinjve në PS…
Profesor, cili është vlerësimi juaj për këtë Kongres të socialistëve?
Është padyshim një ngjarje e shënuar dhe në kohën e duhur. U konfirmua një mbështetje e fuqishme për këtë mazhorancë qeverisëse dhe për reformat e thella që ajo ka ndërmarrë. Do ta quaj një kongres të konfirmimit të kësaj mazhorance dhe që të mbush me besim për të përmbushur jo vetëm një mandat të suksesshëm, por që të krijon edhe bindjen se jemi në rrugën e duhur për të fituar edhe mandate të tjera. Ky ishte Kongres që konfirmoi se e majta ka potenciale të mëdha dhe mund ta çojë përpara këtë vend, si asnjë forcë tjetër politike. Jam shumë optimist për këtë.
Në këtë Kongres u bënë vlerësime me superlativa për ish-Kryetarin Fatos Nano. Si do ta interpretonit këtë vlerësim?
Në Kongres u bënë vlerësime jo vetëm për Fatos Nanon, i cili ka qenë një nga figurat më të rëndësishme të PS-së në fillimet e saj, por edhe për konsolidimet e kësaj force politike në këtë periudhë tranzicioni. U bënë dhe për figura të tjera. Fatos Nano ka rolin dhe kontributin e tij në këtë drejtim. Por në Kongres u bënë vlerësime dhe u nderuan edhe shumë figura të tjera që kanë kontribuar në fuqizimin dhe modernizimin e Partisë Socialiste. Kjo është një vlerë. Mirënjohja është një vlerë e padiskutueshme dhe Partia Socialiste e reflekton këtë mirënjohje dhe ua shpërblen maksimalisht të gjithë atyre që kontribuojnë për këtë.
Profesor, në prag të Kongresit të PS-së është folur shumë për anëtarësimet e shumta në PS. Është kjo një butafori, një propagandë apo një realitet?
Është një realitet. Ky është një nga faktet më të gëzueshme për Partinë Socialiste. Pra, është besimi i një elektorati të gjerë dhe gjithnjë në rritje, sidomos nga të rinjtë, që të mbush me optimizëm. Pavarësisht nga vështirësitë aktuale, të cilat unë i mendoj të përkohshme, ky vërshim në anëtarësime, është mjaft shpresëdhënës dhe një mbështetje e fuqishme për reformat. Prandaj dhe unë nga ky Kongres ndihem mjaft i kënaqur.