”Shantazhi dhe presioni ndaj medias”, Vasili: DASH tregon plagët e thella të shkaktuara nga Rama dhe Rilindja

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili teksa ka shpërndarë pjesë nga raporti i Departamentit Amerikan i Shtetit, thotë se plagët e thella të shkaktuara nga Edi Rama dhe Rilindja janë që nga zgjdhjet, shkatërrimi i pavarësisë së gjyqësorit, thellimi galopant i korrupsionit qeveritar, por edhe që policia shkel ligjin në emër të qeverisë, si dhe skandali i të dhënave personale të 900 mijë qytetarëve.

Postimi i plotë nga Petrit Vasili

Departamenti Amerikan i Shtetit tregon shumë qartë plagët e thella të shkaktuara Shqipërisë nga Edi Rama dhe rilindja.

Zgjedhjet e shkatërruara nga rilindja

“Megjithatë raporti i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, theksoi disa mangësi, duke përfshirë blerjen e votave, rrjedhjen e të dhënave të ndjeshme personale dhe avantazhin e konsiderueshëm të fituar nga partia në pushtet për shkak të të qenit në pushtet”.

Shkatërrimi i pavarësisë së gjyqësorit

“Megjithëse kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”. “Politizimi i emërimeve të kaluara në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese herë pas here kërcënoi të minonte pavarësinë dhe integritetin e këtyre institucioneve”. “Ndërsa individët dhe organizatat mund të kërkojnë instrumenta juridike civile për shkeljet e të drejtave të njeriut, janë raportuar raste të korrupsionit gjyqësor, joefikasitetit, frikësimit dhe ndërhyrjes politike, thotë raporti”.

Thellimi galopant i korrupsionit qeveritar

“Korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe zyrtarët shpesh u përfshinë në praktika korruptive pa u ndëshkuar”.

Pandëshkueshmëria e qeveritarëve

“Mosndëshkimi mbeti një problem, megjithëse Organi i Specializuar për Antikorrupsionin dhe gjykatat antikorrupsion bënë përparim të rëndësishëm gjatë vitit në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar”.

Policia shkel ligjin në emër të qeverisë

Policia nuk e ka zbatuar gjithmonë ligjin në mënyrë të barabartë. Lidhjet personale, politike ose kriminale, infrastruktura e mangët, mungesa e pajisjeve dhe mbikqyrja e pamjaftueshme shpesh patën pasoja në zbatimin e ligjit.

Shantazhi dhe presioni ndaj medias

“Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kufizuan median e pavarur të shkruar dhe gazetarët sipas njoftimeve u angazhuan në autocensurë”.

Skandali i të dhënave personale të 900 mijë qytetarëve

“Gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare të vitit, u bë e njohur se një bazë të dhënash me informacionin personal dhe detajet e kontakteve të rreth 900,000 qytetarëve, si dhe preferencat e tyre të mundshme partiake, u bënë publike, duke i ekspozuar votuesit ndaj presionit të mundshëm”.

SHKARKO APP