Servet Pëllumbi: Si na ndihmonte Rexhina kur Nano ishte në burg

Dje, në mjediset e Akademisë së Shkencave me shumë pak pjesëmarrës, me vetëm dy tre deputetë PS-së, dhe ish presidentit Alfred Moisiu, politikani Servet Pëllumbi ka promovuar ditarin e tij politik “Përvoja ime me Partinë Socialiste”, ku ka rrëfyer drejtpërdrejt për Fatos Nanon, si ndryshoi pas burgut, dhe përçarjet që nisën brenda PS-së. Libri vjen si një bilanc politik në 25 vjetorin e themelimit të PS-së, nga një prej pretedentëve për t’u bërë lider pas “rënies” së Nanos

Për të treguar se ditari i tij politik është shkruar për kohën ’91-’96, politikani Servet Pëllumbi thotë se sot do të ishte e pamundur të hidheshin detajet nga ajo kohë. Për shkak se përvoja e tij në partinë socialiste sa vjen personale ashtu dhe në marrëdhënie mjaft delikate me personazhe politike brenda saj, si kjo parti u përça, si përjetoi hyrjen në burg të liderit të saj historik, Fatos Nanos, por dhe në anën tjetër të opozitës. Ndoshta edhe në rrëfimin e djeshëm, kur u promovua ditari “Përvoja ime në Partinë Socialiste”, Pëllumbi dukej se ende mbante “përplasjen” e madhe, të brendshme që ndodhi në partinë e tij në vitet ’91-’96 duke u ndalur pikërisht në marrëdhëniet me Fatos Nanon.Ai ka treguar se si nga brenda burgut Nano ka drejtuar Partinë Socialiste, dhe ndryshimin e tij pas lirimit duke bërë pazare me pushtetin.

Duke u promovuar në Akademinë e Shkencave në një numër mjaft të pakët pjesëmarrësish, me praninë e vetëm të dy apo tre deputetëve, dhe ish presidentit Moisiu, Servet Pëllumbi ka folur për përçarjen e madhe që ndodhi në PS, pas zgjedhjeve të 26 majit 1996. Ndërsa e politikanit datojnë nga viti 1991-1996, ku jeta politike vërtitej mes një opozitarizmi të fortë mes Partisë Socialiste të drejtuar nga Fatos Nano dhe asaj demokratike që kishte fituar zgjedhjet të drejtuar nga Sali Berisha.

Swiss Digital Desktop Reklama

”E rëndësishme është që Nano u burgos nga regjimi i Berishës. Ne e shpallëm të burgosurin e parë politik, ne e trajtuam si të burgosur politik. Sensibilizuam gjithë institucionet europiane për këtë akt të gabuar të partisë në pushtet të asaj kohe. Është për të ardhur keq por drejtuesit e partisë demokratike të asaj kohe kishin mendimin që drejtimi më i mirë është drejtimi pa opozitë. Ne jemi përpjekur për ta liruar, por kuptohet që edhe burgu ka efektet dhe presionet e veta”-u shpreh Pëllumbi.

Swiss Digital Mobile Reklama

Pas kësaj periudhe dha dorëheqjen, duke mos u shkëputur nga politika, duke folur për moralin në politike kur shkatërrohen raportet me njerëzit, që i fsheh ato, që mbyll dobësitë e njëri-tjetrit, për politikanin shkon drejt përçarjes. “Unë i kam dalë përpara këtyre rreziqeve, prandaj u tërhoqa duke dhënë kontributin si studiues…Nuk është kryesore “lufta e brendshme” dhe këtë e ka shkruar një marksist, agjent etj, të gjitha çfarë kanë thënë ua fal, se nuk kanë kuptuar thelbin e punës sime në parti”. Deri më ’96, Pëllumbi thotë se ka pasur marrëdhënie të mira me Nanon, duke kujtuar raportet me ish gruan e tij, Rexhinën, si një grua e veçantë. Ndërsa këto raporte janë thyer në korrik të ’96-ës. “Libri është apel për t’i dhënë fund kësaj lloj partillogjie, këtij sistemi politik, pasi pengon kulturën e dialogut”.

Por Pëllumbi nuk ka qëndruar pa rrëfyer edhe faktin e raportit të tij historik me Nanon duke thënë se në burg i shkonin mjaft letra dhe informacione, të cilat ua dërgonte direkt në kryesi të partisë, ku Pëllumbi thotë se diskutoheshin gjerësisht, analizoheshin, zbardheshin dhe ende ruhen të gjitha procesverbalet e mbajtur duke treguar se PS funksionoi normalisht edhe pse e kishte liderin në burg. Por në korrik të ’96, politikani thotë se ndodhi thyerja e madhe me Nanon, kur PS nisi të përçahej, dhe përflitej se në fakultetin e shkencave po bëhej gati krijimi i një partie të re. “Unë nuk doja të isha kryetar”, ka pohuar Pëllumbi.

 

Pjesë nga ditari

Kur Strasburgu mbylli dyert për Shqipërinë

Si ndryshoi Nano pas burgut, Reuters shkruan kundër Berishës

E mërkurë, 12 qershor 1996

Festuam 5 vjetorin e PSSH-së. Koktej dhe pasditë miting shumë masiv dhe entuziast në Pallatin e Sporitit Asllan Rusi. Fjala që mbajta në miting botohet nesër në gazetën “Zëri i Popullit”. Në mbrëmje një bisedë me I. Metën, dhe A. Angjelin. Më thanë: disa po aktivizohen duke kërkuar operacionin në drejtim; ka edhe një rritje të “alergjisë” për F. Nanon, sidomos lidhur me qëndrimet para e pas zgjedhjeve; disa që kanë ngrënë dreka e darka në Zibentritin janë zbërthuer mirë prej tij. Edhe kjo rrethanë, konkluduan Iliri dhe Naçi, duket se ka ndikuar në qëndrimet e mbajtura ndaj opozitës. Biseda m’u duk informative, por edhe disi e bashkërenduar e me natyrë “përpunuese”. Linjë që vërteton dyshimet e mia për një lloj qetësie para një beteje, apo më saktë si një rreshtim paraprak i forcave. A përfshihen këto ndër impulse stimuluese pozitive, që si rregull përmbajnë në vetvete edhe krizat? Në këtë rrafsh, a janë racionalë zërat e disa kryetarëve të rretheve për të mos u nxituar me Kongresin?

E diel 16 qershor 1996

Sot ishte turi i dytë i zgjedhjeve. Pjesëmarrja e votuesve shumë e pakët, as 30%. Agim Dega nga Gjermania më telefonon në mbrëmje dhe më thotë: “Mediat në Gjermani kanë vënë në dukje dështimin e turit të dytë të zgjedhjeve duke nënvizuar: Me sa duket pushteti i opozitës është shumë herë më i madh nga ajo që u dha me përqindje më 26 maj! Ndërgjegjësimi për këtë duhet t’i verë në një sfond të ri të dhënat për 26 majin. Këtu vazhdon presioni: Smith u kishte thënë P. Milos e disa opozitarëve të tjerë në një darkë në ambasadë:

-Ju dolët nga loja. Mbajtët qëndrim arbitrar duke mos pranuar votimin në 17 zona! L. Omari më thotë se dhe në votimin në 17 zona u bënë shkelje të rënda; ato janë zgjedhje të reja, u la vetëm një javë kohë; vetëm 4% lejohen parregullsi që të quhen zgjedhje të lira, kurse 17 zona që u quajtën me parregullsi të rënda, janë 14-15 % të të gjithë zonave. Pra, me këtë bien zgjedhjet në tërësi! Argument i fortë ligjor.

Po sot Rexhina Nano boton një intervistë në të cilën duket se ka ndonjë qefmbetje dhe deklaron prerë se nuk do të pranojë të jetë anonime në shprehjen edhe të mendimeve të veta (jo vetëm ato të Fatosit si deri tani?) Normale, është e aftë dhe ka të drejtë ta bëjë edhe këtë. Veçse, jo duke cituar pjesë letrash për të dhënë porosi që “të analizohen edhe defektet serioze në përgatitjen për një “betejë të paralajmëruar” me qëllim që opozita jo vetëm të shmangte masakrën e 26 majit”, pa thënë se çfarë la pa bërë PS-ja në funksion të zgjedhjeve. Madje kujton se Fatosi që më 8 dhjetor 1993 paska vërejtur se “hutimi dhe hezitimi kanë bërë që PS-ja të humbasë mjaft terren politik” …” Pra vërejtjet qenkan për ne drejtuesit e “këtushëm”. Dhe pason porosia ( nuk dallohet e Xhinës a e Fatosit në intervistën e saj): Duhen analiza të plota, të shpejta, të përgjegjshme, pa dorashka dhe operacione të guximshme. Jo me nëntekste, mërira apo qejfmbetje, flirte apo  mungesë kuraje. Drejtojuni popullit dhe jo njëri-tjetrit!

Kur përfundova së lexuari intervistën thashë: “Nëse është porosi e Fatosit, le të bëjë analizën se kryetar është dhe “drejton” partinë, të na ndihmojë edhe ne! Nëse është dëshirë e Xhinës duhet të vijë urgjentisht të na i thotë e të na ndihmojë për një analizë të tillë! Por ajo, me sa duket më mirë të mbetej anonime se sa të dalë me emër e mbiemër dhe të thotë në mbyllje të intervistës një “xhevahir”  të tillë: Unë do të ndieja dëshpërim dhe do të neveritja çdo tentativë dashakeqe për të keqinterpretuar qëndrimet politike të një lideri që nuk aspiron për honore apo tituj fiktivë! Mos është ky Xhina, ndonjë paralajmërim për ndonjë gjë që mund të ndodhë?

E martë, 18 qershor 1996

I porsakthyer nga Italia, ku bashkë me djalin (Benin) morëm pjesë në varrimin e  vëllait tim Lirimit, marr vesh diçka skandaloze, por që nuk më habit aspak. Para dy ditësh M. Lakrori ka kërkuar takim me F. Nanon për t’i thënë se në drejtim ka paaftësi, konservatorizëm, pengim të futjes të së resë në parti dhe propozon që me ndihmën e Nanos të bëhet bashkimi i të dy krahëve për të luftuar qendrën konservatore. Ndërkohë, duke shfrytëzuar po emrin e Fatosit të rifillojë fushata kundër Marksit dhe marksistëve të PS, se “siç ka thënë F. Nano nuk jemi në Austri apo në Zvicër, por në Shqipëri ku Marksi nuk përshtatet”. Nuk po di ç’të bëj me arrivistë të tipit “Maqo”, “Zeneli”, “Islami” që kanë ngulitur në kokë se vetëm ata dijnë, kanë “kulturë perëndimore” dhe hidhen sa në një krah në tjetrin duke përsosur vazhdimisht rolin e servilit dhe të hileqarit…Të shohim, a do t’ua tregojë vendin Fatosi edhe kësaj here?

E premte, 21 qershor 1996

Një vendim i papritur. Parlamenti Europian kërkoi dje pezullimin total të bashkëpunimit me Shqipërinë, duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve të 26 majit 1996. Strasburgu gjithashtu i ka kërkuar Komisionit Europian dhe Këshillit të Ministrave të pezullojë marrëdhëniet me Shqipërinë deri atëhere sa demokracia dhe të drejtat e njeriut të jenë rivendosur. Sonte në orën 22: 40, në RAI-UNO, gazetari i njohur Enco Biaxhi transmetoi direkt një intervistë të shkurtër të Nënë Terezës në linjën e saj të mençur: të bëjmë gjëra të vogla me zemër të madhe!

E shtunë, 22 qershor 1996

Siç pritej, drejtuesit e RD-së me porosi direkt të Berishës sulmojnë sot vendimin e Strasburgut! Logjika si ajo e “rrethimit imperialist-revizionist”, ishte pasojë e votave të “ekstremistëve të majtë në Parlamentin Europian”. Nuk harron të vërë në vend të dukshëm deklaratën arrogante të Presidentit Berisha në Kras Montana të Zvicrës, që ishte përgjigje ndaj vendimit: “Zgjedhjet e reja do të bëhen vetëm në vitin 2000”. Madje guxon dhe të sulmojë duke thënë: “Nuk mund të pranoj të ndryshojë vlerat mbi të cilat është themeluar Shqipëria dhe vota e lirë”.

E diel, 23 qershor 1996

Ne kemi vazhduar të kërkojmë përsëritjen e zgjedhjeve. Edhe faktori ndërkombëtar që ka pranuar dhunimin e zgjedhjeve në Shqipëri po flet për përsëritje të zgjedhjeve. Reuters transmetoi sot: “Presidenti mospërfillës i Shqipërisë S. Berisha refuzoi kërkesën Europiane dhe të SHBA-ve, për përsëritjen e zgjedhjeve paralamentare të vendit të tij me pretekstin se zgjedhjet kanë qenë të lira e nuk do të përsëriten.

E premte 28 qershor 1996

Kthim nga Strasburgu. Në aeroportin gazetarëve u deklarova vetëm një frazë:- kryefjala e asaj që u tha në Strasburg ishte: Zgjedhje të reja, pjesët e tjera të fjalisë më vonë. Dhe me këtë “më vonë” kisha parasysh se prej aeroportit do të shkoja në mitingun e organizuar në orën 19:00 te sheshi Ali Demi. Kur pashë gjithë ata mijëra njerëz të tubuar ndjeva një emocion të veçantë dhe mendova se trauma e 26 e 28 majit është kapërcyer dhe mbështetja na është rritur. Kjo shprehej në mënyrë të sintetizuar në parullën kryesore: Mos shkoni në Parlamentin e votave të vjedhura! Në miting përveç meje folën edhe P. Zogaj, S. Gjinushi dhe L. Xhuveli. Kurse N. Ceka dhe A. Imami filluan një lloj distancimi dhe nuk erdhën në miting.

Në fjalën që mbajta në miting, duke u mbështetur dhe në bisedimet e Strasburgut parashtrova tri kërkesa: 1. Të pranohet nga të gjitha forcat politike mesazhi për zgjedhje të reja si rrugë e vetme kushtetuese për daljen nga kriza politike dhe kthimin e vlerave të demokracisë.

2.Të fillojë menjëherë dialogu politik në qendër të të cilit të jetë përgatitja e zgjedhjeve të lira vendore dhe parlamentare njëherësh. Vëzhgim i plotë ndërkombëtar i zgjedhjeve.

3.Qeveria dhe organet e rendit të vendosin rendin, të ndërpresin dhunën dhe presionet ndaj opozitës e ndaj atyre që mendojnë ndryshe. Po kështu deklarova se nuk njohim Parlamentin e dalë nga votat e vjedhura, pra dhe as 10 mandatet në zona dhe nga lista që i “dhuron” Berisha PS-së. Në mbrëmje deklarova edhe mospjesëmarrjen e përfaqësueve të PS-së, në tavolinën e nesërme të partive të thirrur nga Berisha “për konsultime rreth strukturës së Qeverisë së ardhshme”! Të nesërmen nëpërmjet zëdhënësit sqaruam se kjo konsultë nuk ka asgjë të përbashkët me një tavolinë partish për të diskutuar rreth zgjedhjeve që është një nga kërkesat e parashtruara nga Strasburgu.

Në këtë rrafsh fillova të vras mendjen për një çështje që pritet: ne po  mbajmë qëndrim të fortë, kemi mbështetjen e disa partive brenda vendit dhe mbështetjen tej parashikimit të Faktorit Ndërkombëtar, po Berisha ç’parashikohet të bëjë? Si do ta “çajë izolimin” që po i bëhet? Me ç’asimetri do të tërheqë vëmendjen e opinionit brenda dhe jashtë vendit, siç  e ka zakon? Si do të përdorë faktorë e persona arrivistë brenda radhëve tona në prag të Kongresit që përgatitemi të zhvillojmë? Rreth këtyre pyetjeve diskutova me shokët pasi i informova për takimet në Strasburg. Njëqind herë kujdes! Ndër të tjera marr vesh se Fatosi në Bënçe i ka thënë një shokut tonë:

-Tani të gjithë në Tiranë, përfshi edhe mediat e huaja flasin për Servet Pëllumbin si lider i PS-së, po mua ku më çoni? Kur ma tha ai këtë frazë, nuk mund të thosha gjë tjetër veç psherëtiva: Eh Fatos, Fatos!…

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?