SHBA-BE: Nxisim Dialogun e fundit !
Ndërkombëtarët duket se e kanë humbur durimin me klasën politike në vend. Në takimin e djeshëm të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Ambasadori i SHBA-ve Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së, Romana Vllahutin kanë kërkuar afate konkrete për miratimin e reformës në drejtësi. Dy diplomatët kanë kërkuar që partitë të heqin dorë nga lojërat politike dhe brenda muajit qershor reforma të jetë e miratuar. Kërkesa për miratimin e dokumentit final është bërë dhe herë të tjera, por ndryshe nga më parë, dje qëndrimet e diplomatëve kanë qenë në formë ultimatumi.
Më i drejtpërdrejtë ka qenë ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu. Në gjuhën shqipe, u tha përfaqësuesve të partive politike se nuk ka më justifikime. Ai solli në vëmendje faktin se Presidenti i SHBA, Barak Obama, Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe gjithë zyrtarët e BE dhe SHBA kanë dhënë mbështetjen për këtë reformë. Si asnjë herë tjetër ndërkombëtarët kanë dalë hapur në favor të një projekti që duhet të ishte miratuar. Një mbështetje e jashtëzakonshme dhe nga politikanët pritet vetëm që të bëjnë punën e tyre, të votojnë ligjet.
Nuk kanë munguar dhe kërcënimet direkte në fjalën e ambasadorit. Kërcënime për çdo forcë politike, apo drejtues partie që do të dalë kundër saj. “E mëshiroj partinë e verbër politike apo udhëheqësin e shurdhët politik që e bllokon këtë reformë. E para, do të dështoni nëse kërkoni ta bllokoni këtë reformë. E dyta, do të përballeni me zemërimin e publikut shqiptar vitin e ardhshëm në zgjedhjet parlamentare, nëse mendoni se mund të mbroni gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar duke e bllokuar këtë reformë”, – tha diplomati amerikan.
Qëndrime më të qarta në favor të kalimit të draftit në Kuvend nuk janë mbajtur asnjë herë sa dje ku Edi Rama dhe Ilir Meta votuan bashkë në Komision Projektin. Ilir Meta luajti rolin e negociatorit mes PS e PD për gjetjen e një konsensusi dhe nuk ka reshtur edhe mbrëmë vonë derisa të miratohet edhe nga PD.
Duke parashikuar dhe kundërshtimet që mund të vijnë për pikat e draftit përfundimtar, diplomati Lu deklaroi se dokumenti i rishikuar është hartuar nga ekspert më të mirë të BE dhe SHBA. Deklaratat e ashpra të ambasadorit Lu duket se dhanë efekt. Fill pas fjalimit Kryeministri Edi Rama deklaroi se ishte dakord plotësisht me qëndrimin e diplomatëve të huaj. Sipas tij, Partia Socialiste është gati ta miratonte menjëherë dokumentin e reformës. Nga ana tjetër, kreu i Kuvendit dhe i LSI-së, Ilir Meta ka shprehur qëndrimin e njohur për kalimin e reformës sa më parë. Madje, sipas Metës reforma duhet të ishte miratuar me kohë dhe kjo gjë do kishte dhënë efekte direkte në procesin e integrimit në BE. Për kreun e PD-së, Lulzim Basha opozita nuk është kundër reformës, por sipas tij deri më sot miratimi është penguar nga Partia Socialiste dhe propozimet e saj që kanë qenë kundër gjetjes së konsensusit.
Përpara se diplomatët e SHBA dhe BE të uleshin në tryezën e komisionit për reformën në drejtësi, gjatë ditëve të fundit kanë pasur takime intensive me drejtuesit e partive politike. Të martën janë zhvilluar disa takime të veçanta me kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Duket se në takimet e fundit është marrë dakordësia paraprake për kalimin e reformës nga ana e opozitës. Në mënyrë jo zyrtare, dje ishte rëndë dakord që drafti final të kalonte për miratim në parim në Komisionin e Reformës në Drejtësi. Por në minutat e fundit, Partia Demokratike kërkoi kohë që ta shqyrtonte edhe një herë dokumentin me ndryshimet e reja. E hëna e ardhshme është lënë si afat për takimin e radhës mes PS, PD dhe LSI për votimin e dokumentit në parim.
Ilir Meta tha dje se nuk ka pse përdoren presione ndaj opozitës, pasi Reforma duhet për 100 vitet e ardhshme, ndaj të nxisim dialogun deri në fund. Bile Meta tha prerë dje se nuk ka nevojë për Referendum apo zgjedhje të parakohshme për një nen, pasi është qesharake të çosh popullin në kuti për diçka që mund të zgjidhet me bisedime e debat politik. Edhe ndërkombëtarët nuk duan sherre apo Referendum apo edhe më keq zgjedhje pasi vendi destabilizohet kot së koti për një nen të Reformës.
Dje Rama-Meta hodhën themelet e një Reforme e cila pret edhe votën e PD-së, votë e cila duhet për ti rezistuar 100 viteve të ardhme